EKONOMI & MJEDIS /

Anija me 2100 ton mbetje të rrezikshme, Prokuroria nxjerr "sekretin": "Shteti nuk ka labotaror për analiza, por..."

Reagimi erdhi vetëm një ditë pasi organizatat e mjedisit ngritën shqetësimin se Prokuroria e Durrësit nuk ka ende rezultate për hetimin e eksportit të mbetjeve të rrezikshme, 12 javë pas rikthimit të tyre në Shqipëri.

Shkruar nga Versus

Anija me 2100 ton mbetje të rrezikshme, Prokuroria nxjerr

Prokuroria e Durrësit reagon pas publikimeve që rikthyen në vëmendje fatin e 102 kontenierëve me mbetje të sekuestruara 3 muaj më parë. Reagimi erdhi vetëm një ditë pasi organizatat e mjedisit ngritën shqetësimin se Prokuroria e Durrësit nuk ka ende rezultate për hetimin e eksportit të mbetjeve të rrezikshme, 12 javë pas rikthimit të tyre në Shqipëri.

Basel Action Network dhe Milieukontakt Shqipëri e cilësuan të martën shqetësues mungesën e rezultateve të hetimit nga Prokuroria e Durrësit dhe mungesën e një plani të qartë për trajtimin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, që u rikthyen në portin e Durrësit 12 javë më parë nga Ministria e Mjedisit.

Mbetjet e dyshuara të rrezikshme u eksportuan fillisht nga Shqipëria drejt Tajlandës, por pasi rasti u ekspozua në publik, anija u kthye pas në Portin e Durrësit, ku mbërriti në 28 tetor 2024. Pasi u shkarkuan në Durrës mbetjet u vunë nën sekuestro nga prokuroria, e cila kishte nisur më herët hetim në lidhje me këtë çështje. Por 12 javë pas këtij procesi, organizatat e mjedisit thonë se ende nuk ka asnjë përgjigje mbi dyshimet e ngritura rreth kësaj ngarkese.

Në reagimin e saj Prokuroria e Durrësit bën dy pohime të rëndësishme. E para që shteti shqiptar në 2025 nuk ka laboratore e institucione shtetërore që operojnë në territorin tonë e që mund të bëjnë marrjen e mostrave, transportimit, ruajtjes dhe analizmit të tyre. Shqipëria sipas Prokurorisë nuk ka laboratore e institucione të akredituara për matjen e metaleve të rënda, PAH-ve, Dioxina-ve dhe PCB-ve sipas normave ndërkombëtare! Ndërsa lajmi i mirë është që është gjetur një laborator i tillë privat në Shqipëri. 

Nga ana tjetër organi i akuzës ka sqaruar se Bazel Action Netëork dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një emaili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit.

"Në respektim të dispozitave ligjit procedural penal, Z.Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit." - thuhet në reagimin e bërë publik nga prokuroria e Durrësit.

Anija me 2100 ton mbetje të rrezikshme, Prokuroria nxjerr  

NJOFTIMI I PLOTE  

Nisur nga disa lajme të bëra publike në mediat online por edhe nga interesi i lartë në të njëjtën kohë, gjejmë me vend të informojmë opinionin publik mbi ecurinë e hetimeve për 102 kontenierët e sekuestruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës më 28.10.2024.

Kjo prokurori, në kuadër të procedimit penal nr.1596, të vitit 2024, të regjistruar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal, “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal, si dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, është duke kryer hetime intensive.

Fillimisht, në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar 102 kontenierë, të cilët janë transportuar në Shqipëri me anijen MOLIVA XA443A të mbërritur në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024.

Duke marrë parasysh dyshimet për rrezikshmërinë e substancave që përmban materiali që ndodhet në këta kontenierë si dhe volumin i madh (102 kontenierë) dhe kujdesin maksimal për respektimin e të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare gjatë procesit të marrjes së mostrave, transportimit, ruajtjes dhe analizmit të tyre, Prokuroria Durrës i është drejtuar zyrtarisht të gjitha ministrive që kanë në varësi ente, laboratore dhe institucione që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim realizimin e këtij proceseve komplekse.

Në mungesë të infrastruktuës dhe mjeteve të posaçme për kryerjen e gjithë zinxhirit të proceseve sipas praktikave ndërkombëtare, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri që kanë  ekspertizë në testimin e substancave të tjera të rrezikshme dhe që plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe specifike si:

- Të jenë të akredituar për matjen e metaleve të rënda, PAH-ve, Dioxina-ve dhe PCB-ve sipas normave ndërkombëtare;

- Të kenë mundësinë për krijimin e protokolleve të forta për ruajtjen e një zinxhiri të pandërprerë të kujdesit për të siguruar integritetin e mostrave (regjistrime të detajuara për çdo hap, nga marrja e mostrës deri te analiza);

- Të kenë ekspertë me eksperiencë në fushën e analizave kimike, të mbetjeve (skorieve të

metaleve dhe hirit të termocentraleve; dhe

- Të ketë sisteme të menaxhimit të informacionit të laboratorit (LIMS) të validuara për menaxhimin e sigurt të të dhënave, gjurmueshmërinë dhe gjenerimin e raporteve.

Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave.

Gjithashtu, gjejmë me vend të sqarojmë opininon publik se, në kuadër të këtij procedimi penal, Bazel Action Netëork dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një emaili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit.

Në respektim të dispozitave ligjit procedural penal, Z.Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës ka vijuar me intensitet dhe përparësi kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me këtë procedim penal dhe gjithashtu do të vijojë të informojë publikun në lidhje me këtë çështje që mbart interes të lartë publik.

 

 

 

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: