EKONOMI & MJEDIS /

Banka e parë digjitale, shumë pyetje pa përgjigje! JET Bank dhe 'heshtja' e Bankës së Shqipërisë

Shkruar nga Versus

Banka e parë digjitale, shumë pyetje pa përgjigje! JET Bank dhe

Banka e Shqipërisë ka konfirmuar për Versus.al se JET Bank është banka e parë që synon të operojë tërësisht në mënyrë digjitale në Shqipëri, pa degë fizike, në kuadër të strategjisë më të gjerë për digjitalizimin e pagesave dhe nismës “Cashless Albania 2030”.

Autoriteti qendror financiar thekson se, pavarësisht modelit online, JET Bank i nënshtrohet të njëjtave kërkesa ligjore dhe rregullative si çdo bankë tjetër, madje me kushte shtesë për riskun operacional, teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike.

Në përgjigjet zyrtare, Banka e Shqipërisë sqaron se JET Bank zotërohet 100% nga shoqëria “Jet Holdings B.V.” në Holandë dhe se përfituesi kryesor është investitori izraelito‑britanik Idan Avishai, i cili prezantohet si me eksperiencë shumëvjeçare në financë, teknologji dhe fintech.

'Banka e propozuar “Jet Bank”, do të zotërohet 100% nga shoqëria “Jet Holdings B.V.”, e
regjistruar në Hollandë, e cila zotërohet nga një grup investitorësh ndërkombëtarë me mjaft
përvojë në teknologji dhe fintech, ku kryesor është z. Idan Avishai, një investitor izraelito-
britanik me një eksperiencë shumëvjeçare në financë.' thuhej në përgjigjje të Bankës së Shqipërisë për Versus.al. 

Po ashtu, theksohet se janë verifikuar përshtatshmëria e aksionerëve, ligjshmëria e burimit të fondeve dhe respektimi i kërkesave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe se të dhënat e klientëve do të ruhen brenda BE‑së, në përputhje me rregulloren europiane të mbrojtjes së të dhënave.

Megjithatë, një sërë pikëpyetjesh të ngritura nga Versus.al mbeten pa përgjigje të drejtpërdrejtë.

Institucioni nuk jep një shifër të saktë për kapitalin e investuar deri tani, nuk shpjegon detajisht burimin konkret të kapitalit përtej formulimit të përgjithshëm “burime të ligjshme”, dhe nuk zbardh strukturën e plotë të gjashtë shoqërive aksionere pas Jet Holdings, të cilat sipas raportimeve janë krijuar së fundmi dhe pa histori të gjatë aktiviteti.

Po kështu, nuk ka një adresim specifik për dyshimet mbi transparencën e aksionarëve, kufizimin e informacionit publik për drejtuesit, apo për mundësinë e ndikimeve politike dhe lobimit në procesin e licencimit, çka ishin pyetje të drejtpërdrejta të adresuara nga Versus.al.

Banka e Shqipërisë thekson se JET Bank ka vetëm miratim paraprak dhe nuk është ende operative; brenda 12 muajve banka duhet të depozitojë kapital minimal prej të paktën 1 miliard lekësh, të plotësojë të gjitha kërkesat teknike, rregullatore dhe të qeverisjes së brendshme, e vetëm më pas Këshilli Mbikëqyrës do të vendosë për licencën përfundimtare.

Megjithatë, mbetet pa një përgjigje konkrete pyetja nëse do të ketë raporte periodike të veçanta publike për performancën dhe përputhshmërinë e JET Bank, si dhe pse në këtë rast informacioni publik për aksionarët dhe drejtuesit është më i kufizuar se zakonisht.

Kështu, ndërsa Banka e Shqipërisë konfirmon linjën zyrtare të sigurisë rregullatore dhe rëndësinë strategjike të bankës së parë plotësisht digjitale, një pjesë e shqetësimeve të ngritura nga Versus.al sidomos ato mbi transparencën e pronësisë, burimin konkret të kapitalit dhe trajtimin e barabartë me aplikantë të tjerë mbeten pa përgjigje të drejtpërdrejtë, duke lënë ende hapësirë për debat publik mbi këtë projekt të ri në tregun bankar shqiptar./Versus.al

Poll