Bonusi i pranverës, i cili ishte premtuar të shpërndahej që në shkurt, do të fillojë të shpërndahet nga data 1 mars.
Qeveria ka shpjeguar se vonesa në shpërndarjen e këtij mbështetjeje financiare ka qenë për shkak të procedurave të brendshme dhe koordinimit ndërinstitucional.
Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar më parë se pensionistët do të merrnin bonusin që në shkurt, duke theksuar se kjo do të ishte një ndihmë e menjëhershme për të moshuarit.
Megjithatë, me kalimin e gjysmës së muajit, u konstatua se shpërndarja e bonusit do të nisej vetëm nga fillimi i marsit.
Pensionistët do ta marrin këtë shpërblim së bashku me pensionin e tyre të rregullt të muajit.
Sipas vendimeve të qeverisë, të moshuarit që marrin pension deri në 20 mijë lekë do të përfitojnë një bonus prej 10 mijë lekësh, ndërsa ata me pension më të lartë se 20 mijë lekë do të marrin 5 mijë lekë shtesë.
Kjo ndihmë financiare është pjesë e një pakete më të gjerë mbështetjeje, ku janë përfshirë edhe familjet që marrin Ndihmë Ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre, të cilët do të përfitojnë një bonus prej 15 mijë lekësh.
Qeveria ka bërë ndryshime në buxhetin e vitit të kaluar për të siguruar këto pagesa, duke ndarë një shumë totale prej 6.3 miliardë lekësh për të ndihmuar qytetarët më të prekur.
