Sistemi i pagesës për aksin rrugor Thumanë – Kashar do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim, por publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës.
Kjo është njoftuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi kompania koncensionare që menaxhon segmentin pjesë të Korridorit Blu, ka kryer test të përkohshëm në sistemin e toll-eve.
“Deri në nisjen e këtij procesi, kompania do të kryejë në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit. Lidhur me orarin e këtyre testimeve publiku do të njoftohet 24 orë më përpara.
Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës”, njofton Ministria.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve gjatë fazës së kolaudimit, pasi ky aks rrugor u hap përpara afatit për t’i dhënë frymëmarrje qarkullimit dhe për të lehtësuar trafikun në akset e veriut si dhe për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në këto akse.

Shqiptarët të zhytyr në varfëri, orientohen drejt mallrave të lira


Privati do të ndërtojë në prona publike, çfarë përfiton shteti




