EKONOMI & MJEDIS /

Tjetër PPP, pallati i sporteve “Asllan Rusi” dhe 2 parkinget ngjitur do t'i jepen privatit për zhvillim

Shkruar nga Versus

Tjetër PPP, pallati i sporteve “Asllan Rusi” dhe 2 parkinget

Korporata e Investimeve Shqiptare çeli së fundmi thirrjen për projektin që synon rijetëzimin e Pallatit të Sporteve ‘Asllan Rusi”.

Në dokumentet që shoqërojnë këtë thirrje është saktësuar edhe zona e konkursit e cila brenda pjesës së vijëzuar përfshin ndërtesën aktuale të sporteve por edhe pjesën e parkingut publik në pjesën ballore dhe parkingun që ka shërbyer për autobusët në pjesën pas tij.

Sipas dokumentit përreth zonës së konkursit, ndodhen disa territore të tjera të cilat janë planifikuar që të rizhvillohen me funksione mikse dhe t’i nënshtrohen një procesi përmirësimi urban.

“Ky program përcakton kërkesat minimale hapësinore për projektimin e një arene multifunksionale të certifikuar nga federata të sporteve të ndryshme (EHF, FIBA etj.). Arena do të presë një sërë aktivitetesh sportive dhe do të integrojë hapësira ndihmëse stërvitjeje, zona VIP/media dhe ambiente mbështetëse të brendshme.

Objekti duhet të mbështesë garat në nivel ndërkombëtar, përdorim fleksibël për stërvitje dhe të sigurojë transmetim mediatik, qasje për kategorinë VIP-at dhe aksesueshmëri të plotë. Arena duhet të ketë një kapacitet të certifikuar prej 6,000 spektatorësh. Sipërfaqja totale bruto e ndërtimit e vlerësuar është rreth 13,500 m², mbi tokë, pa përfshirë hapësirat e jashtme, si parkimet dhe sheshet”, thuhet në dokumentin e bërë publik nga Korporata.

Projekti parashikon një zhvillim me përdorim të përzier / shumë-funksional me një sipërfaqe totale ndërtimi prej rreth 26,500 m², pa përfshirë parkimin.

Sipas planit funksionet shtesë përtej atyre sportive, do të shërbejnë për të ngritur një model zhvillimi të qëndrueshëm, i cili do të garantojë jo vetëm ndërtueshmërinë, por edhe funksionimin e denjë dhe afatgjatë të Pallatit të Sportit, të pavarur nga financat publike, sipas një modeli ku shteti bëhet sipërmarrës për të maksimizuar potencialin e aseteve të tij.

“Preferohet që nevojat për parkim të zgjidhen nëpërmjet parkimit nëntokësor, për të ruajtur të lira hapësirat e hapura në katin përdhe dhe për të garantuar cilësinë vizuale të peizazhit në sipërfaqe. Zhvillimi i propozuar mund të përfshijë, në varësi të vizionit të ekipit projektues, funksione si: 65 ● Hapësirat sportive të Pallatit të Sportit ● Hapësira tregtare dhe zyra ● Funksione mikpritjeje (p.sh., hotel ose njësi qëndrimi afatgjatë) ● Funksione të orientuara nga shërbimi (p.sh., arsim, shëndetësi ose aktivitete komunitare) ● Hapësira akomodimi për banim ● Veprimtari rekreative dhe gastronomike” thuhet në dokument.

Konkursi do të ketë dy faza ku vetëm kandidatët e kualifikuar në fazën e parë do të ftohen në fazën e dytë të konkurrimit nëpërmjet dërgimit të Ftesës për Propozim. Faza e dytë e përzgjedhjes së kandidatit fitues për kontratën konsiston në paraqitjen e një propozimi që përmban 2 (dy) pjesë, projekt idenë arkitekturore (zarfi 1) dhe ofertën financiare (zarfi 2). Ofertat financiare të paraqitura nga kandidatët në këtë fazë duhet të plotësojnë kriterin bazë, i cili është 40% (dyzet për qind) e sipërfaqes totale të zhvillimit në pronën shtetërore (prona e Bashkisë Tiranë/Qendra Sportive sh.a.).

Rijetëzimi i “Asllan Rusi” është një nga disa projekte që qeveria ka nisur sa i takon zhvillimit të pronave në partneritet me privatin. Më herët me të njëjtë procedurë u shpall fituesi për VOID Tower dhe kompleksin governativ që do t’i shërbejë me ambiente disa institucioneve publike teksa është rihapur disa herë thirrja për kadastrën dhe LIFT Tower por pa një fitues.

Një tjetër projekt që do po ndjek këtë model është stadiumi “Selman Stermasi” tashmë me një fitues apo zhvillimi i vilave qeveritare në hotele marka ndërkombëtare në Vlorë dhe Velipojë që do të mbajnë markën “Melia”. Shteti në këto projekte do jep pronën për zhvillim duke marrë pas sipërfaqe ndërtimore e cila gjeneron të ardhura./ Monitor.al

Poll