Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sipas mediave serbe blogerja e njohur Ivana.R është arrestuar ditën e djeshme me dyshimin se ajo dhe bashkëshorti i saj Zoran R. kanë ndihmuar të dyshuarin për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e një tjetri dje në Loznicë të Serbisë, Faton Hajrizin të largohet. *Lajmin për ekzekutimin e Faton Hajrizit e dha zëvendëskryeministri , njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç. Sipas mediave serbe Faton Hajrizi ishte fshehur në një kompleks fabrikash të braktisur dhe po tentonte të largohej drejt Bosnje-Hercegovinës. Mësohet se Hajrizi ka qëlluar sërish në drejtim të policisë serbe por ka mbetur i vrarë. *Pas ekzekutimit të Faton Hajrizat në rrjete sociale u publikuan pamje të rënda. *Në një video që po qarkullon në rrjet shihet Fation Hajrizi teksa tregon se nuk i trembet vdekjes dhe se amanti i tij i fundit është ta varrosin afër familjarëve të tij në Klinë të Ulët. “Nuk e lejon me mi lidh durtë, absolutikisht hiç nuk mundeni me mi lidh durtë, mu veç deri në morgë, prej arrestimit në morgë bahet morgi edhe më çon në Klinë të Ulët, te vorrezat te familja jeme edhe më varrosin me nderime edhe krejt Klina e Drenica marrin pjesë në varrimin tim. ‘ shprehet në video Hajrizi. *Reagimi I parë pas ekzekutimit të Faton Hajrizit erdhi nga partnerja e tij, e cila publikoi në rrjete sociale vide dhe foto. Ajo shkruan se momentet e paharrueshme do të ngelen në zemrën e saj. * I arrestuar për të parën herë në vitin 2000 për vrasjen e një ushtari rus, Faton Hajrizi nga Komuna e Skenderajt, do të shndërrohej në një person me histori të gjatë kriminale dhe famë për shumë arratisje nga burgjet e Kosovës.
Vrasja e Faton Hajrizit, reagon Vuçiç: Shumë gjëra në këtë histori janë të çuditshme
Për vrasjen e shtetasit nga Kosova që u vra nga autoritetet serbe, Faton Hajrizi ka folur edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se forcat serbe kanë kryer punën e tyre.
“Policia ka reaguar konform ligjit. E rëndësishme është që hetimi do të tregojë të gjitha motivet, ka shumë gjëra të çuditshme në gjithë historinë. Kemi një person tjetër me kombësi serbe nga një shtet tjetër i rajonit. Dhe kjo është e çuditshme, siç është edhe leja e qëndrimit në Gjermani. Shumë gjëra janë në pikëpyetje, organet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha Vuçiç.
Sipas Vuçiç është e çuditshme që viktima, Hajrizi kritikonte hapur qeverinë në Kosovë dhe përfaqësuesit e saj në rrjetet sociale. Pavarësisht se Hajrizi ishte arrestuar disa herë në Kosovë, Vuçiç tha se për të nuk ishte normale që ai të ishte kritik i Prishtinës.
“Ai vrau një ushtar rus në vitin 2000 dhe është një histori e çuditshme ku ai reklamon në rrjete dhe kritikon përfaqësuesit e qeverisë në rrjete. Autoritetet nga Prishtina. Kush do ta bënte këtë, gjithçka është shumë e çuditshme”, tha Vuçiç.
Vrasja e Faton Hajrizit, qeveria e Kosovës kërkon shpjegime nga Serbia
Qeveria e Kosovës kërkon sqarime nga Serbia lidhur me vrasjen e Faton Hajrizit, personit që ndërmori një sulm ndaj policëve serbë duke vrarë një prej tyre.
Ministria e Jashtme, përmes zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, kërkoi që të konfirmohet identiteti i personit të vrarë sot.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi pas raportimeve për vrasjen e një shtetasi të Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga Autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftim.
Kjo vjen pasi ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiç konfirmoi vrasjen e një shqiptari, por pa bërë të ditur emrin e tij.
Ekzekutoi ushtarin kur ishte 15 vjeç! Vrasje, grabitje e shumë arratisje - Kush ishte Faton Hajrizi?

I arrestuar për të parën herë në vitin 2000 për vrasjen e një ushtari rus, Faton Hajrizi nga Komuna e Skenderajt, do të shndërrohej në një person me histori të gjatë kriminale dhe famë për shumë arratisje nga burgjet e Kosovës.
Për të fundit herë ai u arratis nga një burg i tipit të hapur në Kosovë, më 6 korrik të vitit 2024. Pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi dhe u vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe më 19 korrik.
Në kohën e arratisjes së fundit nga Kosova, Faton Hajrizi përshkruhej si një i burgosur i disiplinuar, i cili madje kishte fituar të drejtën për të shkuar në shtëpi në fundjavë.
Nga vrasjet deri te vjedhja e telefonave - Për çfarë u akuzua Faton Hajrizi?
“U rrit në rrethana të mira familjare dhe shkoi mirë deri në kohën e luftës”.
Kjo ishte një ndër fjalitë përshkruese për historinë jetësore të Faton Hajrizit, nga fshati Klinë e Ulët në Skenderaj, në një dokument gjyqësor të vitit 2001.
Ky dokument është më i hershmi në historinë penale të Hajrizit që nisi në fillim të vitit 2000, pak muaj pasi kishte përfunduar lufta mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1999.
Sipas dokumenteve që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga Gjykatat e Kosovës, ai ishte dënuar të paktën tri herë nga dy gjykata të ndryshme për vepra që lidhen me vrasje, tentim-vrasje, vjedhje e plaçkitje.
Faton Hajrizi njihet më së shumti për vrasjen e një ushtari rus të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 shkurt të vitit 2000. Atë kohë ai ishte 15-vjeçar.
Siç përshkruhet në një vendim të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, vrasja kishte ndodhur në një nga sheshet e Skenderajt, pasi Hajrizi fillimisht ia kishte marrë armën ushtarit dhe më pas e kishte plagosur.
Ushtari me inicialet I.K më pas vdiq më 2 mars të atij viti nga plagët e marra.
Hajrizi ishte paraburgosur në qendra të ndryshme paraburgimi që nga fillimi i vitit 2000, ndërsa me një aktvendim të marsit të vitit 2001, atij i ishte shqiptuar një “masë edukuese” prej një deri në pesë vjet, që do të vendosej me saktësi më vonë.
Me këtë masë, ai do të dërgohej me një “Qendër Edukimi” dhe “do të ishte nën mbikëqyrje të një ekipi profesional”.
Nuk dihet se ku saktësisht ishte dërguar Hajrizi pas këtij vendimi.
Por, në disa intervista që ai i kishte dhënë muajt e fundit për mediat e Kosovës, ai pretendon se ishte dërguar në vazhdimësi në Qendra Korrektuese së bashku me të rritur dhe jo me të mitur, kategori së cilës i takonte në atë kohë.
Përveç për vrasjen e ushtarit, në aktvendimin e vitit 2001, Hajrizi u dënua edhe për një rast të tentim-vrasjes, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave, dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).
Të gjitha këto vepra, sipas gjykatës, u kryen kryesisht nga fillimi i vitit 2000 deri në fillimin e vitit 2001, në Skenderaj, Drenas, Prishtinë dhe Mitrovicë e Jugut.
Vendimi i dytë gjyqësor për Faton Hajrizin u mor sërish nga Gjykata e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë, më 24 janar të vitit 2008.
Kësaj here ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur, që sipas gjykatës, i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër me iniciale B.B, në vitin 2006, në Skenderaj.
Në këto grabitje, ata morën para, telefona, cigare e mbushje telefoni.
Hajrizi u dënua, po ashtu, për armëmbajtje pa leje.
Atij iu shqiptua dënimi me gjashtë vjet burgim dhe iu konfiskuan armë.
Në kohën e dënimit ai kishte qenë duke qëndruar në paraburgim nga maji i vitit 2006.
Gjykata Themelore në Prishtinë i tha Radios Evropa e Lirë se Faton Hajrizi ishte dënuar edhe nga kjo gjykatë në vitin 2019, për vrasje në tentativë.
Këtë herë ai ishte dënuar me një vit burgim.
REL-i nuk ka arritur të sigurojë të dhëna nga gjykatat e tjera vendore në lidhje me raste të mundshme penale apo dënime të Faton Hajrizit.
“Nga dritarja e tualetit e ventilatori”- arratisjet e Faton Hajrizit
Hajrizi besohet të jetë arratisur për rreth 9 herë nga institucionet korrektuese të Kosovës, ndonëse Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) nuk e ka konfirmuar numrin e saktë. Madje, ai ka deklaruar për mediat në Kosovë që ka ikur edhe nga baza ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel.
SHKK-ja, kishte thënë se deri në kohën e arratisjes, në korrik të vitit 2024, Faton Hajrizi kishte mbajtur 17 vjet e 5 muaj të dënimit të tij me burgim, ndërsa i mbeteshin edhe 7 vjet e 6 muaj burgim.
Viti 2000
Shumë pak kohë pasi ishte burgosur për herë të parë, Hajrizi arriti të arratisej nga vendi ku po mbahej.
Shumica e arratisjeve të tij, të paktën tri ose katër, kishin ndodhur rreth vitit 2000, siç përshkruhet nga dokumentet zyrtare dhe nga vetë Hajrizi në intervistat e dhëna për media.
“Vetëm në gjykatë jam trajtuar si i mitur, jo në burgje”, kishte thënë Hajrizi në një intervistë për emisionin “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar në Kohavision.
Sipas tij, arratisjen e parë e kishte kryer nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicën Veriore rreth orës 5 të mëngjesit, duke dalë nga dritarja e tualetit.
Në arratisje të tjera, Hajrizi pretendonte se kishte prerë edhe grilat me sharra të kontrabanduara nga jashtë, si dhe kishte përdorur ventilatorin si dalje.
Vetë Gjykata e Qarkut në Mitrovicën e Veriut në aktvendimin për dënimin e tij më 2001, përmend se 15-vjeçari në atë kohë ishte arratisur një herë nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë në mars të vitit 2000 dhe një herë tjetër në nëntor të atij viti, në Qendrën e Paraburgimit në Skenderaj.
Ndonëse nuk e saktëson numrin, në vendim po ashtu thuhet se “i paraburgosuri bëri përpjekje dhe ia doli të shpëtonte disa herë nga burgu”.
Viti 2005
Një arratisje tjetër e Faton Hajrizit përshkruhet në një raport të Departamentit të Shtetit Amerikan.
Sipas këtij raporti, Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Pejës në gusht të vitit 2005 dhe më pas ishte kapur sërish në tetor të vitit 2006.
“Ai mbeti në paraburgim në fund të vitit (2006)”, thuhet në raport.
Viti 2007
Së bashku me gjashtë persona të tjerë, Faton Hajrizi ishte arratisur edhe nga Burgu i Dubravës, në Istog.
Sipas raportimeve të mediave në atë kohë, “pasi kishin kaluar rrethojat e burgut, shtatë të burgosurit janë pritur nga persona të tjerë, të cilët kanë filluar të shtënat kundër rojave të burgut”.
Viti 2012
Kësaj radhe në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Faton Hajrizi u arratis gjatë shëtitjes ditore.
Sipas raportimeve, ai kishte kapërcyer murin e oborrit, duke “u kapur për një ulluk të ujit të shirave dhe përmes telave gjemborë disa rrathësh, ka kërcyer nga muri i lartë disa metra”.
“Tri krisma nga pistoleta ‘Glock 19’ e gardianit kanë alarmuar situatën dhe shumë shpejt gardianë e policë janë vënë në ndjekje të të arratisurit”, kishte deklaruar atëherë Hazir Berisha, zëdhënës i policisë rajonale në Prizren, për mediumin Kallxo.com.
Viti 2024
Të paktën në muajt e fundit, Faton Hajrizi po qëndronte në burgun e “tipit të hapur” në Smrekonicë të Vushtrrisë, që do të thotë në masa të ulëta sigurie.
Sipas zyrtarëve të SHKK-së, ai kishte shfrytëzuar disa herë të drejtën për të shkuar në shtëpi gjatë fundjavës dhe madje kishte bërë kërkesë për të bërë punë jashtë institucionet korrektues.
Arratisja e tij kishte ndodhur më 6 korrik rreth orës 1 pas mesnate.
“Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur me kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave”, ishte thënë në komunikatën e SHKK-së.
Arratisja e tij pastaj bëri bujë në rrjetet sociale pasi Hajrizi postonte video kryesisht në platformën TikTok, duke sfiduar institucionet që po e kërkonin.
“Nuk mund të më kapni”, ishte mesazhi dominues nëpër video.
Vrasja e policit në Serbi dhe arratisja e fundit e Hajrizit
Pas arratisjes së fundit më 6 korrik, vendndodhja e Hajrizit nuk u dit për një kohë.
Emri i tij nisi të përmendej sërish më 18 korrik, kur në Serbi u raportua vrasja e një zyrtari policor, në qytetin perëndimor të Lloznicës.
Sipas dyshimeve fillestare, dorasi kishte ikur, ndërsa në vendngjarje ishin gjetur dokumentet e një personi të quajtur Artan Hajrizi.
Më vonë u mësua se Artani ishte vëllai i Fatonit, i cili u paraqit nga Gjermania duke pretenduar se i vëllai ia kishte vjedhur dokumentet për t’ia përdorur për arratisje.
Si i dyshuar për vrasje, Fatoni ishte në kërkim nga autoritetet serbe për disa orë, derisa Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ai ishte vrarë derisa po ikte nga Policia.
Megjithatë, ministri serb i Punëve të Brendshme, Daçiq, tha se autoritetet serbe do të kërkojnë nga Gjermania ekstradimin e vëllait të tij, Artan Hajrizi, që sipas tij dyshohet të jetë bashkëpunëtor në këtë rast./Radio Evropa e Lirë
Serbët i vrasin burrin, gruaja e Faton Hajrizit mesazhe prekëse në Tik Tok
“Oh Zot, sa kujtime me ty oj jet. Qysh ike kaq herët bre oh Zot. Allahu na dhasht gajretin, oh Zot nuk po besoj. Oj dashni ti nuk vdes kurrë”.
Ky ka qenë një ndër reagimet e para pas ekzekutimit të Faton Hajrizit ka ardhur nga partnerja e tij, e cila ka bërë brenda dy orësh dy publikime në rrjetin social Tik Tok. Liridona Shala ka publikuar një video dhe një foto, pasi policia serbe ka vrarë të dashurin e saj që ndodhej në arrati pas ikjes nga burgu i Smkronicës në Kosovës.
Ajo në llogarinë e saj në “Tik-Tok” ka publikuar një video me disa fotografi bashkë me Faton Hajrizin, ndërsa në sfond dëgjohet edhe kënga kushtuar vetë Fatonit. Ndërsa në një mesazh të dytë ka shkruar “O zot, qysh na le”, gjithmonë i pavdekshëm o Jetë”
VIDEO/ U ekzekutua nga forcat serbe, mesazhi i fundit i Faton Hajrizit: “Nuk përtoj të vdes! Më varrosni pranë familjes!
Pas 40 orësh kërkimesh shqiptari Faton Hajrizi i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e kolegut të tij është ekzekutuar sot nga policia serbe.
E vetmja urë komunikimi që nga dita kur Faton Hajrizi u arratis nga burgu i Smrekonicës, ishte rrjeti social TikTok nga ku jepte deklarata të ndryshme ndërsa e fundit ishte mesazhi që ai dha para se të ekzekutohej.
“Nuk e lejon me mi lidh durtë, absolutikisht hiç nuk mundeni me mi lidh durtë, mu veç deri në morgë, prej arrestimit në morgë bahet morgi edhe më çon në Klinë të Ulët, te vorrezat te familja jeme edhe më varrosin me nderime edhe krejt Klina e Drenica marrin pjesë në varrimin tim. Nuk përtoj me vdek, unë jam në këtë gjendje sot… ata njerëz më kanë keqtrajtuar, kam nejt si qen me këmbë e dur lidh”, ishte shprehur Fatoni në TikTok./Versus
Pamje të rënda/ Mediat serbe publikojnë foto të Faton Hajrizit pas ekzekutimit nga policia serbe
Media serbet kanë publikuar foto nga vendi ku u ekzekutua Faton Hajrizi i cili akuzohej për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri dje në Luzincë, Serbi.
Lajmi i vrasjes së Faton Hajrizit komunikua nga zëvendëskryeministri , njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç.
“Anëtarët e policisë eliminuan vrasësin e një polici në afërsi të Loznicës“, u shpreh Daçiç, i cili është nisur drejt vendit të ngjarjes.
Sipas mediave serbe Faton Hajrizi u vra teksa tentonte të largohej drejt Bosnje -Hercegovinës.
Sipas tyre ai ishte fshehur në një komplek fabrikash të braktisura.
Si ndodhi ngjarja?
Në Lloznicë, qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën, në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë. Policia serbe është në kërkim të sulmuesit.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit, i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi. Por, Daçiç tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë. “Është e mundur që ky është një identitet i rremë”, tha Daçiç.
Kujdes imazhe të rënda
Policia serbe ekzekuton Faton Hajrizin (Pamje të rënda)
Ashtu siç njoftoi zëvendëskryeministri , njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç dhe mediat serbe shkruajnë se Faton Hajrizi është ekzekutuar.
Po sipas këtyre mediave ai ishte fshehur në një kompleks fabrike të braktisur, ku prej vitesh fshihen emigrantë nga Presheva në pritje të një lidhjeje për të ikur përtej Drinës.
Mësohet gjithashtu se Faton Hajrizi ka qëlluar sërish në drejtim të policisë por ka mbetur i vrarë.
Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut. “Anëtarët e policisë eliminuan vrasësin e një polici në afërsi të Loznicës“, u shpreh Daçiç, i cili është nisur drejt vendit të ngjarjes.
Pas kësaj mediat serbe publikuan pamje të rënda nga ekzekutimi i Faton Hajrizit.
Sipas informacioneve të para, Hajrizi ka tentuar të kalojë Drinën dhe të arratiset në Bosnje dhe Hercegovinë, por nuk ia ka dalë, prandaj është fshehur në një kompleks të braktisur fabrikash.
Faton Hajrizi akuzohej për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri dje në Loznicë të Serbisë./Versus.al
Arrestohet blogerja e njohur serbe, dyshohet se ndihmoi Faton Hajrizin të arratisej

Blogerja e njohur serbe Ivana R. është arrestuar ditën e djeshme me dyshimin se ajo dhe bashkëshorti i saj Zoran R. kanë ndihmuar të dyshuarin për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e një tjetri dje në Loznicë të Serbisë, Faton Hajrizin të largohet.
Sipas raportimeve të mediave serbe, dyshohet se të dy bashkë e kanë rregulluar transportin e Faton Hajrizit .
Policia serbe ka aktivizuar zyrtarë të shumtë policorë, helikopterë, dronë e të gjitha forcat e mundshme policore në mënyrë që të arrihet të arrestohet Hajrizi.
Madje kërkimet janë duke vazhduar edhe në Bosnje dhe në lumin Drina.
Sipas informacioneve jozyrtare në mediat serbe thuhet se ai kishte dokumente në emër të Marko Markoviq.
Ivana jeton në Mlladenoc dhe ka tre fëmijë. Ata u martuan në vitin 2020.
Pothuajse 12 mijë njerëz e ndjekin Ivana R. në rrjetin social Instagram dhe ajo këshillon kryesisht nënat se si të fitojnë para nga shtëpia.
'Në moshën 18-vjeçare mbeta shtatzënë dhe lashë shkollën, punoja në lokalet e natës si mikëpritëse. Më vonë takova njeriun e jetës sime, u martova dhe linda edhe dy fëmijë, ai punon jashtë vendit ' është shprehur Ivana për bashkëshortin e saj në një video të publikuar në llogarinë e saj në Instagram.
Ndërsa bashkëshorti i saj, është arrestuar dhe në mars të 2019-ës si organizatori i një grupi kriminal të cilit iu sekuestruan 1.1 ton marihuanë në pikën kufitare të Gradinës.
Së bashku me Zoran R, në atë kohë dyshohet se u arrestua e dashura e tij Danijela D.

Ivana.R








