
Flora, gazetashitësja e Vlorës prej vitesh endet rrugëve dhe fle ku ta zërë nata, pa pasur një çati mbi kokë. E mbetur jetime në një moshë të vogël dhe e keqtrajtuar nga njerka, ajo nuk e pati kurrë mundësinë që të ketë një jetë të rehatshme siç të gjitha moshataret e saj e kanë apo bëjnë përpjekje ta kenë.
Që në moshë fare të re, ajo shet gazeta duke informuar qytetarët mbi ngjarjet e përditshme, pa kërkuar kurrë lëmoshë prej tyre.
Florën, ndryshe nga pjesa më e madhe e popullsisë të cilët mëngjesi i gjen të paktën në një shtrat, shumëkush e sheh teksa fle rrugëve apo në shkallë të pallateve, sepse nuk ka një vend ku të strehohet. Madje ka edhe nga ata qytetarë zemërgjerë që e ndihmojnë sa të munden me ushqim, ndërsa askush nuk i jep shtëpi me qira sepse nuk i ka të ardhurat ta paguajë.
Kjo është ana tjetër e një shteti që në dukje çdo gjë e ka rrëzëllitëse nëpër fotot e publikuara në rrjetet sociale të pushtetarëve, por realiteti i brishtë godet dhunshëm, si në rastin e gazetashitëses së Vlorës, të cilën shteti e ka harruar si shumë e shumë të tjerë.
Me sadopak shpresë se do të mund të ndryshojë diçka në gjendjen e saj, Flora herë pas here shkon dhe ulet tek dera e këshillit bashkiak të Vlorës, duke pritur se mbase dikush prej “të zgjedhurve” të popullit do të interesohet për ta ndhmuar, por më kot. Ajo rri me orë të tëra para derës së këshillit dhe në fund fare askush nuk e vëren praninë e saj. Ashtu, pa bërë zhurmë, ajo largohet për t’u rikthyer një ditë tjetër me të njëjtën shpresë se ata, "të zgjedhurit", do t'i japin një çati.
Rastin që tregon edhe njëherë lënien në harresë nga shteti të njerëzve të përulur si Flora, e ka publikuar gazetarja Afrovita Hysa, e cila në reagimin e saj thekson edhe premtimet e pambajtura të zyrtarëve të bashkisë së Vlorës, për rastin e Florës.






