Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 7 persona, sit ë implikuar në “shtëpinë e barit” të gjetur në Tiranë, në godinën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Konkretisht, togat e zeza kanë dhënë arrest me burg për Erlind Tresën, Asqeri Likajn, mirëmbajtësin dhe Elvis Lalën.
Ndërkohë për Reshit Tresën dhe tre punonjesit e OSHEE, Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali gjykata caktoi arrest shtëpie. Nga ana tjetër, personi që ka organizuar kultivimin e kanabisit, 46-vjeçari Sajmir Karaj është shpallur në kërkim nga policia.
Si u zbulua “shtëpia e barit”?
Kati i parë i godinës ishte nën përdorim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndërsa kati i dytë ishte privatizuar nga 3 persona, por ishte lënë i braktisur. Duke përfituar nga kjo braktisje, autorët e kanë përdorur katin e dytë për të kultivuar bimë narkotike. Në total janë sekuestruar 293 bimë kanabisi, 193 prej të cilave ishin të kultivuara në vazo ndërsa 100 bimë të thara dhe të futura në thasë. Punonjësit e OSHEE-së nuk kanë raportuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike të godinës, prandaj ndaj tyre nisën hetimet.
Ish-deputeti bën denoncimin
Ka qenë ish-deputeti Halit Valteri ai që ka konstatuar se kati i dytë i magazinës që ishte privatizuar nga tre persona, po përdorej për kultivim të lëndës narkotike. Menjëherë pas kësaj, Valteri ka njoftuar drejtorin e përgjithshëm të policisë, Ilir Prodën i cili ka dërguar grupin hetimor në vendngjarje dhe ka zbuluar se ajo shtëpi përdorej për të të kultivuar bimë narkotike./Versus.al







