Çfarë do të gjeni në brendësi
*Agjentët e BKH dhe të Operacionales, u përfshinë mbrëmjen e djeshme në një përplasje fizike me njerëzit e Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiakut të Mallakastrës. *Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në rrugën Fier-Patos në një biznes të Kapllanajt. Sipas ish-kryebashkiakut, agjentët e BKH kanë ngritur një dron dhe kanë refuzuar thirrjet e njerëzve të tij për t’u larguar nga biznesi me arsyetimin se po shihnin për të blerë toka. *Policia njoftoi se agjentët dhe efektivët e Operacionales janë goditur në krye të detyrës, ndërsa në pranga kanë rënë 3 persona, mes të cilëve dy nipat e Kapllanajt, Ledjon dhe Klaudio Kapllanaj. *Burime bëjnë me dije se agjentët e BKH po bënin vëzhgim me dron në kuadër të veprimtarisë së tyre kundër krimeve zgjedhore në një qark si Fieri që njihet për prezencën e lartë të grupeve të sofistikuara kriminale.
Kapllanaj mohon dhunën ndaj agjentëve të BKH: Nuk u identifikuan, na shanë e kërcënuan brenda firmës
Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj ka reaguar për incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në firmën e tij në Fier, ku u dhunuan disa agjentë të BKH në krye të detyrës.
Për incidentin u arrestuan dy nipërit e Kapllanajt dhe një person tjetër, ndërsa vet ëish-kryebashkiaku foli për mediat dhe pretendoi se përgjegjësia është e agjentëve të BKH të cilët nuk ishin identifikuar si punonjës policie.
Ai mohoi pretendimin e SPAK që ndaj agjentëve të BKH të jetë ushtruar dhunë fizike.
“Nuk është e vërtetë sepse në momentin e parë, kanë qenë duke filmuar brenda territorit të pronës private dhe nuk janë identifikuar si punonjës të policisë. Po të kishin thënë se ishin oficerë, do u kisha ofruar kushte komode. T’i fusja brenda që ta bënin punën në mënyrë shumë më komode sepse nuk kam asgjë kundër policisë, madje unë mbështes SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë së re. Madje nuk ndryshoj mendim as pas këtij incidenti sepse nuk mundet që një person i vetëm të bëjë pis gjithë drejtësinë e re”- u shpreh Kapllanaj.
Sipas tij ngjarja ndodhi për shkak të arrogancës së një prej agjentëve të BKH që i ofendoi dhe kërcënoi.
“Një nga punonjësit e BKH ka dalë nga makina dhe i ka shtyrë me dorë dhe ndoshta mund të ketë pasur ndonjë shtyrje mes palëve, por jo goditje. Ne na kanë sharë brenda ambienteve të kompanisë. Unë ngel i shtangur kur mora vesh se ishin punonjës policie dhe si mund të shajë dhe kërcënojë një punonjës policie”- shtoi ish-deputeti dhe ish-kryebashkiaku. Versus.al
SPAK konfimon dhunën ndaj hetuesve të BKH-së: Janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar
Prokurori e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka konfirmuar sulmin e ndodhur mbrëmjen e djeshme (15 prill) ndaj hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të policisë në qarkun e Fierit.
Në njoftim thuhet se hetuesit e BKH-së dhe efktivët e policisë po kryenin detyrat hetimore të deleguara në kuadër të hetimit të SPAK.
Sipas SPAK ngjarja a ndodhur rreth orës 19:20 minuta në aksin Fier-Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.
SPAK gjithashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre.
Reagim i SPAK:
Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.
Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.
Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.
SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar./Versus.al
“Filmuan me dron”, si nisi përplasja e njerëzve të Kapllanajt me agjentët e BKH! Tre në pranga, mes tyre dy nipat e ish-kryebashkiakut
Policia ka arrestuar 3 persona lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmë në aksin rrugor Fier-Patos jashtë ambienteve të një biznesi në pronësi të Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiakut të Mallakastrës.
Në pranga kanë rënë dy nipat e tij Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj si dhe Gerald Kollçaku të cilët akuzohen se kanë goditur në krye të detyrës agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerë të Forcave Operacionale.
Kapllanaj ka deklaruar se përplasja me agjentët ka nisur për shkak se ata kishin ngritur një dron për të filmuar dhe kur njerëzit e tij u kishin kërkuar të largoheshin, ata u kishin thënë se interesoheshin për të blerë tokë.
Hetuesit e BKH ishin me shërbim në Fier dhe mësohet se arsyetimin e dhënë për njerëzit e Kapllanajt e kanë përdorur si justifikim për vëzhgimin që po bënin. Versus.al
"U goditën agjentët e BKH dhe Operacionalja", policia për përplasjen me njerëzit e Kapllanajt në Fier: 3 të arrestuar

Fier- Mbrëmjen e djeshme u raportua për një përplasje fizike mes njerëzve të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj dhe agjentëve të BKH e forcave Operacionale në rrugën Fier-Patos.
Burimet raportuan dje se ngjarja kishte ndodhur pasi agjentët e BKH me pajisje të veçanta për hetimin e tyre, ishin kundërshtuar nga njerëz të një biznesi në pronësi të të afërmit të Kapllanajt. Përplasja mes tyre u raportua se kishte si shkak një vend parkimi.
Ndërsa policia ka reaguar mbrëmë vonë duke bërë me dije se agjentët e BKH dhe forcat Operacionale janë goditur nga disa persona të cilët janë shoqëruar për në komisariatin e Fierit ku po ndëmerren veprimet e mëtejshme ndaj tyre.
"Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier - Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.-thuhet në reagimin e Policisë së Fierit”- njofton policia.
Vetë Kapllanaj ka reaguar për mediat duke deklaruar se edhe ai po merrej në pyetje në komisariat dhe se sipastij konflikti kishte nisur pasi përgjegjësit për sigurinë e biznesit u kishin kërkuar llogari hetuesve të BKH për praninë e tyre në ambientet e tyre. Sipas Kapllanajt, hetuesit kishin përdorur si kamuflim një dron duke thënë se ishin duke shikuar për toka aty pranë. Mbetet për t’u sqaruar plotësisht dinamika e ngjarjes, pasi deri më tani të dhënat janë kontradiktore. Versus.al
Agron Kapllanaj sërish në “sitë”, njerëzit e tij përplasen fizikisht me Agjentët e BKH dhe operacionales. Informacionet “sekret”
Një ngjarje e pazakontë është raportuar mbrëmjen e sotme në Fier, ku sipas burimeve për Versus.al, ka pasur një përplasje fizike dhe verbale mes personave të lidhur me ish-kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj dhe kandidatin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 Majit, dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit , të cilët shoqëroheshin nga forcat operacionale.
Burime zyrtare konfirmojnë incidentin, pranë biznesit të një të afërmi të Kapllanajt. Bkh dhe operacionalja kanë qenë prezentë në zonë, në zbatim të urdhërave përkatëse, kur janë përballur gjatë bëzhgimeve edhe me pajisje të veçanta, me disa shtetas që ju kanë kërkuar llogari. Debati ka nisur fillimisht me argument banal (parkimi) dhe më pas “me kush je ti kush jam unë”, thonë burime të besueshme.
Ende nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi shkaqet e përplasjes, ndërsa mësohet se disa persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje. Policia veç personave prezent ka shoqëruar edhe dëshmitarë që kanë parë ngjarjen. Identiteti i tyre nuk është bërë publik deri tani.
Nga ana e saj, BKH nuk ka dhënë ende një deklaratë të plotë për incidentin, duke theksuar se për momentin nuk mund të japë informacione të detajuara për shkak të ecurisë së hetimeve.
Ngjarja ka nxitur reagime të menjëhershme në rrjetet sociale dhe pritet që ditët në vijim të hedhë më shumë dritë mbi motivet dhe lidhjen e saj me hetime të mundshme që mund të përfshijnë figura të njohura në zonë. Agron Kapllanaj, i përfolur më herët për afera tenderash dhe lidhje me projekte të mëdha publike, duket se është sërish në qendër të vëmendjes së strukturave ligjzbatuese. /Versus.al/







