Live Updates /

Biznese e banesa nën ujë në Vlorë, dëm qindra mijëra eurosh! Banorët: Situatë e përsëritur, shteti s’mori masa! Dredha: Do kompensohen

*Banesa e biznese të përmbytura dhe dëme që kalojnë shumat e qindra mijëra eurove. Ky është bilanci që lanë pas shirat e dendur që përmbytën Vlorën pasditen e djeshme duke bërë që jeta e qytetit bregdetar të paralizohet totalisht. *33 familje u evakuuan dhe e kaluan natën në konvikt, ndërsa të tjerë banorë thanë sot për mediat se e kishin kaluar natën jashtë dhe se nuk kishin pasur asnjë ndihmë nga shteti. *Pronarët e bizneseve në Vlorë deklaruan se dëmi i shkaktuar i kalon shifrat e qindra mijëra eurove, ndërsa theksuan se kjo është një situatë e përsëritur për shkak se shteti nuk ka marrë masa për pastrimin e kanalizimeve në mënyrë periodike. *Banorë të Vlorës thanë se shtëpitë i kanë jashtë funksionit dhe të mbushura me ujë që arrin deri në nivelin e 50 cm me gurë dhe papastërti të shumta që u kanë hyrë brenda. *Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha tha se situata në disa zona ishte tejet e vështirë dhe u kërkoi banorëve durim duke i siguruar se do të ketë një përllogaritje të dëmeve të cilat do të kompensohen nga fondi i emergjencës.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Banesa e biznese të përmbytura dhe dëme që kalojnë shumat e qindra mijëra eurove. Ky është bilanci që lanë pas shirat e dendur që përmbytën Vlorën pasditen e djeshme duke bërë që jeta e qytetit bregdetar të paralizohet totalisht. *33 familje u evakuuan dhe e kaluan natën në konvikt, ndërsa të tjerë banorë thanë sot për mediat se e kishin kaluar natën jashtë dhe se nuk kishin pasur asnjë ndihmë nga shteti. *Pronarët e bizneseve në Vlorë deklaruan se dëmi i shkaktuar i kalon shifrat e qindra mijëra eurove, ndërsa theksuan se kjo është një situatë e përsëritur për shkak se shteti nuk ka marrë masa për pastrimin e kanalizimeve në mënyrë periodike. *Banorë të Vlorës thanë se shtëpitë i kanë jashtë funksionit dhe të mbushura me ujë që arrin deri në nivelin e 50 cm me gurë dhe papastërti të shumta që u kanë hyrë brenda. *Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha tha se situata në disa zona ishte tejet e vështirë dhe u kërkoi banorëve durim duke i siguruar se do të ketë një përllogaritje të dëmeve të cilat do të kompensohen nga fondi i emergjencës.

6 Postime
5 MUAJ ME PARE

VIDEO/ ‘Në qiell të hapur’, banorëve në kalanë e Vlorës u shemben banesat pas përmbytjeve: S’na ka ndihmuar askush

Biznese e banesa nën ujë në Vlorë, dëm qindra
Një prej banorëve në zonën e Kalasë së Vlorës

Vlorë- Reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet që i pasuan, kanë sjellë dëme të mëdha edhe në zonën e kalasë ku një shkëmb ka rënë dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, duke i nxjerrë ato jashtë funksionit.

Banorët të prekur tregojnë se gurët dhe balta kanë hyrë brenda banesave të tyre duke u krijuar kushte të papërshtatshme jetese.

Ndër të tjera njëri prej banorëve se në momentin kur gurët nisën të binin mbi banesën e tij dhe të fqinjve, ata dolën jashtë për siguri dhe kërkuan ndihmë nga institucionet por deri më tani ende nuk kanë marrë asnjë reagim pavarësisht se kryebashkiaku Ermal Dredha ka deklaruar se ekipet janë në terren dhe se janë marrë masat për të nisur inspektimet e dëmeve të shkaktuara.

Banorët në këtë zonë bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente dhe mbështetje nga autoritetet pasi janë në qiell të hapur. Versus.al

 

5 MUAJ ME PARE

VIDEO/ “Nuk na hapte njeri telefonin”, banorja në Vlorë: Shtëpia e gjitha e përmbytur, bashkia të shohë dëmet

Biznese e banesa nën ujë në Vlorë, dëm qindra

Banorët e Vlorës shprehen të revoltuar me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet të cilat sipas tyre kanë ardhur si rrjedhojë e mos-pastrimit të kanalizimeve. Një prej banoreve shprehet për mediat se e ajo dhe familja e saj e kanë kaluar natën jashtë dhe se askush nuk u ishte përgjigjur në telefon kur kishin tentuar të kërkonin ndihmë.

“Kemi ndenjur jashtë gjithë natën. Nuk hapte njeri telefonin. Ku të venim? Shtëpia është përmbytur e gjitha, është jashtë funksionit. Të vijë bashkia t’i shikojë dhe të na vlerësojë çfarë të jetë e mundur”- u shpreh banorja.

Gjithashtu, të tjerë qytetarë janë shprehur për kamerat se banesat u ishin mbushur me ujë për shkak të mospastrimit të kanaizimeve dhe se kjo është situatë e përsëritur për të cilën shteti nuk ka marrë masa asnjëherë. Versus.al

5 MUAJ ME PARE

"Në 3 orë, ra shi sa për një muaj", kryebashkiaku i Vlorës: Disa zona të prekura rëndë, do kompensojmë dëmet

Biznese e banesa nën ujë në Vlorë, dëm qindra

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha ka folur për mediat një ditë pas përmbytjeve që përfshinë qytetin bregdetar gjatë pasdites së djeshme. Ai bëri me dije se përgjatë 3 orëve ka rënë aq shi sa bie zakonisht në 1 muaj.

Ndërsa u kërkoi qytetarëve durim, bëri me dije se po bëhet evidentimi i dëmeve në terren dhe do të përdoret fondi i emergjencave për të ndihmuar dhe kompensuar të prekurit.

“Ka prezencë uji në disa lagje të qytetit. Ka pasur një prurje prej 180 mm për orë, prurje e cila mund të ndodhë për një muaj. Qytetarët duhet të jenë pak të duruar, sepse kemi disa pika të prekura rëndë. Hapi tjetër është evidentimi i gjithë dëmeve të shkaktuara në terren që më pas të aktivizohet edhe fondi i emergjencave për të ndihmuar dhe kompensuar banorët”- u shpreh Dredha. 

Për situatën e reshjeve në vend, ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu i cili bëri me dije se efektivët e Forcave të Armatosura po punojnë me pompa thithëse për të hequr ujin që ende është i pranishëm në shumë zona të qytetit bregdetar të Vlorës. Versus.al

5 MUAJ ME PARE

“Qindra mijëra euro dëme”, përmbytjet në Vlorë shkatërrojnë bizneset! Pronarët: Situatë e përsëritur, asnjë ndihmë nga shteti

Biznese e banesa nën ujë në Vlorë, dëm qindra
Përmbytjet në Vlorë dhe pronarët e disa prej bizneseve të dëmtuara

Qindra mijëra euro përllogaritet të jetë dëmi i shkaktuar nga përmbytjet gjatë pasdites së djeshme në Vlorë ku qindra biznese e banesa u pushtuan nga uji që vërshoi nëpër rrugë si pasojë e shirave të dendur.

Në intervistat e dhëna për mediat, pronarët e bizneseve flasin për dëme të shumta materiale që kapin vlerën e miliona lekëve. Fotaq Veneti, farmacist, tha për Report Tv se dëmi i shkaktuar në biznesin e tij kap shifrën e mbi 100 mijë eurove, ndërsa përshkruan me dhimbje situatën e krijuar nga përmbytjet.

“Kam farmaci. Një dëm shumë i madh, s’mund të them një vlerë fikse por diku tek 100 mijë euro produkte farmaceutike. Qepeni ka qenë i mbyllur për të penguar pjesën e përmbytjes, por duke ditur që ngelëm brenda kemi telefonuar për të dalë jashtë se situata arriti deri në 50 cm ujë brenda. Kemi qëndruar 2 orë brenda. Janë pothuajse 20-50 biznese gjithë kjo rrugë. Kjo është hera e disatë, si një katastrofë”, u shpreh ai.

Një tjetër pronar i një biznesi, market ushqimor, tha se dëmi i shkaktuar arrin deri në 5 milionë lekë të vjetra, ndërsa theksoi se e njëjta situatë me përmbytjet përsëritet çdo vit dhe se nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga shteti.

"U bllokova në dyqan, nuk dilja dot," thotë ai, duke përshkruar prurjet e mëdha të ujit që e lanë të izoluar në dyqan. Gati 5 mln lekë të vjetra dëm, shumë keq situata. Ndodh vit për vit këtu. Hall i madh. U bllokova në dyqan nuk dilja dot. Ishin prurje të mëdha”, tha Përparim Celaj, pronar i një marketi.

Po ashtu, një pronar i një lokali në qytetin bregdetar thotë se dëmi i shkaktuar nga përmbytjet e përsëritura arrin deri në 20 milionë lekë.

“Dimër për dimër, këtu bëhet det. Jemi të detyruar ta rregullojmë çdo gjë nga vetja. Shteti nuk merr masa. Dëmi mund të jetë 1 milionë lek për pastrime, lyerje minimumi. Po jemi përmbytur nga 20 herë, më kanë vajtur 20 mln lekë, askush s’do t’ia dijë”, thotë ai, me një ndjenjë të thellë zhgënjimi.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha i cili ishte dje në terren, e përshkroi situatën si tepër kritike. Dje në ndihmë të bashkisë Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, dërguan 2 moto varka, 2 ekipe të pajisur me 2 motopompa, 8 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 30 forca ushtarake. Reshjet pushuan në orën 19:00 por deri në këtë orë sipas autoriteteve, sasia e reshjeve ishte sa prurjet e shirave gjatë vjeshtë-dimër në Vlorë. Versus.al

5 MUAJ ME PARE

VIDEO/ Dhjetëra familje kaluan mbrëmjen në konvikt, Vlora zgjodhet nën pushtetin e ujit! Dëme të shumta në disa lagje

Biznese e banesa nën ujë në Vlorë, dëm qindra
Foto nga qyteti i Vlorës

Vlorë- Dhjetëra lagje në qytetin bregdetar janë zgjuar nën pushtetin e ujit mëngjesin e sotëm teksa energjia elektrike mungon prej pasdites së djeshme me qëllim që të mos krijohen probleme pasi në disa kabina ka prezencë uji.

Situata mbetet problematike në zonat:  ‘Albano dhe Romina’, lagjia ‘Leg Sallat’, lagjia ‘28 nëntori’, zona te Xhamia, zona te Xhamia, lagja 'Rilindja', 'Skela', 'Pavarësia', rruga ‘Hasan Kushta’ rruga "Gjergj Araniti" aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit ‘Ismail Qemali’.

Dëme të mëdha raportohen në biznese e banesa disa prej të cilave janë mbuluar totalisht nga uji, ndërsa pritet që pas qetësimit të situatës të nisë edhe bilanci i faturës ekonomike që duhet paguar për dëmet dhe rikthimin në normalitet të zonave të prekura. Versus.al

 

5 MUAJ ME PARE

Stuhia dhe përmbytjet në vend, 33 familje të evakuuara në Vlorë! E kaluan natën në konvikt

Biznese e banesa nën ujë në Vlorë, dëm qindra
Foto nga përmbytja e rrugëve në Vlorë

I gjithë vendi ynë u përfshi nga reshje të dendura shiu përgjatë ditës së djeshme duke shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit, si në Tiranë, Durrës, Lezhë, Vlorë e Shkodër. Në kryeqytet shumë rrugë u bllokuan nga prezenca e lartë e ujit, duke bërë që të krijohej trafik dhe vështirësi e qytetarëve për të kaluar.

Një prej qarqeve më të goditura nga moti i keq ishte Vlora, ku pati reshje të dendura shiu deri në orët e mbrëmjes. Për pasojë u bë evakuuimi i 33 familjeve të cilat mbetën të bllokuara në banesat e tyre për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Në total, 55 persona nga 33 familjet, e kaluan natën në konviktin e qytetit. Dëme të shumta materiale janë regjistruar në biznese e banesat e lagjeve kryesore të qytetit, ku rrugët u pushtuan nga uji. Ndërsa OSSHE ndërpreu furnizimin me energji elektrike për të shmangur “një tragjedi”.

Në pamjet e publikuara ditën e djeshme shihej sesi, një grua në Vlorë u rrëmbye nga ujërat që vërshuan në rrugë. Fatmirësisht nuk raportohet për njerëz të lënduar. Versus.al

Poll