Çfarë do të gjeni në brendësi
*Me draftin e siguruar nga Versus.al është konkretizuar marrëveshja që palët deklaruan të premten e kaluar. Projektligji i hap rrugën votës së emigrantëve që kanë një adresë vendbanimi. Vota e tyre do të sillet me postë në Tiranë. Emigrantët duhet fillimisht që të bëjnë kërkesë elektronikisht që të votojnë, me qëllim që vota e tyre të cilësohet e vlefshme. *Sipas draftit që e gjeni më poshtë, varianti që palët kanë rënë dakord në negociata për listat është 1/3 e mbyllur dhe 2/3 e hapur. Argumenti që kanë sjellë për këtë vendim është ruajtja e kuotave gjinore. *Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj kanë dalë kundër këtij drafti, i pari sepse po mbyllen listat e deputetëve, dhe Alibeaj ka deklaruar se me këtë draft, Edi Ramës po i dhurohet mandati i 4 në tavolinë.
Votuesit jashtë Shqipërisë përballen me rrugë të përpjetë për të drejtën e votës
Sipas dokumentit të dakordësuar mes PD dhe PS për të ashtuquajturën “votë diaspore”, qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë nuk gëzojnë regjistrim automatik në listën e zgjedhësve dhe do të duhet të regjistrohen nga e para për çdo palë zgjedhjeje. Se sa i lehtë apo i vështirë do të jetë regjistrimi, kjo do të caktohet nga një zyrë shumëpartiake pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të njohur si “rregullatori”.
Nga Gjergj Erebara-BIRN
Dy partitë kryesore politike shqiptare, Partia Socialiste në Pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se ranë dakord në bisedimet e zhvilluara pas dyerve të mbyllura për të lejuar votimin në distancë të shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë, por modalitetet e fitimit të të drejtës për të votuar në distancë janë të tilla që e bëjnë të vështirë ushtrimin real të votës nga emigrantët.
Dokumenti i dakordësuar mes palëve i rrjedhur në media, tregon se, ndryshe nga shtetasit rezidentë, të cilët në sistemin ligjor shqiptar prej të gjitha kohërave gëzojnë automatikisht të drejtën e votës për nga cilësia e të qenit shtetas, emigrantët, nëse do të duan të hedhin votë në distancë dhe jo duke u paraqitur personalisht në Shqipëri, do të duhet të bëjnë një regjistrim të veçantë në një regjistër të veçantë, ku regjistrimi do të jetë i vlefshëm vetëm për një palë zgjedhjeje.
“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit,” thuhet në projektligjin e propozuar për të cilën palët kanë rënë dakord në nivel ekspertësh ndërsa diskutimet në nivel politik vazhdojnë.
“Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje,” shkruhet më tej.
Emigrantët që vendosin të ushtrojnë të drejtën e votës në këtë mënyrë, paguajnë në mënyrë indirekte çrregjistrim automatik dhe humbje të së drejtës së votës si shtetas rezidentë. Projektligji duket se ka lënë pa përmendur nevojën për rikthimin e këtyre shtetasve te regjistri i votuesve rezidentë pas zgjedhjeve, nëse ata vendosin të rikthehen në atdhe ndonjëherë.
“Shtetasit shqiptarë që janë rregjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së rregjistrimit sipas këtij neni, ç'rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit,” shkruhet më tej në projektligj.
E drejta e emigrantëve për të votuar pavarësisht se nuk janë të pranishëm në atdhe ditën e votimit është debatuar gjerësisht gjatë dekadës së fundit ndërsa një vendim i Gjykatës Kushtetuese i ka kërkuar parlamentit të marrë masa për ta mundësuar këtë të drejtë. Procedurat e caktuara nga palët duket se i vendosin shqiptarët që jetojnë jashtë vendit në disavantazh duke i detyruar ata të regjistrohen me kërkesë për të fituar të drejtën e votës, ndryshe sistemi ligjor historik i vendit, në të cilin, e drejta e votës vjen automatikisht pa pasur nevojë për regjistrim paraprak.
Palët politike gjithsesi i kanë dhënë të drejtë vetes që të ndërhyjnë më tej në proces me kufizime të tjera të mundshme, gjatë shqyrtimit në të ashtuquajturin “institucion rregullator”.
“Lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për rregjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit,” shkruhet në propozim.
“Rregullatori” është një institucion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që përbëhet nga anëtarë të votuar nga Kuvendi i Shqipërisë sipas preferencave të palëve politike. Ky institucion është ai që do të ketë të drejtë të hartojë “listën e detajuar të dokumentacionit”. Kriteret e hartimit të listës në fjalë të dokumentacionit do të përcaktojnë me gjasa se sa e lehtë ose sa e vështirë do të jetë për popullsinë jorezidente që të votojë.
Diskriminimi i shtetasve jorezidentë përkundrejt atyre rezidentë, duke i kërkuar të parëve regjistrim me kërkesë për të marrë pjesë në zgjedhje ka gjasa që do të përbëjë një çështje për diskutim në vijim.
Aktualisht gati gjysma e popullsisë prej 4.6 mlionë shtetas duket se jeton në emigrim. Emigrantët e kanë të drejtën e votës, por për ta ushtruar atë, deri më sot do të duhet të udhëtojnë drejt vendbanimit ku kanë regjistrin civil ditën e zgjedhjeve, gjë që shumica nuk e bëjnë.
Dhënia e të drejtës së votës në distancë, një praktikë e njohur në shumë vende të botës, është diskutuar si një opsion për të demokratizuar vendin, nën supozimin që emigrantët nuk janë nën presionin e partive politike, kryesisht partisë në pushtet, siç janë banorët rezidentë. Por shumë ngrenë pikëpyetje nëse një shtetas që jeton prej vitesh në emigrim është apo jo e arsyeshme që të votojë për të zgjedhur qeverinë e vendit ku nuk jeton, por që do të qeverisë shtetasit që jetojnë në këtë vend.
Në rast se vota e emigrantëve do të bëhet realitet sipas propozimit aktual, mbetet për t'u parë se sa do të jenë të interesuar emigrantët, apo sa të lehtë do t'ua bëjë procesin KQZ dhe Rregullatori për të votuar dhe se çfarë pasojash do të ketë në rezultatet zgjedhore dhe në qeverisjen e vendit.
Drafti i ri/ Mbi 70% të deputetëve të ardhshëm do t’i caktojnë kryetarët
Formula e zgjedhur nga PD dhe PS për mënyrën e hartimit të listave zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, e prezantuar si “listë e mbyllur në një të tretën” në realitet bën që mbi 70% të deputetëve të caktohen nga kryetarët.
Nga Gjergj Erebara-BIRN
Dy partitë politike kryesore të vendit, Partia Socialiste në qeveri dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se kanë rënë dakord që të mbajnë me lista të mbyllura shumicën dërrmuese të mandateve të deputetëve edhe në zgjedhjet e ardhshme për parlament të parashikuara për vitin 2025, ndërsa votuesit e secilës parti do të mund të zgjedhin me votë pëlqyese më pak se një të tretën e kandidatëve.
PD dhe PS ranë dakord që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor të vendit, një kompromis që pritet të materializohet nesër në seancë plenare. Mes të tjerash, palët ranë dakord që “një e treta” e listave të kandidatëve të jetë “e fiksuar” pra e mbyllur ndërsa për dy të tretat e listës votuesve të secilës palë do t'i jepet e drejta të japë një votë pëlqyese. Por nëse merren parasysh rezultatet zgjedhore të vitit 2021, ky lloj formulimi do të thotë se mbi dy të tretat e deputetëve të zgjedhur do të jenë në këto listat e mbyllura ndërsa më pak se një e treta, në listat e hapura.
Formula thotë se në një zonë zgjedhore, fjala vjen, në Kukës, ku dalin tre mandate deputetësh, secila parti do të përcaktojë një të tretën, pra 1 mandat, si vullnet i partisë ndërsa mandati i dytë mundet t'i takojë zgjedhësve për ta pëcaktuar. Në zgjedhjet e vitit 2021, në Kukës Partia Demokratike fitoi 2 mandate ndërsa Partia Socialiste fitoi 1 mandat. Nëse ky rezultat do të jetë në vitin 2025, apo nëse, fjala vjen, PS merr 2 mandate dhe PD, 1, atëhere dy deputetë të zgjedhur do të jenë caktuar nga partia ndërsa 1, nga zgjedhësit. Situata ndryshon në rast se në një qark si Kukësi, një forcë e tretë politike fiton një mandat. Në këtë rast, të tre kandidatët e zgjedhur do të jenë caktuar nga partia përkatëse ndërsa zgjedhësit me votën e tyre preferenciale do të dërgojnë në parlament zero kandidatë fitues.
Në të gjitha qarqet e tjera është një situatë e ngjashme. Fjala vjen, në Shkodër, 11 mandate deputetësh u ndanë në vitin 2021 në 5 mandate PD, 2 PS, 2 PSD dhe 1 LSI. Në rast se në zgjedhjet e shkuara do të ishte votuar sipas formulës së sotme për listat, i vetmi deputet që do të zgjidhej me votë pëlqyese nga zgjedhësit do të ishte deputeti i pestë i Partisë Demokratike. Sepse pjesëtimi i 11 mandateve totale me tre jep shifrën 3.66 dhe projektligji i propozuar për kodin zgjedhor përcakton se në këtë rast, numri i mandateve të caktuara nga partia rrumbullakoset në 4. Kjo do të thotë se 2 mandatet e PS, 4 mandate të PD, 2 mandate të PSD dhe 1 mandat të LSI caktohen nga partia.
Llogaritje të BIRN të bëra me rezultatin zgjedhor të vitit 2021 dhe me formulën e re të listave tregojnë se mbi 100 deputetë nga 140 mund të dalin nga listat e mbyllura ndërsa pjesa tjetër, nga pëlqimet e zgjedhësve.
Listat e mbyllura të kandidatëve u caktuan për herë të parë në Shqipëri nga marrëveshja mes Edi Ramës dhe Sali Berishës në vitin 2008. Listat e mbyllura nuk janë automatikisht të këqija në vetvete por eksperienca ka treguar se, për shkak të mungesës së kulturës demokratike brenda partive të mëdha apo të vogla shqiptare, deputetët e zgjedhur janë rezultat i vullnetit të kryetarit përkatës dhe jo i anëtarësisë së partisë, duke e bërë parlamentin një institucion të mbushur me të emërtuar të kryetarit dhe jo me deputetë përfaqësues të popullit.
Sistemi është cilësuar si një “republikë kryetarësh” në të cilën, parlamenti ka humbur funksionin e vet kushtetues si mbikëqyrës, kontrollues dhe kufizues i pushtetit ekzekutiv, duke u kthyer në një zyrë noteriale të kryeministrit.
Në zgjedhjet e vitit 2021, pas protestave të shumta në lidhje me këtë sistem, Edi Rama ra dakord që të krijojë një sistem vote pëlqyese, e cila në praktikë prodhoi vetëm tre mandate deputetësh në të gjithë vendin të dalë nga pëlqimet e zgjedhësve ndërsa 137 të tjerët dolën sërish nga vullneti i kryetarit. Kjo për shkak se kandidatët e listës humbëse do të duhet të thyenin “herësin”, një shprehi matematikore që nënkuptonte nevojën për të fituar mbi 10 mijë vota pëlqyese personale, për të mundur të zëvendësonin një nga kandidatët e paracaktuar si fitues.
Drafti i reformës zgjedhore/ Bardhi: Formula për shpërndarjen e mandateve, qartësisht më efikase se herësi në 2021
Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, u miratuan me 18 vota pro dhe 1 kundër propozimet për ndryshimin e Reformës Zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2025.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi në fjalën e tij tha se formula për shpërndarjen e mandateve është qartësisht më efektive se herësi i vitit 2021.
Bardhi, duke u ndalur tek 1/3 e listës së mbyllur, tha se deputetët e zgjedhur më 2021 janë produkt i listave të mbyllura. Më tej, ai tha se nëse arrihet vota e diasporës, do të jetë një arritje.
Gazment Bardhi në Komisionin e Ligjeve: Unë mëndoj që diskutimi në këtë fazë të punës që është Komsioni i Ligjeve, do duhet ta bëjmë me qetësi pa populizma. E gjithë retorika e kolegëve që mbrojnë një qasje të ndryshme nga ajo që kanë propozuar grupi i dialogut bien në një të dhënë të vetme. Ne këtu jemi deputetë listash, nga i pari tek i fundit. Secili prej nesh këtu ka qenë produkt i një procesi me lista të mbyllura. Fakti që sot ka kolgë që kundërshtojnë qendrimin e partive të tyre rrëzojnë çdo tezë që ky po i lëpihet atij apo ky po i lëpihet këtij. A qendrojnë të gjitha propozimet që kanë ardhur? Nga njëqind përqind të hapura e deri tek në njëqind përqind të mbyllura, secila ka avantazhet apo disavantazhet e veta. Do të ishte shumë mirë që të kishim bërë një diskutim më të gjatë, më transparent edhe ne Komisionin e Ligjeve. Fakti është se ashtu siç është sot Kodi Zgjedhor, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, listat janë njëqind përqind të mbyllura. Kush thotë të kundërtën gënjen! Sepse sipas dispozitës që ka ngelur në këmbë, fakti që lista mbetët e pa ndryshuar nga ajo që çon partia dhe mund të ndryshohet vetëm nëqoftëse thyhet hersi dhe në mungesë të hersit nuk ndryshon lista. Pra sot ne kemi lista njëqind përqind të mbyllura.
Çfarë na prodhoj historia e sistemit që kishim në fuqi në 2021? Na prodhoi që nga ai sistem me një herës që ishte përcaktuar në mënyrë të njëanshme e thyen vetëm 3 deputet. Pra 137 deputet u zgjodhën nga partitë dhe vetëm 3 prej tyre erdhën këtu si rezultat i votave personale jashtë vullnetit të partisë.
Tani na ka ardhur një propozim, Dashi tha 39 Enlekejdi tha 46, nuk e di fiks sa do të jetë ndarja e atyrë që do futen nga lista fikse dhe nga lisita me votë parapëlqyese, në finale. Por qartësisht do të hynë të paktën 10-fish më shumë se sa sistemi që na ka futur ne në këtë sallë. Unë mendoj se zgjidhje radikale dhe që shkojnë nga ekstremi në ekstrem, dhe pa eksploruar një zgjidhje me faza nuk na ndihmojnë. Duhet ta konsiderojmë edhe këtë si test! Nuk e dime se cfarë do të prodhoje! Mund të rezultoje më i mirë i mundshmi ose më i keqi, por qartësisht jemi para një progresi krahasuar me atë që kishim. A mund të ishte më i mirë variant që propozoi shoqëria civile që kemi në tryezë sot, a mund të ketë edhe një opsion tjetër. Të gjitha janë të vlefshme.
Për mua më shumë rëndësi nuk ka si do të jetë sistemi apo lista. Për mua arritje është fakti që bëjmë efektive dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do duhet të miratoje deri në gusht aktet për votimin e shqiptarëve jashtë vendit. KQZ do duhet të veproje në kohë. Do duhet të jemi të vërtetë, parashikimi për votën e atyre që jetojnë jashtë vendit ka qënë në fuqi që në vitin 2020, por nuk është bërë efektiv për faktin se KQZ nuk miratoi aktet nënligjore. Ne do duhet të kemi garancinë e duhur që kësaj here KQZ, të veproje në kohë. Kjo është arritja më e madhe e kësaj që miratojmë sot.
Ndërkohë Reforma Zgejdhore duhet të vijojë gjatë muajve në vijim edhe me pjesët e tjera, që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE-ODIHR.
Reforma Zgjedhore/ Drafti i plotë i dakordësuar mes PS e PD, çfarë ndryshon dhe si do të votojnë emigrantët
Me draftin e siguruar nga Versus.al është konkretizuar marrëveshja që palët deklaruan të premten e kaluar. Projektligji i hap rrugën votës së emigrantëve që kanë një adresë vendbanimi. Vota e tyre do të sillet me postë në Tiranë. Emigrantët duhet fillimisht që të bë
jnë kërkesë elektronikisht që të votojnë, me qëllim që vota e tyre të cilësohet e vlefshme.
Drafti i plotë:
PROJEKTLIGJ
“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008 “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81 pika 2, dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI I
REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Neni 24 rifomulohet si vijon:
“Neni 24
Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë
KQZ-ja drejton, mbikëqyr dhe është përgjegjëse për procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin.
Të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, punësimi, studimi, kryerje të detyrave ushtarake apo arsye shëndetësore ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve.
Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi. Çdo organ shtetëror shqiptar dhe çdo ent tjetër shtetëror ose privat që përfshihet në këtë proces janë të detyruar të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë Kod dhe në aktet nënligjore që miraton KQZ-ja në zbatim të tij.
Rregullatori duhet të marrë vendim, me të paktën 4 vota “pro”, për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.
Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së brenda 90 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Neni 2
Neni 25 rifomulohet si vijon:
“Neni 25
Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë
Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me përcaktimet e bera në këtë Kod dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit dhe që janë të rregjistruar në Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.
Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje për Kuvendin sipas kritereve, procedurave dhe afateve të përcaktuara në këtë Kod dhe aktet normative të KQZ-së të nxjerra në përputhje me të, dhe janë të vlefshme vetëm për zgjedhjet për të cilat ato janë hartuar. Në çdo rast, KQZ dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ruajnë bazën e të dhënave të zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për çdo palë zgjedhje.
Rregjistrimi i zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së këtyre zgjedhësve fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date. Hapja e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë terrritorit të Republikës së Shqipëirsë njoftohet publikisht nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet.
Zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë pas hapjes së procesit të rregjistrimit nga KQZ aplikon në mënyrë individuale për rregjistrim në listën e këtyrezgjedhesve. KQZ krijon, mirëmban dhe përditëson platformën elektronike për rregjistrimin e kërkesave të zgjedhëve që dëshirojnë të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Zgjedhësi për rregjistrim në listë paraqet dokumentacion që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.Lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për rregjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit.
Adresa e shtetasit që voton nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mbështetet në një nga dokumentet që paraqet në KQZ, sipas pikës 5 të këtij neni. Të dhenat e identitetit të shtetasit kërkohen të verifikohen nga KQZ në Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe nese ato janë të njëjta behet nga DPGJC rregjistrimi në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile i adresës së shtetasit që voton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në nje rubrikë të veçantë.
Komisioneri Shteteror për Zgjedhjet, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh nga publikimi i saj të mund të kërkojnë rregjitrimin apo rregullmin e pasaktësive të rregjistrimit të tyre. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet 60 ditë para datës së zgjedhjeve miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 7 të këtij neni.
Kur zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë për rregjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose rregjistrimi i tij ka pasaktësi, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 7 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa, sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore. Gjykata e shqyrton dhe vendos në lidhje me kërkesën, sipas kësaj pike, brenda 24 orëve nga data e rregjistrimit të kërkesës, por jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit që i shtohet listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë i bashkëngjitet vendimi i gjykatës.
Shtetasit shqiptarë që janë rregjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së rregjistrimit sipas këtij neni, ç’rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit që shpallet sipas nenit 56 të këtij Kodi.
Në rastet e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme sipas nenit 9, pika 5, pika 6, pika 7 ose pika 8 të këtij Kodi, Rregullatori përcakton me akt normativ afatet kohore për listën e zgjedhësve dhe votimin e zgjedhësve me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas të njëjtave kritere dhe procedura që zbatohen për zgjedhjet e zakonshme.
Auditët teknicienë të miratuar sipas nenit 61 të këij Kodi kanë të drejtë të kryejnë verifikimin e veprimeve të realizuar nga KQZ për rregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Reepublikës së Shqipërisë. Detyrat dhe përgjegjësite konkrete të auditëve teknicienë dhe bashkëpunim i tyre me KQZ dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile përcaktohet me vendim të Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet.
Rregullatori miraton aktet e nevojshme normative nënligjore për përbërësit e listës së zgjedhësve jashtë vendit, dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, mënyrën dhe afatet e komunikimit me Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe eventualisht bazë tjetër të dhënash, si dhe modalitetet dhe rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj liste.
Komisioneri dhe Ministri përgjegjes për gjendjen civile, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcaktojnë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për ç’rregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në listën e zgjedhësve brenda vendit.”
Neni 3
Pas nenit 25 shtohet neni 25/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 25/1
Votimi nga jashtë territorit të republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor
Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit dhe dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga ajashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari, me përjashtim të zarfeve me fletë votimi të cilët kanë vulën e hyrjes ose çdo shënim tjetër për këtë gjë në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në orën 12.00 të datë së zgjedhjeve.
KQZ dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Në rast se KQZ përzgjedh ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit ky ofrues duhet të ketë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë, dhe zgjedhja e tij realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkrurtra që mundëson legjisalcioni për prokurimin publik.
Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ rregjistrohen ne një rregjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëtin moment që fillon numerimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse dhe vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Rregullatoripërcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezulatit zgjedhor sipas këtij neni.”
Neni 4
Neni 67 rifomulohet si vijon:
“Neni 67
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike
Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:
a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe
b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për cdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.
Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.
Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.
Kandidati për deputet, i rregjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një çdo tre emra të kandidatëve të listës së fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumëemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.
Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve. Kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë depozitohet në KQZ në rastet kur territori i njësisë së qeverisjes vendore nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme.
Kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.
Në zgjedhjet për këshillat bashkiakë një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje të kandidatëve të subjekteve zgjedhore duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.
Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi.”
Neni 5
Në nenin 124 në fund të pikës 1 shtohen këto fjali: “Kundër vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit sipas nenit 98 të këtij Kodi mund të bëhet ankim në KAS brenda 24 orëve nga shpallja e vendimit. KAS shqyrton dhe vendos për ankimin e paraqitur brenda 48 oreve nga depozitimi i tij.“
Neni 6
Në nenin 152 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje: “Kundër vendimit të KAS për përmbajtjen e fletës së votimit sipas nenit 124 të këtij Kodi mund të bëhet ankim nëKolegjin Zgjedhorbrenda 48 orëve nga shpallja e vendimit. Kolegji Zgjedhor shqyrton dhe vendos për kërkesëpadinë e paraqitur brenda 3 ditëve nga depozitimi i saj.“
Neni 7
Neni 162, pika 1, fjalia e dytë riformulohet si vijon:
“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.”
Neni 8
Neni 163 rifomulohet si vijon:
“Neni 163
Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës
Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor.
Kandidatët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese për secilin kandidat. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.
Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni.
Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi miratohet për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.”
Neni 9
Neni 183 shfuqizohet.
Neni 10
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Kryetare
Lindita Nikolla
Alibeaj: Drafti për Reformën Zgjedhore, sot po i dhurohet mandati i katërt Ramës
Deputeti opozitar i Komisionit të Ligjeve, Enkelejd Alibeaj, e ka cilësuar një pazar draftin për Reformën Zgjedhore të dakordësuar mes PS dhe PD.
Alibeaj tha se pazari është arritur në dy pika, mbylljen e listës me 30%, duke theksuar se kanë hequr edhe herësin 10 mijë vota. Po ashtu, pazari sipas Alibeajt është vota e emigrantëve, e cila sipas tij, nëse kryhet me postë mund të manipulohet. Alibeaj ka kërkuar që çdo emigrant të votojë n vendin ku është.
“Sot po i dhurohet mandati i katërt Ramës,” - ka thënë mes të tjerava Enkelejd Alibeaj.
Basha: Mbyllja e listave, pazari i radhës mes Ramës dhe Berishës
Lulzim Basha, e cilësoi votë të pazarit të rradhës mes Edi Ramës dhe Sali Berishës mbylljen e listave.
Përmes një postimi në rrjetin social FB. Basha u shpreh se dhe pak orë na ndajnë nga formalizimi me votë i pazarit të rradhës mes Edi Ramës dhe Sali Berishës për mbylljen e listave.
Në reagimin e tij në Facebook, Basha shkruan se ky është një puç Kushtetues kundër interesave të qytetarëve dhe për të mbajtur gjallë tranzicionin korruptiv, që pastaj ta kenë më të lehtë luftën e tyre kundër SPAK.
Komisioni i Ligjeve miraton draftin PS-PD për kodin zgjedhor, Alibeaj voton kundër
Në Komisionin e Ligjeve u miratua drafti i dakordësuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, në lidhje me Kodin Zgjedhor.
Nga 20 anëtarët e pranishëm, i vetmi që votoi kundër, ishte Enkeled Alibeaj.
Drafti për formulën e mandateve, parashikon që lista e kandidatëve për deputetë, të jetë e mbyllur në 1/3 e saj dhe e hapur në 2/3.
Përcaktohet mënyra se si do të votojnë emigrantët, formula se sa deputet i zgjedh kryetari dhe sa votuesit
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord për votën e emigrantëve, lista të hapura, heqjen e pragut prej 7 mijë votash dhe një prag kombëtar prej 1 për qind.
Me draftin e siguruar nga Versus.al është konkretizuar marrëveshja që palët deklaruan të premten e kaluar. Projektligji i hap rrugën votës së emigrantëve që kanë një adresë vendbanimi. Vota e tyre do të sillet me postë në Tiranë.
Emigrantët duhet fillimisht që të bëjnë kërkesë elektronikisht që të votojnë, me qëllim që vota e tyre të cilësohet e vlefshme.
Sipas draftit që e gjeni më poshtë, varianti që palët kanë rënë dakord në negociata për listat është 1/3 e mbyllur dhe 2/3 e hapur.
Argumenti që kanë sjellë për këtë vendim është ruajtja e kuotave gjinore.
"Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:
a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe
b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjesëtuar për tre.
Në rast se nga ky pjesëtim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.
Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.
Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës
Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor.
Kandidatët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese për secilin kandidat. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.
Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni.
Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi miratohet për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS”, thuhet në dokument.
Sa i përket pikës që ndante dy partitë ishte mënyra se si do të ndahen mandatet. Socialistët kishin si kusht vendosjen e një pragu 7 mijë vota për të thyer herësin, ndërkohë që demokratët kërkonin lista 100% të hapura.
Ndërkohë, PS ka hequr dorë nga pragu 7 mijë vota, ndërkohë që demokratët kanë pranuar që 1/3 e listës në çdo qark të jetë e mbyllur.







