MAGAZINË /

Elvis Kuka, shefi shqiptar që po 'pushton' gastronominë italiane me talentin dhe pasionin e tij

Shefi shqiptar Elvis Kuka po shkëlqen në Itali, duke mahnitur edhe emra të njohur si Joe Bastianich me talentin dhe pjatat e tij autentike në “Tufo Grill” në Siena. Një histori suksesi që tregon fuqinë e pasionit dhe punës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Shkruar nga Versus
Elvis Kuka, shefi shqiptar që po 'pushton' gastronominë
Elvis Kuka

Shqiptarët po shkëlqejnë çdo ditë e më shumë në arenën ndërkombëtare, duke lënë gjurmë të forta në fusha të ndryshme dhe një ndër historitë më frymëzuese vjen nga bota e gastronomisë.

Elvis Kuka është sot një nga emrat më të spikatur që po ngre lart flamurin shqiptar në Itali, duke fituar vlerësime të jashtëzakonshme për talentin dhe pasionin e tij në kuzhinë.

Shefi shqiptar, i cili drejton restorantin “Tufo Grill” në Piazza del Campo, në zemër të Sienës, ka arritur një tjetër moment kulmor në karrierën e tij.

Së fundmi, ai ishte pjesë e një eksperience të veçantë kulinare ku mirëpriti dy figura të mëdha të gastronomisë italiane dhe ndërkombëtare: Joe Bastianich, sipërmarrës i njohur dhe personalitet televiziv, si dhe Benedetta Parodi, gazetare dhe autore e suksesshme librash gatimi.

Të ftuarit specialë patën mundësinë të shijonin një nga pjatat më të veçanta të përgatitura nga shef Kuka – “pici al cinghiale”, një specialitet tradicional toskan me makarona artizanale dhe mish derri të egër.

Shija autentike, teknika e rafinuar dhe prezantimi elegant i pjatës i lanë ata të mahnitur, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e lartë të kuzhinës që ai përfaqëson.

Historia e Elvis Kukës është një rrugëtim frymëzues suksesi.

I larguar nga Shqipëria në fund të viteve ’90, ai ka ndërtuar me përkushtim dhe punë të palodhur një karrierë solide në disa nga restorantet më të njohura të Sienës, për të arritur sot në majat e gastronomisë italiane./Versus.al

 

Tags:

elvis kuka

Poll