
Një lajm i trishtë ka tronditur së fundmi botën e futbollit shqiptar pasi ish-lojtari i Lushnjës dhe Egnatias, nigeriani James Ayinde u nda nga jeta në moshën 24 vjeçare.
I riu nuk arriti ta fitonte betejën e vështirë me sëmundjen e rëndë. Prej vitesh trajtohej për kancer në veshka. Lajmin e ndau me dhimbje kapiteni i Lushnjës, Mikel Canka. Klubi i futbollit të Lushnjës reagoi për lajmin e trishtë duke shprehur vlerësimin për kujtimet që la Ayinde në skuadër.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-lojtarit tonë, James Ayinde. Ai veshi me krenari fanellën e Lushnjës, duke dhënë kontributin e tij dhe duke lënë kujtime të paharruara te tifozët dhe komuniteti sportiv lushnjar. Do të kujtohet për përkushtimin, pasionin dhe shpirtin luftarak në çdo ndeshje”, thuhet në reagimin e klubit.

James Gbenga Ayinde ishte pjesë e Egnatias që në verën e vitit 2022, kur fitoi edhe Kupën e Shqipërisë me rrogozhinasit. Pas Egnatias, ai u huazua edhe për një sezon me Lushnjën, ku luajti 24 ndeshje dhe shënoi shtatë gola. Versus.al

