Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ilir Meta ka shkuar sot në SPAK, ndërsa është pyetur në lidhje me hetimet që janë nisur ndaj tij. Ai ka sulmuar kreun e SPAK, Altin Dumanin duke e quajtur vegël të Edi Ramës. *Pas rreth 3 orësh pyetje, Meta ka deklaruar se është pyetur në cilësinë e kundërshtarit të narkoregjimit. Ai u shfaq shumë i acaruar. *Menjëherë më pas ka mbajtur konferecë për shtyp ku ka deklaruar se me çështje financiare është marrë bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi dhe se nuk ka dijeni për asgjë. *Ai gjithashtu u shpreh se është pyetur dhe për njerëz e levizje financiare të cilat i ka konsideruar ‘përralla me laraska’
‘Me financat merrej Monika’, a po ia kalon bashkëshortes përgjegjësitë? Përgjigjet Ilir Meta

Gjatë fjalës së tij në konferencën e sotme për shtyp, Ilir Meta ka ‘spostuar’ përgjegjësitë e veta në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj çiftit Meta-Kryemadhi.
Ai deklaroi se është pyetur sot në SPAK për shumë lëvizje financiare në llogaritë e tyre duke u shprehur se nuk është marrë asnjëherë me këtë çështje, pasi është jashtë sferës së interesave të tij. I pyetur nëse po e delegon ‘fajin’ tek bashkëshortja e tij, ai deklaroi:
Unë nuk fajësoj askënd, unë them që në veprimet e mia kam qenë në respekt të plotë të ligjit dhe zonjës Kryemadhi e cila administronte çdo çështje të shtëpisë, sepse janë çështje jashtë interesit tim.
'Ke marrë dhuratë palma, a e njeh Elenën?'/ Ilir Meta tregon se për çfarë u pyet në SPAK
I pyetur për çfarë ka dëshmuar për rreth tre orëve në spak, Ilir Meta ka renditur të gjithë arsyet në një konferencë për gazetarët.
Meta: Seanca e sotme ishte një turp. Të pyesësh Ilir Metën për Alberto Rancinin. Çfarë është ky emër? Jo nga përgjimet del se para 10 vitesh të ka bërë palma dhuratë në kompleksin e Gjirit të Lalzit. Alberto e luleve mo i thashë. Po shkoni dhe shikoni taman. I solli për dekor dhe I mori prap ditën tjetër me vete. A ke dhënë ti leje për kompleksin Lura në Gjirin e Lalzit që I ka dhënë zhvillim gjithë zonës së Lalzit. Po në kohën e Ilir Metës a ka ndonjë që ka kërkuar leje për të ndërtuar fshat turistik që nuk ka marrë leje. Duhej të ikje me kal në atë kohë në Gjirin e Lalzit se me makinë nuk shkohej. Dhe unë kur kam vajt që kam përuruar këtë kompleksin kam vajtur me helikopter sepse duhej të ikja në SHBA në aeroport dhe nuk më dilte koha se donte katër orë të shkohej atje. Si mund ti thuash ti Ilir Metës a e njeh ti Elenën. Po kush është Elena? Po ja ajo punonjësja e LSI e financës. Po e njoh, ka ik padorëzuar detyrën, po patë mundësi i thoni të vij të dorëzoj detyrën se ka pas detyrë të rëndësishme. Të ka dhënë ty Elena 5000 dollarë në vitin 2006. Mua Elena të më jap? Elena nuk kishte si të më jepte mua se merret rrogën tek LSI. Epo janë në një numër llogarie që e ke ti bashkë me bashkëshorten tuaj. Shkoni pyesni atë I thashë. Ke taku Palmerin. Po e kam takaur 200 herë. Po si u bë takimi? Shkoni pyesni Palmerin.
VIDEO/ Siç nuk e keni parë kurrë, Meta shpërthen ndaj Dumanit, shoqëruesi i kap krahun për ta larguar nga gazetarët

Kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta u shfaq tepër i acaruar teksa fliste para gazetarëve pasi qëndroi për më shumë se 3 orë në ambientet e SPAK.
Por çfarë solli habi është mënyra e sjelljes së shoqëruesve të tij teksa Meta fliste me zell para gazetarëve duke vijuar akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit.
Në pamje shfaqet momenti kur një prej shoqëruesve tenton ta tërheqë Metën për krahu duke e larguar nga mediat.
Pasi u largua nga gazetarët Meta u drejtua drejt selisë së PL ku mbajti një konferencë mbi sipërmarrjen. Versus.al
Meta del nga SPAK pas 3 orësh, akuza Dumanit: U pyeta si kundërshtar i narko-regjimit

Tiranë- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u paraqit sot në SPAK ku qëndroi për rreth 3 orë e 30 minuta. Para se të hynte në SPAK, Meta foli për gazetarët, para të cilëve nuk ngurroi të sulmonte dhe fyente kreun e SPAK, Altin Dumani.
Të njëjtën metodë ndoqi edhe pasi doli nga dyert e Prokurorisë së Posaçme duke thënë se ishte marrë në pyetje si kundërshtar i narkoshtetit, pa dhënë detaje nëse është pyetur mbi çështjen CEZ-DIA, lobimin me 300 mijë euro në SHBA apo hetimin pasuror ndaj tij e bashkëshortes Monika Kryemadhi.
Ai vijoi me akuzat ndaj Dumanit duke thënë se ky i fundit, ka si mision shkatërrimin e opozitës me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“U pyeta si kundërshtar i narkoshtetit. Këtë do Dumdumani, këtë detyrë i ka caktuar Rama. Ne do shkojmë atje te sipërmarrja që po shkatërrohet nga Edi Rama si kundërshtar i narkoregjimit që kërkon të mbahet me dumdumanin tuaj që bën akte kriminale kundër opozitës për të shpëtuar Edi Ramën”- u shpreh Meta.
Një ditë më parë, në SPAK u paraqit edhe bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi e cila ndryshe nga Meta u distancua nga sulmet ndaj kreut të SPAK. Kryemadhi qëndroi në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për rreth 5 orë. Dyshohet se është pyetur rreth hetimeve për pasurinë e saj dhe të familjarëve të saj. Versus.al
Pas Kryemadhit edhe Meta në SPAK, sulmon kreun e Prokurorisë: Po iki të takoj Dumdumanin

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Kjo është hera e tretë që Meta paraqitet në SPAK ndërsa më herët ka qenë për çështjen e aferës CEZ-DIA dhe hetimin pasuror që është nisur ndaj tij dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.
“Po shkoj te dumdumani i cili nuk guxon t’ja përmendë emrin Edi Ramës dhe nuk guxon të hapë çështjen McGonigal”- u shpreh Meta teksa hynte në ambientet e SPAK.
Ditën e djeshme në SPAK u paraqit Kryemadhi e cila qëndroi për më shumë se 5 orë dhe u mor në pyetje lidhur me hetimin pasuror ndaj saj ku përfshihen operacione plastike të shtrenjta që ajo dhe familjarët e saj dyshohet se kanë kryer në klinika të shtenjta. Po ashtu një prej çështjeve që SPAK po heton është ajo e pagesës prej 300 mijë eurosh për lobimi të ish-LSI në SHBA. Pavarësisht fyerjeve që Meta ka bërë vazhdimisht ndaj kreut të SPAK, Kryemadhi tha se distancohej nga akuzat e bashkëshortit të saj. Versus.al








