Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryetari i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi ka dalë sot në një konferencë për mediat në kuadër të mbylljes së sesionit parlamentar që mbyllet me seancat plenare që do të mbahen të enjten dhe të premten në Kuvend. *Ai foli për ligjet e kaluara gjatë këtij sesioni parlamentar, duke veçuar atë për Zonat e Mbrojtura. *Për projektligjin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Çuçi u ndal më së shumti në votën e diasporës për të cilën tha se është arritur konsensusi me opozitën gjatë diskutimeve në grupin e dialogut politik. *Sa i takon pyetjes për mandatin e Xhaçkës, të cilin Gjykata Kushtetuese kërkon ta marrë në shqyrtim por nuk mund ta bëjë pa u votuar nga Kuvendi, Çuçi tha se deputetët mund të votojnë sipas dëshirës së tyre dhe se gjykata nuk mund t’ua detyrojë diçka të tillë. Në përfundim, kreu i grupit të socialistëve u shpreh se çështja do t’i dërgohet Komisionit të Venecias për të marrë një opinion pasi sipas tij, është krijuar një konflikt kushtetues. *Nuk u shpëtoi as pyetjeve të tjera politike rreth kandidaturës së Tavoës në Himarë për të cilën nuk u përgjigj dhe për marrjen nën hetim të deputetit Plarent Ndreca, çështje për të cilën tha se duhej të merrej informacion nga SPAK. Në këtë kuadër, Çuçi I doli në mbrojtje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt përkundër akuzave të bëra nga opozita për të. Çuçi e cilësoi Veliajn si “kreybashkiakun më të mirë që ka pasur Tirana dhe PS”.
Çuçi "merr në mbrojtje" Veliajn: Kryebashkiaku më i mirë që ka pasur Tirana, s'e bën pis asnjë lloj balte

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi nuk i ka kursyer elozhet për kryebashkiakun e Tiranës, Ertion Veliaj përkundër akuzave që opozita bën vazhdimisht ndaj tij të cilin e cilëson si organizator të skemës korruptive “5D” ku arrestuan drejtorë të bashkisë të cilët përvetësuan tendera publikë nëpërmjet kompanive të ngritura prej tyre.
Çuçi e cilësoi Veliajn si “kryebashkiakun më të suksesshëm që ka pasur Tirana dhe PS”, duke theksuar mbështetjen absolute të grupit socialist ndaj tij.
“Erion Veliaj është kryetari i bashkisë me i suksesshëm që ka pasur Tirana dhe PS në këto vite. Transformimi historik i Tiranës është një realitet që nuk mund ta bëjë pis asnjëlloj balte që mund të hidhet mbi figurën e kryetarit. Ne jemi të nderuar që kemi zgjedhur nga gjiri i jonë apo nga pjesa jonë një kryetar bashkie që nderon jo vetëm Tiranë po përtej Shqipërisë, çdo socialist apo çdo tirons, me vepra dhe jo me fjalë. Çështjet e tjera janë çështje që lidhen me sektorët ligjzbatues. Grupi i PS i jep mbështetjen absolute Veliajt.”- u shpreh Çuçi duke nënvizuar se nuk e kishte përfshirë periudhën e drejtimit të bashkisë nga Rama.
Gazetarët: Edhe më shumë se Rama?
Çuçi: Jo në këto vite thashë... që kur qeverisim së bashku dhe në nivel qendror dhe lokal
Javë më parë, Veliaj u paraqit në SPAK ku qëndroi për rreth 7 orë, ndërsa kur doli para mediave tha se kishte sqaruar detaje rreth çështjes së inceneratorëve duke mohuar që të jetë pyetur si person nën hetim. Së fundmi, opozita ka intensifikuar protestat ku kërkohet dorëheqja e Veliajt nga posti i kreut të bashkisë, duke e akuzuar këtë të fundit si përgjegjës për skemën korruptive “5D” dhe inceneratorin e Tiranës. Versus.al
“Diaspora”, Bledi Çuçi zbulon ku do të numërohen votat e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit

Votat e emigrantëve shqiptarë do të numërohen në ambientet e KQZ sipas qarqeve ku janë rezidentë. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi lidhur me detajet e votës së diasporës në projektligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Çuçi tha se sa i takon detajeve për mënyrën sesi do të realizohet vota e diasporës, janë pranë një konsensusi me deputetët e opozitës gjatë diskutimeve që kanë patur në grupin e dialogut politik.
“Grupi i dialogut ka pasur diskutime. Me gjithë diferencat që kemi patur me opozitën lidhur me sistemin që do përdorim për adresimin e të drejtës së emigrantëve për të votuar aty ku jetojnë, më vjen mirë t’ju them se po gjejmë një dakordësi për këtë çështje. Draftin tonë e kemi bërë publik dhe sa i takon votës së diasporës formula jonë është e qartë, do votohet me postë, me postën shqiptare apo me postën të caktuar nga vetë KQZ. Do duhet një adresë e saktë e emigrantëve pasi do dërgohet zarfi tek personi. Vota do numërohet aty ku ka rezidencë në Shqipëri, emigranti shqiptar. Këtu kemi pasur konsensus me opozitën. Besoj se jo vetëm emigrantët që nuk janë të legalizuar, besoj do arrijmë në një variant të përbashkët lidhur me këtë gjë”- tha Çuçi.
Më tej ai bëri me dije se përsa i takon formulës së herësit për kandidatët që do garojnë në listat për deputetë, po vijojnë negociatat me opozitën dhe nëse ka një konsensus, do të votohet projektligji që do të paraqitet të premten në Kuvend.
“Lidhur me herësin ka pasur diskutime me qëllim arritjen e konsensusit, por të gjitha do shkojnë drejt një formule që garanton qartë formulën e Kushtetutës. Vazhdojnë negociatat edhe në këto orë, ka mbledhje komisioni i Ligjeve ku do adresohen përfundimet që kanë pasur nga këto diskutime me shpresë që të ketë konsensus. Do ezaurojmë diskutimet brenda komisionit të ligjeve dhe nëse e ezaurojmë e fusim në seancën e së premtes”- u shpreh më tej kreu i grupit parlamentar të PS.
Më herët, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi tha se do të merren të gjitha masat në mënyrë që forcat politike të mos kenë asnjë pretendim lidhur me shkelje gjatë procesit të votimit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Projektligji me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pritet të hidhet për votim në seancën plenare që nis nesër në Kuvend dhe do shtrihet edhe përgjatë të premtes. Versus.al
Urdhri i “Kushtetueses” për mandatin e Xhaçkës, Çuçi: Votojmë si të na thotë mendja, s'na detyron dot

Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi i pyetur për urdhrin e Gjykatës Kushtetuese për të dërguar në seancë shqyrtimin e mandatit të Olta Xhaçkës si deputete, tha se deputetët nuk mund të detyrohen për këtë gjë dhe se secili prej tyre voton në mënyrë të pavarur.
Ai tha se në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese po tenton të krijojë një praktikë të re ligjore, të cilën sipas tij nuk ia lejon kushtetuta.
“Çështja e raportit të Kuvendit më GJK është raport që e përcakton qartë Kushtetuta. Gjykata ka fuqinë të shfuqizojë çdo akt të marrë nga Kuvendi nëse e gjykon se është në kundërshtim me kushtetutën dhe është ajo interpretuesja e fundit e Kushtetutës. Ka pasur vendim që ka shfuqizuar dy vendime të marrë nga Kuvendi dhe Kuvendi as nuk e diskutoi këtë vendim por i shfuqizoi .Në rastin konkret është krijuar një paqartësi lidhur me faktin nëse do duhet që një deputet apo të gjithë duhet të votojnë në një formë të caktuar të detyruar jo nga vullneti i deleguar nga zgjedhësit apo jo. Ky është debat që nuk ka gjetur trajtim as nga vendimi i GJK. Në gjykimin tonë Kushtetuesja ka tentuar të krijojë normë të re kushtetuese, gjë që nuk ia lejon kushtetuta. Sepse ajo vetëm verifikon nëse normat ekzistuese janë në përputhje. Fakti që një vendim i caktuar në momentin që vjen në Parlament për t;u votuar, vullneti është krejtësisht i sovranit, pra i deputetit që ka një pavarësi për të votuar si ta gjykojë. Madje Kushtetuta thotë që deputeti nuk mban as përgjegjësi për votën e tij. Në asnjë rast nuk mund t’i imponohet deputetit sesi të votojë. Do votoj si të ma dojë mendja mua, ma lejon kushtetuta.”- tha Çuçi.
Gjatë konferencës për gazetarët, Çuçi foli edhe për ligjet e kaluara gjatë këtij sesioni parlamentar duke vënë theksin tek Ligji për Zonat e Mbrojtura, gjë që sipas tij jep mundësinë e ruajtjes së këtyre zonave por edhe të modernizimit të tyre. Ai foli gjithashtu edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe votën e diasporës. Versus.al







