Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një aksident i frikshëm ka ndodhur rreth orës 23:50 të mbrëmjes së djeshme në aksin Fushë Krujë- Vorë pranë zonës së quajtur Fushë-Prezë, ku 4 të rinj kanë humbur jetën. *Të rinjtë po udhëtonin me mjetin tip “Benz”, kur u përplasën me betonieren e parkuar në rrugë. Makina e 4 të rinjve shpërtheu në flakë dhe asnjëri prej tyre nuk arriti të dilte prej mjeti. *Për pasojë humbën jetën vëllezërit Enejdi dhe Erild Laçi, 25 dhe 20 vjeç si dhe Erikejd Kurti 24 vjeç dhe Andi Laçi 22 vjeç. *Makina zjarrfikëse nga Kamza mbërriti në vendngjarje, por nuk arriti të shpëtonte asnjërin prej të rinjve. Ndërsa më pas policia arrestoi edhe Mariglen Krashin, shoferin 25 vjeçar të betoneres së parkuar. Fillimisht ai u largua nga vendngjarja, për t’u arrestuar pak momente më pas.
Aksidenti me 4 viktima në Fushëprezë, 3 persona të arrestuar, 1 tjetër në kërkim
Policia e Tiranës ka dhënë detaje mbi aksidentit tragjik të ndodhur mëngjesine sotëm në Fushë-Prezë ku humbën jetën 4 të rinj.
Sipas njoftimit të uniformave blu, është arrestuar drejtuesi i betonierës, Aleksandër Krrashi, 24 vjeç për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
24 vjeçari sipas policisë përveç që nuk kishte lejen e drejtimit për këtë kategori mjetesh nuk ka zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor, duke e ndaluar betonierën në karrexhatë pa ndezur bllokazhin.
Nisur nga kjo drejtuesi i mjetit 'Mercedes Benz' që dyshohet se ishte me shpejtësi ka goditur betonierën dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit 24 vjeçari është larguar nga vendngjarja.
Ndërsa i afërmi i Krrashit shtetasi me incialet V.K është arrestuar pasi pas aksidentit e ka larguar nga vendi i ngjarjes, 24 vjeçarin.
Gjithashtu policia ka arrestuar dhe menaxherin e firmës për prodhimin e betonit ku ishte i punësuar 24 vjeçari. Ndërsa është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme shtetasi S. H., 27 vjeç.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë - Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;
-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;
-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.
-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Versus.al
Humbën jetën në përplasjen e frikshme, publikohen FOTO-t e 3 prej viktimave

Janë publikuar fotot e tre prej 4 të rinjve që humbën jetën në aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fushë Prezë.
Në fotot e publikuara nga media, janë dy vëllezëit Enejd dhe Erild Laçi dhe Erikejd Kurti. Mjeti tip “Benz” ku ndodheshin të rinjtë, u përplas me një betoniere dhe për shkak se ishte benzinë-gaz pati edhe një shpërthim të fuqishëm në flakë.
Dyshohet se përplasja ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë me të cilën qarkullonte mjeti i drejtuar nga 25 vjeçari Enejd Laçi. Versus.al
Aksidenti me 4 viktima në Fushë-Prezë, dalin emrat e 4 të rinjve që u shkrumbuan në mjet! Dy prej tyre vëllezër
Janë bërë publike emrat e të 4 të rinjve të moshave nga 20 deri në 25 vjeç, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur pak minuta para mesnatës të djeshme në Fushë-Prezë.
Të vdekur kanë mbetur vëllezërit Enejdi dhe Erild Laçi, 25 dhe 20 vjeç si dhe Erikejd Kurti 24 vjeç dhe Andi Laçi 22 vjeç.
Aleksandër Krashi, shoferi i betonieres me të cilën u përplas makina e të rinjve që u dogjën brenda mjetit, u largua nga vendngjarja, por policia arriti ta arrestonte pak momente më vonë për ta shoqëruar në komisariat ku po kryhen veprimet e mëtejshme. Versus.al
Aksident tragjik në Fushë-Prezë, vd*sin 4 të rinj! Makina e tyre u përplas me betonieren dhe u shkrumbua

Tiranë- Një aksident shumë i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:50 në Fushë Prezë ku 4 të rinj kanë mbetur të vdekur.
Makina me të cilën ata udhëtonin, u përplas me betonieren e parkuar dhe më pas shpërtheu totalisht. Të rinjtë nuk arritën të dilnin nga mjeti dhe për pasjë u shkrumbuan nga flakët.
"Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç"- njofton policia.
Zjarrfikësja mbërriti nga Kamza, por fatkeqësisht nuk mundi të shpëtonte asnjë prej personave. Shoferi 24 vjeçar i betonieres së parkuar, u shoqërua për në polici pasi u largua nga vendngjarja ku ndodhi aksidenti.
Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të tragjedisë. Versus.al







