Çfarë do të gjeni në brendësi
*Parlamenti ka miratuar me 106 vota ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pas një marrëveshjes mes PS-së dhe PD-së. 2 deputetë kanë votuar kundër këtyre ndryshimeve, duke shprehur edhe kundërshtinë e tyre. *Sot Kuvendi zhvillon seancën maratonë, të fundit për këtë sesion parlamentar ku pritet të votohen edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor të drafit të dakordësuar mes PS dhe PD. *Në kuadër të draftit për Kodin Zgjedhor, deputetet gra të Kuvendit dorëzuan një amendament për ndryshim në projektligjin që do votohet sot, ku faktikisht mbyllen dhe më shumë listat për deputetë duke kërkuar që 1/3 e kandidatëve që zgjidhen nga populli, të jetë grua edhe nëse ka më pak vota se deputët burra. Pjesë e rendit të ditës janë edhe diskutimet dhe votimi i projektligjeve për ndryshimin e akcizës, policinë e shtetit dhe prodhimin e municioneve. *Diskutimet nisën me vënien në dukje të mungesës së kryeministrit Edi Rama i cili ndodhet në Paris ku sot nisin Lojërat Olimpike. Deputeti Edmond Spaho tha se kreu i qeverisë duhet të fokusohet më shumë në problemet e vendit dhe jo shqetësimet “globale”. *Gjatë seancës nga deputeti Asllan Dogjani u hodh sugjerimi që votimi për Kodin Zgjedhor të dakordësuar mes PS e PD të bëhet i fshehtë. Kjo u kundërshtua nga kolegia e tij Flutura Açka e cila tha se shqiptarët duhet të shohin se kush po i tradhëton. * Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka lexuar raportin e tij në lidhje draftin që do të votohet sot në Kuvend pas ndryshimeve të bëra në Kodin elektoral duke deklaruar se ky kod parashikon çdo rekomandim dhe detyrim që vjen nga Kushtetuta e Shqipërisë. “Në vitin 2021 me formulën që kishim, vetëm 3 kandidatë thyen herësin, me formulën e propozuar janë 40 mandate të hapur. Dhe me skenarin kur listat janë krejt të hapura, vetëm 34 mandate do të kishte lëvizje duke mos llogaritur garancitë gjinore. Po të llogariteshin kuotat gjinore në lojë do të ishin 22 mandate.’ u shpreh Gjiknuri. * Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane ka shpërthyer në Kuvend gjatë diskutimeve për votimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në draftin e dakordësuar mes PS dhe PD. Ai tha se me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, 90% e listave janë të mbyllura duke i lënë mundësinë kryetarit të caktojë kandidatët dhe duke mos lejuar që të ketë rigjenerim të Kuvendit me figura të reja. * Ndryshimet që pritet të votohen sot në Kodin Zgjedhor me ndryshimet e dakordësuara mes PS dhe PD kanë ngjallur reagime të shumta në Kuvend. Deputetët demokratë më së shumti kanë shprehur kundërshtitë e tyre për projektligjin. Ndër ta ka qenë edhe deputeti Bujar Leskaj i cili tha se me listat e deputetëve dëmtohet akoma më rëndë demokracia brenda partive politike. *Janë shkëmbyer batuta mes deputetit socialist Damian Gjiknurit dhe deputetit demokrat Dash Sula gjatë diskutimeve për draftin e Kodit Zgjedhor. *Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka folur me gjuhë të ashpër në parlament ndërsa po diskutohet drafti për Kodin e ri Zgjedhor. Ai është rikthyer në ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, kohë ku përzgjedhjen e kandidatëve e mori 'ekskluzivitet' Kryetari i Partisë duke deklaruar se nga 2009 e pas, PD nuk ka mundur më të fitojë asnjë palë zgjedhje. *Për Bashën, Kryetari i Partisë së demokratëve euroatlantikë, zgjedhjet janë shitur pa filluar ende, me formulën e dakordësuar ditën e djeshme. *Dashamir Shehi thumboi dhe protestat e deputetëve të grupimit të Sali Berishës në Parlament duke u shprehur se e gjitha kjo paska qenë për këtë draft zgjedhor.
Rrëzohet amendamenti i Bashës, deputeti akuzon: Po ia fusni vetes dhe do ta hani keq!
Deputeti Lulzim Basha foli pak minuta para vendimit të amendamentit të tij, që parashikonte që në zgjedhjet e ardhshme, partitë politike duhet të shkonin me lista të hapura, i cili u rrëzua me shumicë votash
“Të nderuar bashkëqytetarë, edhe amendamenti që iu kam paraqitur, ka të njëjtin qëllim si amendamenti i sapo hedhur poshtë i paraqitur nga një grup deputetësh dhe i prezantuar nga Mediu.
Me pak fjalë, amendamenti mundëson që forcat politike që kështu dëshirojnë, të garojnë me lista 100% të hapura, siç është aktualisht edhe për pak minuta. Por, më është thjeshtuar goxha puna nga sjellja që sapo pamë e kartonëve në këtë sallë, sepse siç iu thashë paradite, pazari është mbyllur, jo sot.
Pazari është mbyllur me 12 shtator të vitit 2021 dhe ka përthithur brenda vetes, pazari i Edi Ramës me Sali Berishën, një nga një shumicën dërrmuese të deputetëve këtu në sallë.
Për të gjitha, pa diskutim. Edhe për kullat, edhe për oligarkët, edhe për mediat. Megjithatë, unë nuk e bëj këtë për asnjë motiv personal. Shifrat flasin vetë, ndaj… nuk e bëj sigurisht as për fatin tuaj personal, edhe pse një pjesë prej jush, kjo do të thotë t’ia fusni vetes dhe do ta hani keq. Dhe për shumëkënd, e keni ‘meritue’. Por në lojë është diçka më e madhe. Dhe këtë që po bëni sot, po çimentoni pushtetin personal të një njeriu të vetëm. S’ka rëndësi se si quhet, quhet Edi Rama. Po çimentoni pushtetin e tij personal, në bashkëpunim dhe me ndihmën e Sali Berishës, jeni nisur t’i dhuroni mandatin e katërt.
Dhe së dyti po tregoni që s’keni mësuar asgjë, ose që s’doni të mësoni asgjë. Ju kam paralajmëruar që të mos votoni amnistinë. Mos t’i besoni sharlatanëve, se po ju gënjejnë kur ju thoshin që nuk do të liroheshin të korruptuarit e Edi Ramës. Kështu është dhe e votuat.
Liruat, siç iu tha Dumani, 117 të korruptuar të Edi Ramës me votat tuaja. Mbajtët për turpin tuaj protestuesit e Partisë Demokratike. Pra u bëtë një me Ramën, më keq. Ai ka të korruptuarit e tij të paktën. Po ju pse i bashkuat votat me të?
Disa prej jush, thanë se votuat se nuk e dinit. Tani nuk ka më justifikim. Nuk ka më ‘nuk e dija’. Ndaj, ky është shansi i fundit që mos ta votoni këtë gërmadhë me shpresën se do të çukisni diçka edhe ju. Ky është me të vërtetë dhe prej ca kohësh fundi i Republikës. Është fillimi i një nate të zezë, ku politika ndalon së qeni një instrument për të ndryshuar gjërat për mirë dhe kthehet në një zgjedhë në duart e kryeministrit dhe ish-kryeministrit dhe oligarkëve të tyre.
Dhe ju ktheheni në konkubinat e tyre, qenie të marra rob që paguheni për shërbimet tuaja. Me çfarë fytyre do i dilni përballë demokratëve që i premtuat se për gjashtë muaj do të hidhnit poshtë Edi Ramën?”, tha Basha.
30% e zonja në Kuvend, miratohet amendamenti i deputeteve
Amendamenti i deputeteve që kërkonin që edhe në pjesën e hapur të listës, të sigurohet që ⅓ e atyre që do të shkojnë në Parlament të jenë gra, u miratua në Kuvend.
Amendamenti kishte bashkëfirmëtare Lindita Nikollën, ministren Elisa Spiropali, deputeten e PS-së, Etilda Gjonaj dhe deputetet demokrate Albana Vokshi dhe Dhurata Çupi.
Miratohet me 106 vota pakti mes PS-PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, 2 deputetë kundër. Në 2025-n votojnë dhe emigrantët
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, shqiptarët do të votojnë me një kod të ndryshuar zgjedhor, të miratuar me 106 vota. Dy deputete kane dale kunder.
Risia e këtij kodi është mundësia e shqiptarëve që jetojnë jashtë, për t’u bërë pjesë në zgjedhjes të përfaqësuesve në parlament, duke hedhur votën e tyre me postë.
Ndërkaq debati për listat e deputetëve ka vazhduar edhe pas votimit në parim, ku shumica mendon se janë hapur listat dhe deputetë të ndryshëm janë shprehur se, listat janë mbyllur.
Miratimi ne parim:
Miratimi me 105 vota pro në parim dhe ato kundra të Alibeajt, Bashës, Sulës, Jakupllarit, Bakiut, Shehit, Dukës e Mediut, do të thotë se me formulën e re për shpërndarjen e mandateve dy partitë e mëdha PS-PD ndryshe nga sa premtuan, forcuan vullnetin e kryetarit në hartimin e listës pasi plot 100 deputetë do emërohen prej tyre.
Diskutimet e këtyre ndryshimeve u shoqëruan me debate e kundërshti.
Përlotet Lindita Nikolla, jep dorëheqjen nga kryetare e parlamentit: Një situatë shëndetësore ...
Lindita Nikolla ka dhënë dorëheqjen nga kryetare e parlamentit.
Me një fjalë në fund të mbylljes së së seancës, Lindita Nikolla është përlotur kur ka dhënë lajmin e tërheqjes së saj, duke u shprehur se, këtë vendim e ka marrë për shkak të një situate shëndetësore të saj.
Fjala e plotë e Lindita Nikollës
E mora fjalën në fund të këtij sesioni të gjashtë të legjislaturës X-të të Kuvendit të Shqipërisë, për të ndarë me të gjithë ju një informacion që në respekt të institucionit besoj se duhet ta jap duke ju parë në sy. Të dashur kolegë të maxhorancës parlamentare dhe të respektuar kolegë të opozitës parlamentare! Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon.
Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti. Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë. Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im. Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkoj ndjesë.
Nëse në momente të caktuara, aspak të lehta, kur kjo sallë ka përjetuar situata të palavdërueshme konflikti, kam qenë e detyruar të marr anën e arsyes dhe rregullores së këtij Kuvendi, këtë nuk e kam bërë si palë po si e para mes 140 të barabartëve.
Fatmirësisht, përtej akteve të politikës teatrale këtu në këtë sallë, ku kam marrë edhe ndonjë sulm të pamerituar verbal, nga puna jashtë kamerave më mbetet ndjesia e mirë e respektit që më keni dhënë që të gjithë ju. Ju falenderoj të gjithëve dhe shpresoj që të gjithë të keni të njëjtën mbresë nga unë.
Dua të falenderoj të gjithë administratën e Kuvendit për punën e madhe që bën çdo ditë në mbështetje të veprimtarisë parlamentare. Dua të falenderoj të gjithë punonjësit e shërbimeve mbështetëse për përkushtimin e tyre në punë.
Dua t’ju uroj megjithë zemër të gjithëve ju që të keni motivimin, angazhimin e shëndetin e plotë për të vazhduar misionin fisnik të përfaqësimit të shqiptarëve. Po e mbyll me lutjen që të mos spekulohet politikisht me këtë largim timin të padëshiruar, por të pashmangshëm, sepse besoj që nuk ka asgjë më njerëzore, se sa pamundësia që më detyroi të ndërmarr këtë hap.
Shumë faleminderit me mirënjohje të thellë për kolegët që më dhanë privilegjin e besimit të tyre për këtë detyrë, për zgjedhësit që më dhanë votën e tyre për t’i përfaqësuar në këtë Kuvend, ku do bëj më të mirën deri në fund dhe për familjen time që më ka qëndruar pranë në çdo hap. Tanimë do të kem më shumë kohë e mundësi t’u qëndroj unë më pranë si familjes, ashtu edhe zgjedhësve të mi.
Një mirënjohje e falenderim të veçantë kryetarit dhe kryeministrit tonë, si edhe shokut tim tanimë të vjetër të armëve, Edi Ramës, pa besimin dhe mbështetjen e tij të përhershme, qysh kur mora drejtimin e njësisë administrative numër 1 të Tiranës 17 vite më parë, nuk do të kisha arritur dot të bëja kaq shumë rrugë. Gjithë të mirat për ju dhe famijet tuaja. Faleminderit edhe njëherë.
Salianji: Sistemi TIMS është sulmuar edhe dy herë të tjera, por u mbajt i fshehtë, iranianët janë përdorën si justifikim
Kryetari i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS, deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka zbuluar detaje nga puna e komisionit për të dhënat e sistemit TIMS gjatë raportimit të tij në Kuvend.
Salianji zbuloi se ish-drejtuesi i departamentit të IT, Ervin Muça ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike të pretenduara nga hakerët iranianë.
Ai shtoi se si rezultat i këtyre dy sulmeve çdo e dhënë në sistemin TIMS nga krijimi i tij deri në shtator 2022 gjenden në një kanal online dhe janë të aksesueshme nga ata që kanë interes, nga krimi i organizuar te shtetet jomiqësore.
Salianji tregoi më tej se Muça ka dëshmuar për raste të tjera të prekjes së të dhënave edhe në Policinë e Shtetit.
Ai ka zbuluar se këto sulme kibernetike janë justifikuar nga drejtues të Ministrisë së Brendshme si vepra të hakerëve iranianë, por sipas Ervin Muçës dhe gjetjeve të komisionit hetimor kjo nuk është e vërtetë.
“Ervin Muça na ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike. Sulmi i parë u mbajt i fshehtë pa kryer hetim apo masa që solli edhe sulmi ne dytë të pretenduar nga hakerat iranianë. Si rezultat i këtyre sulmeve çdo e dhënë në sistemin TIMS nga krijimi i tij deri në shtator 2022 gjenden në një kanal online që na është thënë konkretisht. Këto të dhëna janë të aksesueshme nga ata që kanë interes nga krimi i organizuar te shtetet jomiqësore që në këmbim të një shume monetare sot çdo e dhënë mund të shitet e blihet lehtësisht.
Ai ka deklaruar se ka pasur raste të tjera kur të dhënat janë prekur. Justifikimi më i përdorur nga drejtuesit e ministrisë së brendshme ka qenë se sulmet janë kryer nga iranianët. Kjo nuk ishte e vërtetë sipas tij dhe hetimit të komisionit parlamentar. Kjo vërtetohet nga një memo e vitit 2021 ku ish-drejtuesja e departamentit IT konfirmon se disa kompjuterë të drejtuesve administrativë janë hakeruar dhe kjo ngjarje u fsheh.
Këto sulme janë kryer edhe në sistemet e policisë së shtetit, të cilat arritën të prekin çdo pikë fundore sepse personat që e kishin për detyrë jo vetëm që nuk kanë bërë izolime por kanë bashkëpunuar me hakerët e sistemit sipas deklarimeve të zotit Muça”, u shpreh ai.
Bylykbashi: Sistemi zgjedhor i 2008, vdiq në 2020. Garë me lista të hapura pa asnjë prag, mjafton një votë më shumë…
Nënkryetari i PD-së dhe një nga bashkëdrejtuesit e nënkomisionit për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi duke folur nga foltorja e Parlamentit të Shqipërisë në lidhje me ndryshimet zgjedhore, i ka dhënë përgjigje zërave që kanë dalë kundër.
Bylykbashi theksoi se ‘kush flet sot për sistemin zgjedhor të 2008, flet broçkulla se ka vdekur në vitin 2020 dhe është me votat e atyre që flasin sot këtu me paturpërsinë’.
‘Këtu flet një person i cili mbylli çdo lloj, dhe nuk flas për Edi Ramën, për atë lider të opozitës që mbylli çdo lloj gare demokratike në PD, duhet ta përzenin demokratët që të ndodhte garë dhe të votohej brenda për brenda’, u shpreh Bylykbashi.
‘Kjo është seancë shumë e rëndësishme, është një nga ligjet më të rëndësishme që kalon në Parlamentin e Shqipërisë. Parlamenti i Shqipërisë dështoi që të bënte reformën zgjedhore, reforma zgjedhore nuk ndodhi.
Mazhoranca socialiste për gati më shumë se dy vjet bllokoi reformën zgjedhore me vetëmohim, e bllokoi duke e mbajtur peng komisionin e reformës zgjedhore, duke përdorur persona që nuk përfaqësonin forcën politike të mandatuar nga opozita dhe mbas dy vjetësh dështoi më pas çdo përpjekje të fundit për të arritur në një reformë zgjedhore, në dy shtylla kryesore, rekomandimet e ODIHR dhe zbatimin e marrëveshjes politike atë të 5 qershorit 2020, e dakordësuar me konsensus, e firmosur në parlament nga PS dhe PD, e përshëndetur nga sekretari i shtetit i SHBA i cili kërkoi kodifikimin e asaj marrëveshje, e përshëndetur nga Bashkimi Europia dhe kancelari të tjera, u thye marrëveshja brenda 1 muaji, çfarë thoshte marrëveshja, nuk ndryshohet sistemi zgjedhor, çfarë kërkoi sekretari i shtetit kërkoi kodifikimin e kësaj marrëveshje por Edi Rama e theu. Çfarë bëri që e theu.
Hoqi koalicionin, që të gjithë e dimë se çfarë vlere kishte, është koalicioni mekanizmi që është garatantuar rotacioni politik rregullisht në Shqipëri, në vitin 2005 erdhi opozita në pushtet, në vitin 2013 erdhi opozita në pushtet. Edi Rama e dinte shumë mirë se ai ishte koalicioni që garantonte ikjen e tij nga pushteti në vitin 2021.
Unë sot dëgjova në këtë sallë të flasin ata që brohoritën, kërkuan dhe ekzekutuan mandatet e opozitës në vitin 2019. Mos të kishte ndodhur ai veprim i përçudnuar politik, sot ky debat në këtë parlament nuk do të ndodhte sepse nuk do të guxonte Edi Rama të përdorte atë që ndodhi më pas, të përdorte ata që erdhën më pas në parlament për të ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor dhe t’i grabiste fitoren opozitës në 2021.
Nqs nuk do të kishte ndodhur 2019-ta, kur u dogjën mandatet dhe nuk u hy në zgjedhje, sot ky debat nuk ndodhte sepse do të vazhdohej me rregullat që garantonin rotacioni politik, nuk do të kishim as ndryshim të Kushtetutës dhe as sistemin zgjedhor të vitit 2020.
Kush flet sot për sistemin zgjedhor të 2008, flet broçkulla se ka vdekur në vitin 2020 dhe është me votat e atyre që flasin sot këtu me paturpërsinë.
Këtu flet një person i cili mbylli çdo lloj, dhe nuk flas për Edi Ramën, për atë lider të opozitës që mbylli çdo lloj gare demokratike në PD, duhet ta përzenin demokratët që të ndodhte garë dhe të votohej brenda për brenda.
Këtu demokracia brenda partive politike është në gramat e fundit, por përpiqemi ne në opoiztë të fusim primaret, votimet por nga ana tjetër goditet opozita, arrestohet lideri i saj, i mbahet peng vula, i hiqet mundësia të ketë komisioner financim të garojë me emrin e saj nga ana tjetër mazhoranca vdekje totale’, tha Oerd Bylykbashi në parlament.
Kodi Zgjedhor, Alibeaj: Ramës i’u dha mandati i 4-t, fiton 12 mandate në tavolinë
Enkelejd Alibeaj, një nga deputetët që kundërshton ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha se po i bllokohet vota 70 % të shqiptarëve që duan listat e hapura.
Ai tha se kjo është e vetmja seancë që do të mbahet mend në këtë 4-vjeçar dhe në kohët që do të vijnë, ashtu siç mbahet mend ajo seanca e 2008-ës.
Deputeti Alibeaj tha se sot që të gjithë jemi në konflikt interesi, pasi po përcaktojnë karrigen e tyre në zgjedhjet e ardhshme.
“I është dhuruar jo thjesht vota për Kodin Zgjedhor, por i është dhuruar Edi Ramës mandati i 4-t qeverisës, i janë dhuruar së paku 12 mandate në tryezë”, tha Alibeaj.
Sipas tij, me aktin e sotëm është arritur bashkëqeverisja. Ai tha se Parlamenti i ardhshëm do të ketë 100 deputete të fiksuar, me zero vota. Ai tha se në 2025 do të ketë një përballje mes listës së kryetarëve dhe listës së qytetarëve.
“SPAK është aty dhe nuk do të jetë vetëm, janë 70 % e shqiptarëve, ka burra e gra, shqiptarë patriotë që nesër do të përballen dhe do i dalin në krah SPAK-ut”, tha Alibeaj.
"Zgjedhorja"/ Bardhi: Dashnorët e listave të hapura 100% të heqin dorë nga mandati, që në parlament të vijnë ata që kanë më shumë vota
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke folur në parlament në lidhje me dakordësinë PS-PD, për ndryshimet në kodin zgjedhor ka deklaruar se nëse do të kundërshtojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, do të thotë se, po refuzohen zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
Duke iu drejtuar deputetëve që kanë shprehur mendim kundër ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, Bardhi u shpreh se nëse këta të fundit janë kaq dashnorë të listave të hapura, të japin dorëheqjen që në parlament të futen ata deputetë që kanë marrë më shumë vota, por që kanë qenë më poshtë në listë.
“Po ftohemi të refuzojmë zbatimin e vendimeve të GJK, sepse në fakt drafti që kemi sot përpara për votim dhe që na është paraqitur nga kolegët e mandatuar, parashikon ekzaktësisht vetëm këtë.
Nëse ishit kaq dashnorë të listave të hapura, hiqni dorë nga mandati dhe lini ata që morën më shumë vota dje se ne. Secili prej nesh në qarqet tona ka pasur deputetë në listat tona më poshtë nesh që kanë fituar më shumë vota se ne. Jepeni dorëheqjen sepse ka kolegë që ka më shumë vota se një pjesë prej nesh në këtë sallë.
Kush thotë që GJK ka urdhëruar që listat të jenë 100% të hapura është injorant ose gënjen. GJK ka shfuqizuar numerikisht herësin e vendosur në ndryshimet e vitit 2020, duke e konsideruar si numër votash jo proporcional për qarqe të caktuara.
Ndërkohë që ka quajtur si kushtetues të drejtën e ligjvënësit që brenda masës së vendosur nga kushtetuta, të përcaktojë modelin më të mirë që i nënshtrohet atij parimi kushtetues, që jo më pak se 1/3-a e listës së çdo partie të jetë e hapur.
A është propozimi më i mirë i mundshëm, ndoshta jo, ndoshta po”, u shpreh ai.
Dashamir Shehi kundër Zgjedhores: Beteja me flakadanë u bë për këtë marrëveshje, shihen vetëm dy gjëra pozitive
Deputeti dhe Lideri i LZHK Dashamir Shehi i bashkohet deputetëve që janë kundër draftit të Kodit Zgjedhor.
Shehu thumboi dhe protestat e deputetëve të grupimit të Sali Berishës në Parlament duke u shprehur se e gjitha kjo paska qenë për këtë draft zgjedhor.
Deputeti radhiti gjithashtu dhe arsyet pse ky draft zgjedhor është më i keq se ai 2008-të dhe një nga ata është dhe barriera që ky sistem iu vendos rinisë për të pasur partitë e veta, idetë e veta.
Dashamir Shehi: Nuk ishte as formë, jo Reformë. Ata që deri dje me flakadanë bënë një betejë të madhe që s’u kuptua për çfarë u bë, si duket u bë për këto marrëveshje që janë këtu, tani janë bërë shumë të qetë, të arsyeshëm për Kushtetutën, shqiptarët, fjalët bosh.
Ky sistemi zgjedhor prodhon zgjedhje të këqija, korrupsion, ky sistem i ndërtuar në vitin 2008. Ti më mbron mua, unë të mbroj ty, mbrojmë interesat e përbashkët politike. Ky sistem e korrupton pushtetin, i uli vlerën Kuvendit, e bëri shërbëtor të qeverisë. E bëri kryeministrin kancelar të vendit. Ai shumë i keq ishte, ky që bëhet sot është edhe më i keq. Nëse ai në 2008 ishte hipotetik, ky pas 16 viteve dihet se çfarë ka riprodhuar.
E para, i kemi mbyll derën rinisë për tu marrë me politikë, partitë e veta, alternativën e vet. Me këtë sistem është vënë me ligj një barazh elektoral për t’i përzënë nga beteja elektorale. Çfarë bën ky sistem sot, në Gjirokastër duhen 30% e votave për tu fut deputet, në Durrës, Fier, duhen 10% e votave. E dyta i ke heq shqiptarëve të drejtën për të zgjedh deputetin. E treta po me ligj votat i numëron të atyre që janë rivalët e tu, të dy partive të mëdha.
Kjo është një sajesë e përdorur nga dy njerëz për të ruajtur pushtetin. Ky që e ka marrë nuk ka ndërmend më ta lëshojë. Po i drejtohem kolegëve opozitar, po ju ca po mbroni, se këta mbrojnë pushtetin e vet. Ju ca mbroni, përveç një mandati. Një sistem që pala tjetër projekton fitoren. Për një listë gjynahqarësh. Ca vlere ka kjo për ne të opozitës, ca avantazhi i shton ky ligj opozitës.
Ky është vendi i kanarinave, kanarinat i zgjedhin në kafaz, nuk fluturojnë, se në kafaz është ngrohtë pi ujë dhe hanë fara. Kush e mban veten për trim, bën mirë të mos bëjë trimëri të kota, e mos ta votojë këtë ligj, turpi është i opozitës, i joni ka për të mbet. Votojmë një ligj për të shpëtuar disa burokratë partie nuk e votoj këtë ligj, shikoj vetëm dy gjëra pozitive, vota e emigrantëve dhe votimin elektronik në qytetet e mëdha. Mos e bëni këtë turp për opozitën, por të jemi edhe në bashkëfajtor në këtë ligj të tillë, kjo s’do më pëlqente”, tha Shehi./Versus
Basha: Ndeshja u shit pa filluar ende, lista e ndarë në ‘bussines class’ për kryetarët dhe ‘karrocë’ për të tjerët

Prej orës 11:00 Kuvendi vijon diskutimet lidhur me ndryshime në Kodin Zgjedhor. Sipas draftit të dakordësuar mes PD-së e PS-së me formulën e propozuar për listat e deputetëve, ku 1/3 e listës është në dorën e kryetarit dhe 2/3 e listës përcaktohet me votë preferenciale.
Për Bashën, Kryetari i Partisë së demokratëve euroatlantikë, zgjedhjet janë shitur pa filluar ende, me formulën e dakordësuar ditën e djeshme.
“Ndeshja shitet pa u filluar. Me formulën e dakordësuar dje dhe pritet të votohet sot pazarxhinjtë pushteti u dorëzohet Edi Ramës në këmbim të favoreve të përbashkëta e investimit që kanë nisur dhe duan të bëjnë së bashku", tha Basha.
Ai theksoi se lista është ndarë në dy pjesë, Bussines class dhe karrocë.
“Në Bussines class futen kandidatë që i vendos Kryetari i Partisë, që pavarësisht numrit të votave janë favoritët e pushtetit. Në parlament kanë hyrë kamikazët, lista është dopio e mbyllur, pavarësisht vendimit të Gjykatës. Janë provat që iu duhen edhe mbi të, motivi kryesor është frika, në rradhë të parë e kryeministrit, i cili ka disa çështje të hapura në këtë moment që flasim, nga inceneratori dhe koncensione të tjera korruptive. Listat nuk hapen se i duhen kamikazë si Sajmir Tahiri, Arben Ahmetaj, si Erion Veliaj që shkojnë nga shkojnë, sërish i kthehen në xhep. E mbyll listën për të përcaktuar kamikazët e ardhshëm”, tha Basha.
Për sa i përket qëndrimit ndaj Berishës tha se ai ia kishte falur vetë fitoren Ramës dhe personat që kanë vjedhur votat e PD janë liruar sepse sipas tij kanë gënjyer.
“Hallin e vet personal e bëri pazarin me Edi Ramën, shqiptarët dhe demokratët,e panë kur i dorëzoi 90% të Bashkive, Edi Ramës, u kap Safeti e humbi dhe me thellë Kukësin.Njerëzit që u kapën nga drejtësia për vjedhjen e votave të PD shkuan në burg, por u liruan se gënjyen. 17 të korruptuar të Edi Ramës të liruar nga pazari i përbashkët. Është bërë rekursi dhe do të ndiqet hap pas hapi, për sa i përket vulës së Partisë Demokratike që Gjykata e Apelit ia dha Sali Berishës.
Këto pazare të mbizotëruara nga frika kanë në thelb edhe shitjen e demokracisë dhe ndeshjes së pafilluar akoma, të zgjedhjeve të vitit 2025.
Me formulën e miratuar dje dhe pritet të firmoshet sot, i dorëzohet edhe 4 vite të tjera Edi Ramës me favoritë të përbashkët.Akti i fundit i këtij pazari do të luhet kundër SPAK, ky parlament nuk duhet të shpërbëhet se si përfaqësuesi më i tmerrshëm që nuk u ka shërbyer interesave të qytetarëve, por atyre vetjake", përmbylli Lulzim Basha./ Versus.al
Dashnor Sula paralajmëron ‘të vetët’: Pas zgjedhjeve të 2025-s do të shndërrohemi në shoqatë

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka folur me gjuhë të ashpër në parlament ndërsa po diskutohet drafti për Kodin e ri Zgjedhor. Ai është rikthyer në ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, kohë ku përzgjedhjen e kandidatëve e mori 'ekskluzivitet' Kryetari i Partisë duke deklaruar se nga 2009 e pas, PD nuk ka mundur më të fitojë asnjë palë zgjedhje.
Ai ka deklaruar se kryeministri Rama me këtë kod nuk do ketë nevojë të dalë fare në fushatë dhe se pas zgjedhjeve 2025, opozita do të jetë shndërruar në një shoqatë.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që po marr pjesë në ceremoninë martesore midis PD dhe PS, por fatkeqësisht mungon kryeministri, ministrat dhe disa deputetë që të dëshmojnë për këtë martesë. Të gjithë deputët do të kthehen gra me listën 1/3 mbyllur. Rama, të përgjërohem mos dil në fushatë në 2025 sepse e ke të fituar, ndërsa pas 2025 PD do të jetë shoqatë dhe jo parti. Nga viti 2009 nuk kemi fituar më, as në zgjedhjet e 2017, as në 2021 dhe as nuk do të jemi në 2025. Nuk mund t’ia lejoj vetes që të dal para atyre demokratëve që donin të fitonin në 2025. Kjo është për të ardhur keq. Tani, shpjegimin e sistemit që do të votoni ju, do të kemi 4 lista të zgjedhores. Lista e ajkës është lista e lepirësve dhe servilëve, listë që sdo ketë më burra po do të jenë bërë gra. Duke patur parasysh zgjedhjet e 2021, është mashtrim hapja e listave, nuk janë të hapura asnjë. 1/3 e mbyllur e servileve të partisë nuk do të kenë shansin të jenë fare ne listë për tu votuar. Ato do të jenë në shtëpi dhe do të kthehen ne shtator si gra. 1/3 do të bëntë sens e mbyllur nëse do të kishte vetëm një subjekt politik. E vërteta është se sipas zgjedhjeve të 2021 kemi 39 deputetë nga lista e hapur dhe 109 nga lista e mbyllur. 28 deputetë janë nga lista e hapur e PS dhe 11 nga lista e hapur e PD”, tha deputeti Sula.
Duke folur për përzgjedhjet e kandidatëve nga kryetari i partisë, Sula u shpreh se ky akt do të çojë në kuvend të paaftët, servilët ndërsa iu drejtua si shembull Gjiknurit duke kërkuar se pse duhet të ishte ai në Kuvend 'meqenëse është i bukur' dhe të mos jetë ai vetë pasi është i shëmtuar.
Si replikë Gjiknuri i tha se:
"Ti je i shëmtuar, por bën humor të bukur. Ju vetë e pranoni që rezultati i 2025 do të jetë njësoj si 2021, por ju keni hallin tuaj se ku do të ndodheni në listë dhe mendohet se në garë jeni për të fituar, ato që janë në favor të PS mund të jenë edhe të PD. Në garë hyhet për të fituar"./ Versus.al
'Je i bukur prandaj je deputet', batuta mes Gjiknurit dhe Dash Sulës: Ti mund të jesh i shëmtuar, por ke humor
Janë shkëmbyer batuta mes deputetit socialist Damian Gjiknurit dhe deputetit demokrat Dash Sula gjatë diskutimeve për draftin e Kodit Zgjedhor.
Ky i fundit teksa fliste nga Foltorja e Parlamentit u shpreh se pse duhet të jetë deputet Damian Gjiknuri se është i bukur dhe jo unë që jam i shëmtuar.
I menjëhershëm ishte dhe replika e Gjiknurit për deputetin demokrat duke u shprehur se ai mund të ishte i shëmtuar por të bën me qesh.
‘Meqë më përmende emrin unë në fakt të respketoj se të kam mik. Ti mund të jesh i shëmtuar por ti të bën me qesh, që shumë pak njerëz e kanë këtu dhe humorin unë ta vlerësoj. Por nga dëshira që bën humor padashje bën një lapsus logjik në argumentin që jep për të kundërshtuar atë që ke përpara. Të gjitha llogaratitë i bën me humbje. Pra ju vetë e pranoni që ai do të jetë rezultati si 2021 dhe kanë hall se kush do të jetë te ajo listë. Mendoja se jeni për pushtet. Ato 74 vende që janë në favor të PS mund të jenë në favor tuaj nëse jeni të mëdhenj. Atëherë po nxirrni problemin real që keni. Keni hallin në opozitë se ku do të jem unë në listë. Mendoj se kur hyn në garë hyn për të fituar, kështu që 40 mandate janë lojë për të gjithë ato që do garojnë.' ishte replika e Gjiknurit.
“Gracka ku shpirti juaj kapet si laraska”, Leskaj sfidon deputetët: A kandidoni në pjesën e dytë të listave?

Ndryshimet që pritet të votohen sot në Kodin Zgjedhor me ndryshimet e dakordësuara mes PS dhe PD kanë ngjallur reagime të shumta në Kuvend. Deputetët demokratë më së shumti kanë shprehur kundërshtitë e tyre për projektligjin. Ndër ta ka qenë edhe deputeti Bujar Leskaj i cili tha se me listat e deputetëve dëmtohet akoma më rëndë demokracia brenda partive politike.
Ndërsa sfidoi ata që janë pjesë e “elitës” së PD duke u propozuar që të renditen si kandidatë në pjesën e 1/3-ës së listës që zgjidhet nga qytetarët.
“Do të dëmtojë jetën e brendshme të partive. Sot PS është shndërruar në një sulltanat dhe nuk është habi që të na sjellin propozim për shpalljen mbret të Ramës. Kam një mesazh për ata të ashtuquajturit “elitat e partisë”. Nuk ka elita në partitë tonë, nuk ka personalitete të larta. Por megjithatë, unë do u bëja një pyetje: Ju drejtuesit, po e kam me PD më shumë të jem i sinqertë, a do deklaroheni se do kandidoni në pjesën e dytë të listave? Këtu po perifrazoj Shekspirin: Ky kod zgjedhor dhe vendoja juaj në lista është gracka ku shpirti juaj do kapet si laraska"- tha Leskaj.
Ai u shpreh dakord për votën e diasporës por theksoi se nuk është marrë asnjë masë për të adresuar problematikën e grabitjes së votave, gjë që sipas tij ka ndodhur në secilën palë zgjedhje të zhvilluara. Versus.al
“Mbyllen 90% e listave”, Mediu kundër paktit PS-PD: S’ka të bëjë me zgjedhje të lira
Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane ka shpërthyer në Kuvend gjatë diskutimeve për votimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në draftin e dakordësuar mes PS dhe PD. Ai tha se me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, 90% e listave janë të mbyllura duke i lënë mundësinë kryetarit të caktojë kandidatët dhe duke mos lejuar që të ketë rigjenerim të Kuvendit me figura të reja.
Duke shprehur kundërshtinë e tij hapur lidhur me këtë projektligj, Mediu tha se me këto ndryshime, lihen jashtë mundësitë e koalicione mes partive, gjë që nëse do të ishte në fuqi që në 2021-in socialistët do të ishin në opozitë.
“Nuk ka të bëjë aspak me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka dy vende në Ballkan që nuk zhvillojë zgjedhje të lira, njëra Serbia dhe tjetra është Shqipëria. Serbia e ka përcaktuar vendin e vetë në krah të Rusisë ndërsa ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe si i tillë duhet të garantojmë zgjedhje të lira e të ndershme por një gjë të tillë nuk e bëjmë.
A ketë reformë zgjedhore në Shqipëri? Janë probleme të dukshme që i di çdo shqiptar, intimidimi i votuesve me anë të kriminelëve që i frikësojnë, përdorimi i të dhënave të qytetarëve nëpërmjet patronazhistëve, përdorimi i administratës. A nuk është taktikë elektorale heqja e mundësisë së koalicioneve duke minuar atë që ju e keni pasur si të drejtë kur ishit në opozitë në 2013-ën? Duke i hequr mundësinë opozitës që qytetarët të bashkohen kundër kësaj qeverie që shqiptarët nuk e duan? Nëse koalicionet do ishin në fuqi, në 2021-in sot do ishit në opozitë”- tha Mediu.
Ndër të tjera ai tha se nuk ka qenë partia e tij ajo që ka propozuar mbylljen e 1/3 të listave.
“Ka filluar të qarkullojë një gënjeshtër e madhe, sikur 1/3 e kemi kërkuar ne partitë e tjera. Nuk është e vërtetë, kemi kërkuar jo më shumë se 1/3 duke e lënë në vendimmarrjen e partive për të lënë disa figura që e bëjnë fushatën kombëtare por jo për të vendosur rreth 90% në lista”- shtoi Mediu.
Ndërsa theksoi se do të votojë për ndryshimet në Kod Zgjedhor lidhur me votën e Diasporës pavarësisht problemeve që ka neni në projektligj. Versus.al
Kodi Zgjedhor, Gjiknuri: Lista e fiksuar, vetëm 25 për qind (por pranon që vetëm 40 mandate do të jenë të hapura)

Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka lexuar raportin e tij në lidhje draftin që do të votohet sot në Kuvend pas ndryshimeve të bëra në Kodin elektoral duke deklaruar se ky kod parashikon çdo rekomandim dhe detyrim që vjen nga Kushtetuta e Shqipërisë.
I pyetur nga deputeti Asllan Dogjani se tek cili shembull janë referuar për Kodin Zgjedhor, Gjiknuri deklaroi se dokumenti ku janë bazuar është Kushtetuta e Shqipërisë e cila thotë se lista e kandidatëve të deputetëve duhet të jetë jo më pak se 2/3 e hapur.
“Shqipëria ka pasur dhe para 2008-s listë me 100 emra mazhoritar dhe pjesa tjetër me propocional të mbyllur. Kjo reformë ka ngjallur debate pasi prek interesat politike, por le ti marrim një për një:
Hipoteza e parë që kjo a është në përputhje me masën që parashikon Kushtetuta e Shqipërisë.
Lista e kandidatëve përbëhët nga kandditatët e fiksuar 1/3 dhe preferenciale 2/3. Lista e fiksuar nuk është më shumë 25 për qind e mandateve.
E dyta a siguron kjo formulë garanci të kuotave gjinore? Me këtë kod 1në çdo 3 emra të listës fituese do ti përkasë gjinisë më pak të votuar, ndërkohë dhe me amendimin e bërë nga gratë e Kuvendit kjo do të sigurojë përfaqësimin gjinor.”, u shpreh Gjiknuri.
Gjithashtu Gjiknuri u është përgjigjur dhe zërave se kjo formulë e bën garën më të mbyllur duke sjellë përkeqesimin e konkurrueshmërisë.
“Në vitin 2021 me formulën që kishim, vetëm 3 kandidatë thyen herësin, me formulën e propozuar janë 40 mandate të hapur. Dhe me skenarin kur listat janë krejt të hapura, vetëm 34 mandate do të kishte lëvizje duke mos llogaritur garancitë gjinore. Po të llogariteshin kuotat gjinore në lojë do të ishin 22 mandate.
Pretendimi tjetër pse nuk lini vetë partitë politike të zgjedhin listat e hapura, kjo do të thotë parti të ndryshme organizime të ndryshme. Por parimi thotë që parimi është zbatimi uniform i ligjit.
Zgjedhësi ka dy vota, për partinë dhe për një kandidat sepse kjo ndodh në çdo sistem bashkëkohor politik”, u shpreh Gjiknuri i cili sipas përllogaritjeve të bëra deklaroi se në fakt vetëm 40 mandate do të jenë të zgjedhur nga vota preferenciale e votuesve shqiptarë.
Ai gjithashtu iu përgjigj dhe aludimeve se kjo reformë është një pazar Rama-Berisha duke deklaruar se kolegët e tij opozitar në 2 vite në vend që të përpiqeshin të realizonin një reformë të mirë zgjedhore çuan në tavolinë propozime jo konkrete por vetëm zgjidhje për mbijetesë politike apo në kurriz të palëve të caktuara./ Versus.al
“Deputetë të PS më kanë thënë se kanë frikë”, Dogjani kërkon votim të fshehtë për Zgjedhoren, Açka kundër: Të shihen tradhëtarët

Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani duke u shprehur kundër paktit të dakordësuar mes PS dhe PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkoi që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë duke argumentuar se ka ligjvënës socialistë e demokratë që ndihen të trysnuar për të votuar kundër vullnetit të tyre.
“Propozoj që në fund votimi të bëhet i fshehur për arsye se nga biseda që kam pasur me deputetë të opozitës dhe mazhorancës disa prej tyre kanë shprehur frikë dhe pamundësi për të reaguar. Kërkoj që të bëhet votimi i fshehtë në mënyrë që Rama të mos marrë peng deputetët e tij dhe vendin”- tha Dogjani.
Ky propozim u kundërshtua nga deputetja Flutura Açka e cila tha që votimi të jetë i hapur në mënyrë që qytetarët shqiptarë të shohin se kush i ka tradhëtuar.
“Jam kundër propozimit për të qenë votim i mbyllur, votimi duhet të jetë i hapur që shqiptarët ta dinë se kush po e shet të drejtën e tyre për një demokraci të pastër. Mbajeni të hapur dhe të votojnë ata që kanë marrë përsipër të bashkojë votat me ju kundër shqiptarëve”- u shpreh Açka e cila dje dorëzoi edhe kërkesën për të dalë nga grupi parlamentar i PD.
Ndërkohë drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj tha se vendimi për mënyrën e votimit do të merret në momentin kur të jetë koha për votimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Versus.al
Kodi Zgjedhor, ironia e Dash Sulës: Ditë celebrimi mes PS-PD, të vijë Rama babai i të gjithë deputetëve
Deputeti i PD-së Dash Sula ka ironizuar paktin mes PS dhe PD-së në lidhje me draftin për Kodin Zgjedhor.
Sula është shprehur se sot është një ditë celebrimi mes PS-PD dhe nuk mund të mungojnë deputetët, kabineti qeveritar si dhe Edi Rama të cilën ai e quajti babain e të gjithë deputetëve.
Ai i ka kërkuar drejtueses së seancës Ermonela Felës të ndërpresë këtë seancë pasi kjo është një ditë e rëndësishme dhe e shenjtë dhe se duhet të bëhen disktutime serioze.
Dash Sula: Sot është një ditë e jashtëzakonshme. Një ditë cebrimi martesës midis PS-PD dhe unë mendoj se nuk ka llogjikë, nuk ka moralë që në këtë ditë kaq të shenjtë të mungojë kabineti qeveritarë, të mungojë kryeministri, të mungojnë deputetët, dëshmitarët e kësaj ceremonie martesore. Prandaj në cilësinë si drejtuese e kësaj seance kaq të rëndësishme do të kërkoja të ndërpritet pak minuta, ndoshta dhe orë të vinte prezent kryeministri që është babai i të gjithë neve se tani jemi bashkë të gjithë dhe të bëjmë një diskutim serioz se nuk bëhete fjalë për një diskutim të thjeshtë.
Mbaj mend se në prill 2008 kanë qenë të gjithë deputetët këtu edhe ato që ishin në grevë të urisë të cilët sot janë për këtë lloj sistemi. Tani kemi një ceremoni tjetër martesore dhe do të dëshiroja që të ishin të gjithë këtu bashkë me ne dëshmitarët e kësaj ceremonie.
Kuvendi voton “Zgjedhoren”, Rama në Paris për Lojërat Olimpike, deputeti: Merret me hallet e refugjatëve të botës
Ndërkohë që sot në Kuvend votohet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas draftit të dakordësuar mes PS dhe PD, mungesa që vihet re në seancë është ajo e kryeministrit Edi Rama.
Kur votohet për projektligjin më të rëndësishëm që mund të përcaktojë “fatin” e zgjedhjeve të ardhshme, kreu i qeverisë ndodhet në Paris për Lojërat Olimpike Botërore. Vetë ai e ka konfirmuar këtë me anë të një fotoje të publikuar në rrjetet sociale.
Për mungesën e Ramës foli edhe deputeti demokrat Edmond Spaho i cili tha se kryeministri ka për detyrë t’u shërbejë qytetarëve të vendit ku është zgjedhur dhe të jetë i pranishëm në seancë e jo të merret me problemet e refugjatëve në vendet e Evropës Perëndimore.
“Që nga janari deri më sot nuk di a ka pasur ndonjë seancë ku të ketë qenë kryeministri present. Kryeministri është zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve të vendit të vetë por më shumë është i shqetësuar për udhëheqjen globale. Pasi mbaroi me hallet e refugjatëve të Melonit, është hedhur tani të zgjidhë hallet e refugjatëve të Anglisë. Të kujdeset pak edhe për refugjatët e Shqipërisë se jemi bërë popull refugjat i gjithi dhe i kërkoni të vijë të paktën një ditë në Kuvend. Se edhe kur vjen është në ndonjë kullë, është bërë si ai që i këndojnë ku le qen e ku le tym e ku bën daullja bym, aty është Edi Rama”- tha Spaho ndër të tjera.
Në Lojërat Olimpike që nisin sot në Paris, marrin pjesë edhe 7 atletë shqiptarë. Versus.al
Përfundojnë koncesionet për akcizën dhe markimin e karburanteve, Braçe: Në 11 vite, qytetarët paguan 100 mln euro

Në nisje të seancës plenare të sotme, ministri i Financave Ervin Mete prezantoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” duke bërë me dije se nga muaji gusht përfundon kontrata e koncesionarit për produktet me akcizë dhe për markimin e karburanteve të automjeteve, të cilat do t’i kalojnë nën menaxhim shtetit.
“Është përcaktuar një bord për procesin dhe ndryshimet në ligjin e akcizës për të hequr koncesionarin. Do jetë në pronësi të shtetit që do të ofrojë shërbimin në të ardhmen. Në momentin që ky shërbim të kalojë në menaxzhim shtetëror, të mund të ofrohet me tarifa më të ulëta që besoj se do jetë lehtësim për qytetarët. Në gusht përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe kjo i kalon drejtorisë së doganave. Tarifa e aplikuar nga koncesionari do të hiqet dhe kostot do përballohen nga buxheti i shtetit”- u shpreh Mete.
Nga ana tjetër deputeti socialist Erion Braçe solli në vëmendje kostot që kishin patur për qytetarët shqiptarë këto koncesione në 11 vite, duke theksuar se janë paguar në total 100 milionë euro nga xhepat e qytetarëve.
"Atyre që konsumonin produkte akcize 4 milionë euro në vit, në 11 vite bëjnë 44 milionë euro. Ky i akcizës i ka kushtuar qytetarëve të vendit 5 milionë euro, në 11 vite 55 milionë euro, duke bërë kështu 99 milionë euro deri në 100 milionë euro. Këto i kanë paguar qytetarët nga xhepi për produkte që kishin pullë fiskale. Qytetarët e vendit kanë paguar deri në 100 milionë euro për këto koncesione. Të dyja këto koncesion mbarojnë këtu, merren nga qeveria e vendit”- tha Braçe. Versus.al
“1 në 3 ligjvënës të jetë grua”, tjetër pakt PS-PD për mbylljen e mëtejshme të listave për deputetë
Deputetet gra të PS dhe PD janë bërë bashkë për një amendament të dorëzuar në Kuvend sa i takon projektligjit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që pritet të miratohet në seancën plenare të sotme.
Në amendamentin e dorëzuar, deputetet gra kanë kërkuar që në shpërndarjen e mandateve të listës së hapur, një në tre emrat e deputetëve që mund të zgjidhet me votë preferenciale, të jetë grua edhe nëse ka më pak vota se ndonjë prej deputetëve burra.
Me këtë arsyetim, “de facto” mbyllet edhe një pjesë tjetër e listës pasi është detyrim që një në tre deputetë të zgjedhur me votë presidenciale të jetë grua edhe nëse marrin më pak vota se deputetët burra. Ndërkohë që 1/3 e kandidatëve për deputetë caktohen nga kryetari, popullit i mbetet vetëm të zgjedhë 1/3-ën e mbetur.
Në argumentin e dhënë për pjesën e mbyllur të listave të deputetëve, ishte respektimi i kuotave gjinore për gratë.
Amendamenti është firmosur nga 26 zonja deputete të kuvendit të Shqiëprisë duke marrë dakordësinë edhe të krerëve të grupeve të PS dhe PD.
“Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listët një në tre emra të saj t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuaem atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që këto të fundit kanë marrë. Mbi bazën e këtij kriteri hartohet lista përfundimtare që I nënshtrohet votimit parapëlqyes e rirenditur, e cila do të përdoret për zbatimin e nenit 164 të këtij kodi”- thuhet në pikën që kërkohet t’i shtohet nenit 163 “për shpërndarjen e mandative”. Versus.al
Sot Kuvendi voton paktin PD-PS për Kodin Zgjedhor, në rend dite edhe projektligji për policinë e shtetit
Sot do të vijojë seanca maratonë në Kuvend e nisur ditën e djeshme, e cila përmbyll këtë sesion parlamentar. Gjatë ditës së sotme, pritet që të votohet projektligji për Kodin Zgjedhor të dakordësuar mes PS dhe PD më 24 korrik, pas votimit që iu bë draftit në Komisionin e Ligjeve ku mori 19 vota pro dhe vetëm 1 kundër.
Gjithashtu pjesë e rendit të ditës pritet të jenë edhe projektligjet për policinë e shtetit dhe për prodhimin e municionëve. Projektligji për policinë është debatuar në komisione të ndryshme duke ngjallur diskutime mes ministrit të Brendshëm Taulant Balla i cili pretendon se drafti do ndihmojë oficerët e rinj të bëjnë karrierë dhe opozitës që pretendon se një gjë e tillë po bëhet nga PS para zgjedhjeve për të detyruar efektivët të përfshihen në fushatë zgjedhore.
Nga ana tjetër, projektligji për Kodin Zgjedhor mori shumë reagime pro dhe kundër nga të dyja palët politike. Te socialistët pati zëra kundër si Erion Braçe i cili tha se do të preferonte një sistem mazhoritar të votimit. Ndërsa tek opozita, pati kundërshtime të shumta, duke e konsideruar draftin e dakordësuar me PS-në si një “zhgënjim për qytetarët” dhe favorizim për “ajkën e partisë” që në publik nuk arrin të marrë shumë vota. Ndërsa dje në një deklaratë për mediat, nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi i cili edhe vetë la të kuptohej se nuk ishte dakord me një Kod Zgjedhor të tillë, tha se PD do të bëjë të gjitha përpjekjet që pika të tjera të ndryshohen në vijim deri para zgjedhjeve të ardhshme.
Por çfarë përmban projektligji aq shumë i debatuar që pritet të votohet sot dhe të jetë në fuqi për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës?
Kandidatët në listat për deputetë
Ndryshe nga sa pritej as këtë herë listat e kandidatëve për deputetë nuk do të jenë plotësisht të hapura, duke ia lënë në dorë kryetarit të partisë të zgjedhë 1/3 e kandidatëve ndërsa votuesit do kenë mundësinë të zgjedhin me votë pëlqyese më pak se një të tretën e kandidatëve. Për ta sqaruar më mirë, marrim si shembull disa qarqe të vendit në situata hipotetike për zgjedhjet parlamentare.
Në Kukës, ku dalin në total 3 mandate deputetësh, partia mund të caktojë mandatin e parë ndërsa zgjedhësit mund të zgjedhin të dytin. Por nëse në këtë qark marrin nga një mandat tre parti të ndryshme, atëherë rezulton që të tre kandidatët për deputetë të jenë të emëruar nga kryetari dhe jo të zgjedhur nga qytetarët me lista të hapura.
Në Tiranë, ku dalin 36 mandate, 12 të parët e listës së çdo partie janë të caktuar nga kryetari dhe e kanë të sigurt një vend në parlament. Pra nëse marrim si referim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara ku PS mori 18 mandate në Tiranë dhe PD 15 mandate, i bie që me formulën e re, vetëm 9 deputetë në total të jenë zgjedhur nga votuesit.
Me këtë formulë, rezulton në fakt se listat nuk janë hapur dhe se 70% e kandidatëve për deputetë do të jenë të paracaktuar nga kryetarët. Këtë herë është hequr edhe pragu i herësit prej 10 mijëvotash të vendosur në zgjedhjet e vitit 2021, të cilin vetëm 3 deputetë arritën ta thyenin duke marrë vendin e kandidatëve të paracaktuar në listë. PS kërkoi që pragu të ishte 7 mijë vota, por u hoq me kërkesë të PD.
Vota e Diasporës
Emigrantëve shqiptarë u është vështirësuar pjesëmarrja në votime me draftin e dakordësuar mes PS dhe PD. Kështu, ndryshe nga shqiptarët që jetojnë brenda vendit, diaspora do të duhet të pararegjistrohet me kërkesë për të ushtruar të drejtën e votës dhe ky regjistrim do jetë i vlefshëm vetëm për këto palë zgjedhje, duke u caktuar emigrantëve detyrimin për t’u çregjistruar si votues rezidentë brenda vendit pasi të kenë hedhur votën për zgjedhjet e 2025-ës.
“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Shtetasit shqiptarë që janë rregjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së rregjistrimit sipas këtij neni, ç'rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit ”- thuhet në projektligj.
Ky është një disavantazh i madh për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të cilët duhet fillimisht të bëjnë kërkesë për regjistrim në zgjedhje dhe pasi të votojnë të çrregjistrohen nga lista e votuesve rezidentë në vend, duke e lënë të paqartë si veprohet nëse një pjesë e tyre vendosin të kthehen në atdhe më vonë për të jetuar.
Procesi i regjistrimit të emigrantëve që jetojnë jashtë vendit do të nisë 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe do të përfundojë 63 ditë para datës së zgjedhjeve ,kur KQZ do të publikojë listën e plotë të zgjedhësve që do votojnë nga diaspora. Fleta e votimit për ta do të jetë njëjtë si ajo në Shqipëri dhe do t’u dërgohet me postë nga KQZ në adresën e deklaruar prej tyre. Pasi të votojnë ata me shpenzimet e tyre, e dërgojnë sërish me postë drejt KQZ. Votat më pas do të numërohen në komisionin qendror të zgjedhjeve sipas qarqeve ku emigrantët rezultojnë rezidentë në Shqipëri. Versus.al







