Një fotograf ka arritur të filmojë një fenomen jashtëzakonisht të rrallë mëngjesin e së mërkurës, gjatë një stuhie elektrike në Puerto Riko. Bëhet fjalë për një ngjarje të quajtur "gigantic jet" – një Ngjarje të Ndritshme të Përkohshme (TLE) – që duket si një rrufe e kuqe përmbys, e cila shpërthen nga retë drejt hapësirës.
Në videon e shkurtër, shihet një shpërthim i shpejtë ngjyrë të kuqe që shfaqet në qiell dhe zhduket brenda një sekonde. Fenomeni është jashtëzakonisht i rrallë për t’u parë me sy të lirë, dhe shumë më i rrallë për t’u kapur në kamera.
Sipas NASA-s, “gigantic jets” ndodhin kur rrufetë të ‘shpëtojnë’ nga stuhia dhe të përhapen drejt hapësirës.” Në vend që të zbresin në tokë si rrufetë e zakonshme, ato ngjiten drejt lartësive të atmosferës.
Edhe astronautët e NASA-s i kapin këto fenomene
Në muajin korrik, astronautja e NASA-s Nichole “Vapor” Ayers, ka kapur një foto spektakolare të një “gigantic jet” nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS). Fillimisht, ekspertët debatuan nëse bëhej fjalë për një “gigantic jet” apo për një tjetër TLE të quajtur “sprite”, që ka pamje të ngjashme, por ndodh në lartësi më të mëdha në atmosferë.
NASA e konfirmoi në gusht se imazhi i kapur nga Ayers ishte pa dyshim një “gigantic jet”.
Çfarë janë TLE-të?
TLE-të (Transient Luminous Events) janë fenomene të shkurtra, por shumë të ndritshme që ndodhin në shtresat e larta të atmosferës – përtej retë e zakonshme të shiut dhe stuhive. Përveç “gigantic jets”, disa nga këto fenomene përfshijnë:
Sprites – Shpërthime të kuqe që ndodhin mbi retë, zakonisht pas rrufeve të fuqishme.
Blue jets – Rrufe blu që shpërthejnë lart nga majat e reve stuhie.
ELVEs – Drita të mëdha rrethore që zgjerohen shpejt dhe ndodhin shumë lart në atmosferë.
Ghosts – Shkëlqime të zbehta që shfaqen pas sprite-ve, me ngjyra të gjelbërta ose të verdha.
Këto fenomene ndodhin në shtresat stratosferike, mezosferike dhe madje deri në termosferë, shumë përtej asaj që shumica e njerëzve mund ta shohin zakonisht gjatë një stuhie.
Një spektakël qiellor i rrallë
Pamjet e kapura nga Puerto Riko janë një kujtesë e fuqishme e forcës dhe bukurisë së natyrës. Në një kohë kur shumica e syve janë të drejtuar nga toka, këto rrufe të përmbysura tregojnë se edhe qielli ka sekrete që ende po zbulohen .







