
Gjykata e Prishtinës caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Besart Kelmendit, reperit të njohur si "Gjesti" i cili dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.
Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës nga gjyqtarja e procedurës paraprake.
Besart Kelmendi dyshohet për veprat penale “Kanosja”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas dëgjimit të palëve në procedurë, gjykata ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar dhe ka vendosur që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Gjykata ka konstatuar se ekziston rreziku i ikjes, mundësia e ndikimit në dëshmitarë si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, duke e konsideruar paraburgimin si masën më të përshtatshme për zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Ndaj këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. Versus.al

