Reperi i njohur shqiptar, Noizy, është liruar nga policia zvicerane.
Noizy u arrestua të hënën, më 7 korrik 2025, në aeroportin e Zyrihut, ndërsa ndodhej në Zvicër për një performancë të albumit të ri, në klubin “Rinora 4” në Rümlang.
Arrestimi u bë nga Policia kantonale e Zyrihut, e cila sqaroi se ai erdhi si pasojë e një urdhri të lëshuar nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe të Dhunshme. Ky urdhër u vu në zbatim për shkak se Noizy, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku, konfiguronte në sistemin e sigurisë Schengen, pas një kallëzimi ndërkombëtar.
Në fillim nuk ishte e qartë nëse arrestimi kishte lidhje me incidentin e vitit të kaluar në Kosovë, ku Noizy u përfshi në një përplasje fizike me TikTok-erin Muhamet Iseni, i njohur si Medi, në një klub nate në Pejë.
Në atë ngjarje ishte përfshirë edhe Stresi, i cili dyshohej se kishte ftuar Medin në klub me qëllimin për ta përballur me Noizy-n.
Pas arrestimit të Noizy-t në Zvicër, Stresi reagoi publikisht, duke postuar fotot e Medit të dhunuar nga incidenti i kaluar dhe duke komentuar se ai vetë nuk kishte udhëtuar drejt Zvicrës që nga ajo kohë, pasi e dinte që Medi – si shtetas zviceran – kishte mundësi të bënte një kallëzim edhe atje.
Reagimi i Stresit u pasua menjëherë nga një përgjigje e Medit. Ai publikoi një screenshot të postimit të tij dhe shkroi “Zoti është i madh, vonon, po nuk harron.”
Sipas tij, Noizy dhe Stresi bashkëpunuan pas shpine në natën e incidentit, duke u shprehur “Akoma ndiheni krenarë për këtë gjë?”. Më tej, Medi theksoi se fotot e dhunës, të cilat ishin postuar e më pas fshirë nga rrjetet sociale prej Stresit, ishin në zotërim vetëm të autoriteteve. Sipas tij, fakti që Stresi i fshiu ato më vonë, dëshmon se ai dhe Noizy janë në të vërtetë “personat e pabesë që bëjnë krime të organizuara” dhe jo ai.
Nga ana tjetër, Noizy nuk kishte dijeni për ekzistencën e një kallëzimi penal në Zvicër, që kishte lidhje me ngjarjen me Medi Isenin në gusht të vitit të kaluar në Pejë të Kosovës.
Reagimi i Noizyt
Noizy ka reaguar pas lirimit nga policia zvicerane me urdhër të prokurorisë së Zyrihut.
Në një postim në rrjetet sociale, Noizy, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku, thotë se bëhet fjalë për një keqkuptim të rëndë.
Ai pretendon se është përfshirë padrejtësisht në një procedurë verifikimi nga autoritetet zviceriane pas shpifjeve ndaj tij nga një person.
Noizy paralajmëron se autori do të përballet me pasojat ligjore, “deri në dënimi maksimal që parashikon ligji zviceran”.
“Një keqkuptim i rëndë, i shkaktuar nga një shpifje e pastër, më përfshiu padrejtësisht në një procedurë verifikimi nga autoritetet zvicerane. Autori i kësaj shpifjeje do të përballet me pasojat ligjore”, shkruan Noizy në Instagram.
Ai thekson se tashmë gjithçka është lënë pas krahëve ndërsa do të vijojë koncertet. Një dedikim e ka edhe për të ëmën.
“MAMA JA DOLA”, shkroi ai.
Ndër të tjera, Noizy i kërkoi falje edhe fansave në Zvicër pasi nuk mundi të performojë në koncertin që ishte planifikuar.







