
Një sherr fizik ka shpërthyer pasditen e djeshme te klubi i Partizanit gjatë stërivtjes së përditshme.
Mësohet se shoferi i autobusit të klubit, Argent Lala ka sulmuar fizikisht me grushte Pano Xhixhon i cili është këshilltar në klub ndërsa mban postin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), pra duke pasur edhe rol në vendimet që merren në klub.
Mësohet se shkak për këtë përplasje është bërë trajtimi i lojtarit Franci Lala i cili është djali i shoferit Argent Lala. Mbrojtësi i rritur në akademinë e klubit, u rikthye këtë sezon veror në skuadër, por si fillim Abilaliaj dhe më pas trajneri Veselinoviç e kanë mënjanuar totalisht duke mos e përfshirë në listën e lojtarëve të ftuar për ndeshje.
Situata është rënduar ditën e djeshme kur lojtari u la të bëjë vrapime anës fushës gjatë stërvitjes dhe Argent Lala i cili prej dy dekadash punon si shofer i klubit, nuk ka duruar dhe në gjaknxehtësi e sipër ka sulmuar Xhixhon të cilin e konsideron një prej fajtorëve për injorimin e djalit të tij nga stafi i klubit.
Presidenti i klubit, Gazment Demi ka urdhëruar shkarkimin e shoferit të klubit. Ndërsa pritet të shihet si do të jetë e ardhmja e Franci Lalës në skuadër. Versus.al







