
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë me Poloninë në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026, një përballje teke që do të luhet në transfertë më 26 mars 2026.
Ky duel do të jetë i 16-ti mes dy vendeve dhe statistikat historike flasin qartë në favor të polakëve: 10 fitore për ta, 3 barazime dhe vetëm dy suksese kuqezi.
Fitorja e parë e Shqipërisë ndaj Polonisë daton më 29 nëntor 1953, në stadiumin “Qemal Stafa”, ku kuqezinjtë triumfuan 2-0 falë golave të Loro Boriçit dhe Refik Resmjas në minutat 12 dhe 35.
Plot 70 vite më vonë, më 10 shtator 2023, Shqipëria arriti fitoren e dytë historike, sërish 2-0, kësaj here në “Air Albania”, me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut – një fitore që i forcoi ndjeshëm pozitat e skuadrës në rrugën drejt Euro 2024.
Humbja në Tiranë pati pasoja të menjëhershme për Poloninë, e cila shkarkoi trajnerin Fernando Santos vetëm tre ditë pas ndeshjes.


