
Përballja e parë mes Vanesës dhe Indrit pas përfundimit të rrugëtimit të tyre në “Ferma VIP” është shoqëruar me debate, akuza dhe sqarime për marrëdhënien që lindi brenda reality show-t dhe përfundoi menjëherë pas eliminimit të saj.
Gjatë emisionit “Post Ferma VIP”, Vanesa u shpreh e zhgënjyer nga sjellja e Indrit pas daljes së saj nga formati, duke thënë se biseda e vetme që kishin pasur pas finales e kishte bindur se ai nuk kishte pasur ndjenja të vërteta.
“Kemi pasur një bisedë te after party. Një bisedë shumë të shkurtër, pesë minuta. Në ato pesë minuta vërtetova edhe njëherë atë që kisha krijuar, ishte shumë i ftohtë në logjikën, në atë që thoshte. Kuptova që s’kishte pasur pikë ndjenje”, deklaroi ajo.
Vanesa tregoi se para eliminimit kishte qenë plotësisht e përfshirë në raportin me Indrin dhe se deri në momentin e largimit ishte kujdesur për të.
“Ne ishim shumë, shumë mirë. Përgjatë gjithë javës së fundit unë i jam dhënë 150% Indrit dhe deri në ditën e fundit meraku im ka qenë si ishte ai. Kur kam dalë, kam lënë amanet rrobat dhe fizikën e Indrit. Pesë minuta që dola, pastaj ishte si një pluhur, u harrua çdo gjë që kishte ndodhur këtu brenda”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Indri mohoi që marrëdhënia të kishte qenë strategji dhe këmbënguli se pëlqimi i tij për Vanesën kishte qenë i sinqertë.
“Unë të gjitha gjërat që t’i kam thënë ty, i kam thënë se i kam ndjerë vërtet. Nuk ka qenë strategji. Kam pasur një pëlqim të madh për ty që në ditën e parë. Më ke pëlqyer shumë për vajzën që je, për artisten që je dhe për shpirtin e pastër që mendoj se e ke”, u shpreh ai.
Megjithatë, Indri sqaroi se nuk e kishte konsideruar raportin e tyre si një lidhje të mirëfilltë dashurie.
“Në momentin që ti më thua ‘të dua’, ‘jam e përfshirë’, unë kam thënë ta marrim me qetësi. Ka qenë një marrëdhënie njohjeje. Të dashur s’kemi qenë”, deklaroi ai.
Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Vanesës, e cila e pyeti se si do ta përkufizonte ai marrëdhënien e tyre.
“Nëse të pyesin: ‘Vanesa Sono çfarë e ke pasur?’, çfarë do thuash ti? Do thuash e kam pasur shoqe? Çfarë kemi qenë ne të dy?”, iu drejtua ajo.
Debati u fokusua edhe te afrimiteti i Indrit me Klevisën pas largimit të Vanesës nga shtëpia. Vanesa e akuzoi se e kishte harruar menjëherë pas eliminimit dhe se kishte ndryshuar qëndrim sapo ajo kishte dalë nga loja.
“Vjen Klevisa, pas pesë minutash që unë isha larguar, shkon merr Klevisën, harrove dhe patericën. Madje në një moment the: ‘Shpëtova nga skemat’. Nga cilat skema?”, tha ajo.
Indri mohoi që Klevisa të kishte ndikuar në ndarjen e tyre, duke pranuar vetëm se kishte gabuar në mënyrën se si ishte shprehur publikisht.
“Klevisa s’ka lidhje me ndarjen tonë. Bëra gabim, shumë gabim që shpreha diçka të sinqertë për Klevisën”, u përgjigj ai.

