Çfarë do të gjeni në brendësi
Prej orës 19:00, ka nisur në sheshin “Skënderbej”, marshimi drejt Kryeministrisë ku mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë. Të mbledhur me pankarta dhe flamuj kuqezi, rezistenca qytetare është në ditën e 24-të ku protestuesit kanë artikuluar thirrje për ndryshim dhe kanë vijuar me kërkesat e tyre drejtuar qeverisë. Sipas tyre, ndër kërkesat kryesore mbeten dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe ndalimi i projekteve që ata i konsiderojnë problematike, përfshirë edhe projektin e Zvërnecit.
“Boll është boll”/ Arkitektja nga Durrësi paralajmëron: Një ligj më i tmerrshëm pritet të kalojë në Parlament

Një protestuese ka ngritur shqetësimin për një projektligj që sipas saj pritet të miratohet së shpejti në Parlament dhe që lidhet me kalimin në pronësi të tokës bujqësore për persona fizikë dhe juridikë të huaj.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestën e 24-t radhazi në Tiranë, arkitektja Entela Koja, e njohur për qëndrimin e saj ndaj projektit TID, ajo e cilësoi nismën si një ligj “të tmerrshëm”, duke paralajmëruar se miratimi i tij do të ketë pasoja të rënda për vendin.
Sipas saj, projektligji ka kaluar tashmë në komisionet parlamentare dhe pritet të shqyrtohet në seancë plenare.
“Ka një ligj akoma edhe më të tmerrshëm që po kalon këto ditë pranë Parlamentit. Ka kaluar në komisione dhe pritet të kalojë në Parlament. Ky projektligj për tokën ka të bëjë me kalimin në pronësi të tokës bujqësore personave fizikë dhe juridikë të huaj. Ky është një ligj i tmerrshëm. Nëse kalon, Shqipëria nuk është më e shqiptarëve”, deklaroi ajo.
Protestuesja iu referua edhe kërkesave të artikuluara më herët nga grupi koordinues i protestës për rishikimin e një sërë ligjesh, mes tyre ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore dhe ligjin 21/2024.
Ajo u bëri thirrje deputetëve të mos miratojnë ligje që, sipas saj, cenojnë interesat dhe pronat e qytetarëve shqiptarë.
“Ne jemi këtu për t’u thënë parlamentarëve shqiptarë: kthehuni në nivelin e këtij sheshi dhe mos kaloni asnjë ligj që është në dëm të shqiptarëve, ndryshe do t’ju mbulojë turpi”, u shpreh protestuesja.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo kërkoi ndalimin e çdo procedure që sipas protestuesve prek të drejtat e pronës së qytetarëve dhe bëri thirrje për kundërshtimin e projektligjit.
“Ndaj ne do t’u themi parlamentarëve shqiptarë, ndaloni çdo procedurë, çdo projektligj në shkelje të të drejtave të pronave të shqiptarëve. Boll është boll”, deklaroi ajo para pjesëmarrësve në protestë.
Rama i bëri ftesë në facebook të bisedonin, protestuesi Erlis Sina: Nuk mund të jemi miq

Protestuesi Erlis Sina ka reaguar nga protesta e 24-t radhazi në Tiranë ndaj mesazhit publik që Kryeministri Edi Rama i adresoi më herët gjatë ditës, duke deklaruar se nuk mund të ketë miqësi me kreun e qeverisë.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Sina tha se Rama kishte tentuar të paraqitej si mik i tij, por sipas tij kjo është e pamundur, pasi e konsideron kryeministrin përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhen shumë qytetarë shqiptarë.
“Unë jam Erlis Sina, ai i cili Rama u zgjua sot në mëngjes dhe tentoi të bëhej miku im. Por përgjigjen që ia dhashë aty, po ja jap edhe këtu. Unë s’mund të bëhem miku i Ramës, sepse Rama ka tradhtuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj Edi Rama unë nuk jam si ti. Ti nuk mund të qash hallet e mia, sepse ti je shkaktari i tyre”, u shpreh ai.
Sina akuzoi kryeministrin se gjatë ditëve të protestës ka tentuar të etiketojë dhe përçajë pjesëmarrësit në tubime.
“24 ditë je munduar të na përçash, të na bësh agjentë iranianë, grekë, serbë. Je munduar të na etiketosh. Ne jemi të gjithë shqiptarë. Për ne Shqipëria është e para”, deklaroi protestuesi.
Ai shtoi se protestuesit janë të vendosur të vijojnë qëndresën e tyre deri në realizimin e kërkesave që kanë artikuluar prej nisjes së protestave.
“Sot ka ardhur dita të largojmë Ramën nga pushteti. Rama u ka thënë shqiptarëve ‘fuck you’. Ne kemi vetëm një përgjigje për të: Rama jepe dorëheqjen”, tha Sina para të pranishmëve.
Protesta masive qytetare kundër qeverisë, diaspora lajmëron rikthimin në Tiranë më 4 korrik

Diaspora do të rikthehet sërish në protestën masive qytetare më 4 korrik.
Lajmi është bërë i ditur në protestën e sotme, ku mijëra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë ku protestojnë kundër projektit të Zvërnecit , si dhe kërkojnë ndryshim të klasës politike në vend.
“Kam një njoftim. Qëndrestarët dolën me disa pika. Kemi marrë shumë mesazhe nga diaspora dhe më datë 4 korrik e gjithë diaspora do të jetë këtu” u shpreh një qytetar i pranishëm në protestën e sotme.
Një pjesë e mirë e migrantëve shqiptarë mbërritën mesditën e 20 qershorit duke mbushur sheshin para Kryeministrisë me flamuj kuq e zi e pankarta ku kërkonin ndryshimin e klasës politike.
FOTO/ Protesta e 24-t radhazi në Tiranë, merr pjesë dhe ish-ambasadori i OSBE-së

Protesta e 24-t radhazi në Tiranë ka vijuar edhe këtë mbrëmje me pjesëmarrje qytetare nga Tirana dhe qytete të tjera.
Në tubim është parë edhe pjesëmarrja e ish-zv. ambasadorit të OSBE në Tiranë, i cili i është bashkuar protestuesve gjatë marshimit.
Tubimi ka nisur në Sheshi Skënderbej dhe më pas protestuesit kanë marshuar drejt Kryeministrisë në Tiranë, ku janë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në qeverisje.
Pjesëmarrja e shqiptarëve nga diaspora është shtuar në protestat e fundit, duke u interpretuar nga organizatorët si një tregues i pakënaqësisë së zgjeruar përtej kufijve tëvendit.Versus.al
“Rama u mor personalisht me disa prej nesh”, aktivisti: Do e lexojmë përditë, dorëheqja e tij është pika e parë e pa negociueshme!

Protesta e 24-t radhazi në Tiranë ka vijuar edhe këtë mbrëmje me pjesëmarrje qytetare nga kryeqyteti dhe qytete të tjera, në kuadër të një mobilizimi që po zgjat prej më shumë se tre javësh.
Në nisje të fjalimeve, aktivisti Edison Lika ka lexuar deklaratën dhe kërkesat e protestuesve, duke theksuar se dokumenti do të lexohet çdo ditë në shesh, pasi sipas tij ka shkaktuar reagim dhe vëmendje nga qeveria.
Sipas tij, protesta është mbarëpopullore dhe kërkon të bëjë publike arsyet e vijimit të tubimeve të përditshme
Në deklaratën e lexuar në shesh, protestuesit kërkojnë:
Dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit dhe qeverisë aktuale
Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor
Ndryshime kushtetuese që garantojnë barazi të plotë të qytetarëve para ligjit
Miratimin e ndryshimeve përmes referendumit popullor
Sipas kërkesave, në këtë paketë përfshihen edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, ligjin për financimin e partive politike dhe kufizimin e mandatit të Kryeministrit në maksimum dy mandate gjatë karrierës politike.
Kërkesa për shfuqizim ligjesh
Protestuesit kërkojnë gjithashtu:
anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore
shfuqizimin e “Paketës së Maleve”
shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike
Në deklaratë kërkohet edhe hartimi i një “kontrate të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas protestuesve duhet të përpilohet pas konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga vetë sheshi i protestës.
Sot protesta e 24-të qytetare kundër qeverisë, nis marshimi në bulevardin e madh drejt Kryeministrisë

Mijëra qytetarë janë rikthyer sërish këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej”, atje ku është kthyer në ritualitet grumbullimi i protestuesve të cilët marshojnë më pas drejt Kryeministrisë.
Sipas organizatorëve, protesta e sotme konsiderohet ndër më të rëndësishmet deri tani, pasi vjen pas një periudhe të gjatë mobilizimi të pandërprerë qytetar, ku janë artikuluar shqetësime për korrupsionin, mungesën e transparencës, keqqeverisjen dhe emigrimin e të rinjve.
Në tubimet e mëparshme është vënë re edhe pjesëmarrja e shqiptarëve nga diaspora, të cilët i janë bashkuar protestës në mbështetje të kauzës së protestuesve.Versus.al

