Live Updates /

"Ikën edhe karvanet e diasporës', Rama reagime për protestat: Ata që tallen me ndërhyrjen e Iranit, do ndihen të turpëruar

*Kryeministri Edi Rama e nisi sot ditën duke reaguar ndaj një protestuesi të cilit i publikoi foton në rrjete sociale teksa e priste në shkallët e kryeministrisë. *Nëpërmjet një shkrimi të gjatë duke iu drejtuar protestuesit, Rama tha se e kuptonte ndërsa shtoi se diaspora e kishte lënë vetëm, po ashtu edhe influencerët që sipas tij së bashku me ‘algoritmin’ e kishin joshur për t’ju bashkuar protestës. *Nuk vonoi as përgjigjia e protestuesit i cili tha se vetë Rama e kishte detyruar t’i bashkohej protestës me gjendjen ku sipas tij e ka sjellë vendin dhe emigracionin masiv të të rinjve. *Reagimet e Ramës të lidhura me protestën vijuan, duke pasuar atë ndaj ish-ushtarit të UÇK Dritan Goxhaj duke thënë se ky i fundit nuk kishte luftuar për UÇK siç pretendonte. Ndërsa në një tjetër reagim Rama kritikon hoxhë Mustafa Tërniqin për shkak se ky i fundit po mbështeste protestën vazhdimisht.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Kryeministri Edi Rama e nisi sot ditën duke reaguar ndaj një protestuesi të cilit i publikoi foton në rrjete sociale teksa e priste në shkallët e kryeministrisë. *Nëpërmjet një shkrimi të gjatë duke iu drejtuar protestuesit, Rama tha se e kuptonte ndërsa shtoi se diaspora e kishte lënë vetëm, po ashtu edhe influencerët që sipas tij së bashku me ‘algoritmin’ e kishin joshur për t’ju bashkuar protestës. *Nuk vonoi as përgjigjia e protestuesit i cili tha se vetë Rama e kishte detyruar t’i bashkohej protestës me gjendjen ku sipas tij e ka sjellë vendin dhe emigracionin masiv të të rinjve. *Reagimet e Ramës të lidhura me protestën vijuan, duke pasuar atë ndaj ish-ushtarit të UÇK Dritan Goxhaj duke thënë se ky i fundit nuk kishte luftuar për UÇK siç pretendonte. Ndërsa në një tjetër reagim Rama kritikon hoxhë Mustafa Tërniqin për shkak se ky i fundit po mbështeste protestën vazhdimisht.

5 Postime
1 ORE ME PARE

Rama i kthehet hoxhës që mbështet protestën: Mos bëj punën e shejtanit, e ke vendin në xhami

"Ikën edhe karvanet e diasporës', Rama reagime për
Edi Rama, hoxhë Mustafa Tërniqi

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me reagimet e tij ndaj personave të përfshirë me protestën që zgjat prej 3 javësh para kryeministrisë ku kërkohet dorëheqja e tij dhe e klasës së vjetër politike.

Në postimin e radhës, Rama ka shigjetuar hoxhën Mustafa Tërniqi të cilin e pyeti se për llogari të kujt po e mbështet protestën. Më tej shkroi se puna e hoxhës është të qëndrojë në xhami dhe të drejtojë lutjet.

Ndërsa i kërkoi të merrte shembull nga urtësia e Komunitetit Musliman që nuk ka reaguar për këtë protestë, Rama shkroi më tej “paçka se nuk je as pjesë e tij, se s’po të them gjë për si e qysh u ndërtua asokohe xhamia jote”.

Postimi i plotë i Ramës:

Ah, pra unë e paskam ditur diçka kur ia tregova shqiptarëve këtë “hero” të flamingove.

Po pyetja ime tani është, po ti o hoxhë për llogari të kujt je futur në protestë se vendi yt është në xhami dhe për ty që duhet të drejtosh lutjet, Kurani thotë se mbi kurrizin tënd rëndon një përgjegjësi e madhe, për të paqtuar shpirtrat, për të predikuar të vërtetën dhe për të mos e fshehur dijen?¿ Pra shkurt llafi, të mos luash kukamçefthi hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën.

Dhe merr shembull nga urtësia e Komunitetit Musliman, paçka se nuk je as pjesë e tij, se s’po të them gjë për si e qysh u ndërtua asokohe xhamia jote.

Toleranca e madhe nuk është as dobësi e as mosdije për shumë gjëra të pathëna i dashur hoxhë.

Askush të mos dyshojë se do t’ia lejoja vetes të merresha kështu me këdo protestues që s’ka mizë në vesh kur flet, se po t’ia lejoja s’do respektoja rolin dhe detyrën time ndaj shqiptarëve. Po shqiptarët, në daç në punë, në daç në protestë e në daç në kafe, s’mund të lejojnë që këta të mizave instaluara në vesh, t’i nxisin keq e më keq kundër njëri-tjetrit… Versus.al

3 ORE ME PARE

“Mos ja kajni nanën krejt”, e cilësoi ish-ushtarin e UÇK si agjent të Iranit, Rama: Manipulator gjysëm taleban

"Ikën edhe karvanet e diasporës', Rama reagime për

Duke reaguar për kritikat që mori pasi e cilësoi Dritan Goxhajn si agjent të Iranit, kryeministri Edi Rama ka publikuar një dokument për të cilin pretendon se ia ka dërguar një shqiptar i Kosovës.

Në dokumentin e pretenduar, paraqitet një bisedë që tregon se Goxhaj nuk ka qenë luftëtar i UÇK. Rama shkruan më tej se nuk ka patur qëllim të njollosë flamurin e UÇK-së me reagimin ndaj kërkesave të lexuara nga Goxhaj.

“Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që i revoltuar me hosanatë e mbrojtësve të këtij tipit, më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah.

Ndërsa këto janë fjalët e mia:

Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së????????????????????

Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet”- shkruan Rama. Versus.al

4 ORE ME PARE

"Je autor i emigrimit masiv dhe padrejtësive", qytetari i përgjigjet Ramës: Dalim në shesh se ndihemi të huaj në vendin tonë

"Ikën edhe karvanet e diasporës', Rama reagime për

Erlis Sina, protestuesi të cilin kryeministri Edi Rama e publikoi në rrjetin e tij social ku bëri edhe një shkrim të gjatë duke thënë se e kishin lënë vetëm, i është përgjigjur kreut të qeverisë.

Sina i kërkon Ramës që të mos përpiqet të shfaqet si “shpëtimtari” ndërkohë që sipas tij është shkaktari i shumë gjërave negative për vendin. Duke e nisur nga emigrimi i të rinjve, qytetari shkruan se kryeministri nuk dëgjon askënd përveç vetes dhe numri i madh i protestuesve lidhet me vuajtjet që ata kanë prej vitesh.

Duke i kërkuar që të mos ia përdorë fotografinë, qytetari i shkruan Ramës se është në shesh për arsye që ai i di mirë, jo sepse e ka mashtruar dikush.

Postimi i plotë i qytetarit:

Pergjigje e detyruar per Edi Ramen!

UNË NUK JAM TI!

Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde.

Unë nuk jam ti.

Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.

Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve.

Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.

Ti je.

Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.

Ti nuk je viktima e halleve të mia.

Ti je autori i tyre.

Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri.

Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre.

Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes.

Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë:

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës.

Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.

Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit.

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë.

Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi.

Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat.

Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita.

Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.

Sepse paguajnë faturat.

Sepse kërkojnë punë.

Sepse presin në spitale.

Sepse shohin fëmijët të largohen.

Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre.

Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton.

Po i përçmon.

Fotografia ime në murin tënd më bën pis.

Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua.

Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua.

Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar.

Unë nuk jam ti.

Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush.

Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu. Versus.al

5 ORE ME PARE

“S’jam kumbari, u them f*ck you”, Rama për FT: Pastrimi i parave s’është problem i madh! Ndodh edhe në Londër

"Ikën edhe karvanet e diasporës', Rama reagime për

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median ndërkombëtare Financial Times pas më shumë se 3 javësh protestash masive ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e tij të menjëhershme dhe të gjithë klasës politike.

Mes thirrjeve për ndjekjen e tij penale dhe akuzave për korrupsion, Rama pati një përgjigjie.

“Njerëzit thonë se unë jam kumbari i të gjithë kësaj. Unë u them atyre të “f*ck you”. Kaq e thjeshtë,” tha ai. “Nuk është puna ime të provoj se nuk jam Kumbari, është puna e tyre të provojnë se jam Kumbari.”

Ai foli edhe për goditjet e SPAK ndaj lordëve të drogës që pastronin paratë në Shqipëri duke ndërtuar kulla të larta, mes të cilëve edhe për Artur Shehun, njërin prej pronarëve të tokave në Zvërnec. Rama tha se pastrim parash ka edhe në Londër.

"Të thuash se ekonomia shqiptare është [bazuar] në pastrimin e parave, kjo është e tmerrshme," i tha Rama FT në zyrën e tij me pamje nga bulevardi ku dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar çdo natë për më shumë se tre javë.

"Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem kaq i madh," shtoi ai. "Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Po. Por a mund të thoni se ekonomia britanike është në një pjesë të madhe pastrim parash? Jo."

Ai përsëriti akuzat se protestat ishin nxitur nga armiqtë e presidentit amerikan, përfshirë Iranin.

"Ka shumë interes për ta shkatërruar këtë projekt... për shkak të Trumpit," tha ai. "Nëse nuk do të ishte Jared Kushner... askush nuk do të interesohej për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është gjithë urrejtja kundër Trumpit që krijon të gjithë këtë shqyrtim."

Ai tha se ishte i bindur se planet e zhvillimit bregdetar do të vazhdonin pavarësisht protestave.

“Pjesa e rëndësishme është që investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë [të përfshirë në] pastrim parash”, tha Rama për FT. “Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një shans historik për Shqipërinë.” Versus.al

6 ORE ME PARE

“Ikën dhe karvanet e diasporës”, Rama nxjerr foton e protestuesit para qeverisë: Të përdorën, je vetëm

"Ikën edhe karvanet e diasporës', Rama reagime për

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestën që prej më shumë se 23 ditësh mbahet vazhdimisht në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe të klasës politike.

Ndërsa nuk pati asnjë reagim për masivitetin e protestës të së shtunës, Rama ka zgjedhur që të postojë sot një protestues të ulur para kryeministrisë ku kishte kaluar edhe natën. Me një shkrim të gjatë në rrjetin e tij social, Rama u përqendrua tek protestuesi i vetëm duke i thënë se ishte braktisur para godinës së qeverisë nga influencerat, partitë e reja politike dhe nga diaspora.

"Influencerat, blogerat e kullerat që të bënë të ndjehesh heroi i tyre, duke të dhënë për herë të parë në jetë ndjesinë dehëse të pushtetit që ka shpirti i luftëtarit të dalë nga radhët e popullit mbi të kamurit, të famshmit, të njohurit dhe pse jo, troç, edhe ndjesinë e fortë të mashkullit që si në një përrallë, u bë idhulli i femrave të paarritshme të botës së luksit, kanë fluturuar edhe ata larg, me krahët e orgazmës për vrullin e mbrëmshëm të lajkeve e të follouersave, të cilët hynë në gjinjtë e në shalët e tyre si protestues, por tanimë do të mbeten në listën e tyre si klientë të reklamave për vilat, hotelet, kremrat, parfumet dhe brekët joshëse për skllevërit e algoritmit.

Ikën edhe karvanet e “diasporës” nga Kosova e Tetova. Të përdorën ty, për të sjellë në Tiranë me vrazhdësinë brutale të hordhive pushtuese, mllefe politike sallahanash të pjesëve të tjera të kombit tonë. Kundër qeverisë tënde në Shqipëri, të cilën ti nuk je asfare i detyruar ta duash. Nuk je as i ndaluar ta luftosh. Por nuk ke as të drejtën të lejosh të tjerë të vendosin për të dhe të flasin në emrin tënd; djemtë e axhallarëve dhe cucat e hallave, nuk vijnë dot në shtëpinë tënde për të vendosur"- shkruan Rama mes të tjerash. 

Postimi i plotë i Ramës:

MIRËMËNGJES I DASHUR PROTESTUES

Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij.

Ti i je bashkuar vorbullës thithëse të turmës, sepse beson sinqerisht se po mbron diçka të çmuar.

Ndoshta ti ke frikë se vendi po shkon drejt humnerës. Kapitalistët e huaj do të gllabërojnë natyrën. Zogjtë e rrallë të Shqipërisë do të vdesin. Atdheu yt ka dalë në shitje.

Ose ndoshta ti nuk je i shqetësuar për zogjtë e as nuk e di fare ku bie tamam laguna e Nartës. Po mbase je i zemëruar ngaqë ke një hall tëndin. Hall pune me pronarin që të trajton si robot. S’të paguan orët jashtë orarit. Të jep gjysmën e rrogës në të zezë. Hall shëndeti në familje. Largqoftë me nënën e sëmurë që ka nevojë për ilaçe të shtrenjta. Hall prone me shtëpinë në periferi që ende nuk legalizohet apo me tokën në fshat që ende nuk regjistrohet…

Nuk e di çfarë halli ke tamam. Po di që ke një hall që jo vetëm nuk ta zgjidh askush, po as nuk ta qan kush. Besoje ose jo, po unë e ndjej brengën tënde. Sepse jo vetëm të kuptoj, po edhe të mirëkuptoj, ngaqë jam po aq i zemëruar sa ti me pronarin e pasur që kujton se pasuria i jep të drejtë të sillet si zot i fatit tënd. Me nëpunësin a me drejtorin që atij i shërben pa kushte, ndërsa ty as nuk të hedh sytë. Jam i zemëruar me arrogancën e kujtdo që detyrën ndaj teje e ushtron si pushtet mbi ty.

Por pikërisht sepse brenga jote më dhemb dhe arsyet e tua më gjejnë të bindur për legjitimitetin e tyre, unë nuk të shoh dot ashtu. Vetëm. Si një peshk jashtë ujit, pasi dallga e madhe që e nxorri në breg është tërhequr e tëra. Dhe ata që të thirrën për t’u bërë “deti i Shqipërisë së re”, pa pronarë arrogantë, pa nëpunës që i përulen lekut dhe përbuzin njeriun, pa halle shëndeti e pronash, pa të huaj që investojnë në tokat tona e pa investime private në brigjet tona, pa hiçasgjë që e cënon harmoninë e një vëllazërie të lumtur, sot nuk janë askund.

Ata që në studiot televizive të komentuan mbrëmë me entuziazëm si njeriu i popullit, që më në fund po lan hesapet me qeverinë dhe kryeministrin e korruptuar, ndërkohë që për vete, prej vitesh të gjata paguhen më shumë nën dorë se sa mbi dorë për të shpifur tërë të zezat dhe sharë mua me libër shtëpie, tani po flenë në shtëpitë e bollshme të blera me ulje të forta nga “oligarkët”. Mbi  dyshekë të butë të blerë me  “lëmoshat” e zeza mijëraeuroshe të këtyre të fundit.

Ata që ranë nga kali i pushtetit në tërë këto vite dhe nuk e panë kurrë tek vetja po tek kali arsyen e rënies, e që gjetën tek ti dritën e shpresave të humbura duke të ngritur në qiell, po pinë me shoshoqin kafet e mëngjesit të herët. Mezi presin që ti sonte të jesh më i zemëruar, më i paduruar, më i çartur në protestën tënde kundër regjimit që i la pa kalë, pa roje, pa vartës. Shkurt pa shijen e pashoqe të pushtetit që sa më i kotë të jesh aq më shumë të mungon.

Influencerat, blogerat e kullerat që të bënë të ndjehesh heroi i tyre, duke të dhënë për herë të parë në jetë ndjesinë dehëse të pushtetit që ka shpirti i luftëtarit të dalë nga radhët e popullit mbi të kamurit, të famshmit, të njohurit dhe pse jo, troç, edhe ndjesinë e fortë të mashkullit që si në një përrallë, u bë idhulli i femrave të paarritshme të botës së luksit, kanë fluturuar edhe ata larg, me krahët e orgazmës për vrullin e mbrëmshëm të lajkeve e të follouersave, të cilët hynë në gjinjtë e në shalët e tyre si protestues, por tanimë do të mbeten në listën e tyre si klientë të reklamave për vilat, hotelet, kremrat, parfumet dhe brekët joshëse për skllevërit e algoritmit.

Ikën edhe karvanet e “diasporës” nga Kosova e Tetova. Të përdorën ty, për të sjellë në Tiranë me vrazhdësinë brutale të hordhive pushtuese, mllefe politike sallahanash të pjesëve të tjera të kombit tonë. Kundër qeverisë tënde në Shqipëri, të cilën ti nuk je asfare i detyruar ta duash. Nuk je as i ndaluar ta luftosh. Por nuk ke as të drejtën të lejosh të tjerë të vendosin për të dhe të flasin në emrin tënd; djemtë e axhallarëve dhe cucat e hallave, nuk vijnë dot në shtëpinë tënde për të vendosur.

Ikën sigurisht, edhe ata që algoritmi dhe partitë e partiçkat e gurëve të hedhur e të duarve të fshehura, i mblodhën për të burgosur Ramën duke e kthyer bulevardin e kryeqytetit të Europës së Ballkanit, në një shesh mesjetar ku turmat e inkuizicionit ulërinin në kor për djegien e gjallë të shtrigave. Ikën qorrallapajt. Ikën ballibullistat. Ikën sypuliturat opozitare që të vinin rrotull duke folur me pasqyrën e tualetit digjital para fytyrës së tyre hipokrite. Ikën karikaturat parlamentare që nxirrnin kokën pas shqiponjës mbi kurrizin tënd…

Së bashku me armatat armike të profileve fallco e të raketave digjitale, që hidhen papushim nga Lindja tutje Europës drejt sheshit televiziv të revolucionit të flamingove dhe shpërndajnë në mijëra thërrime lajkesh e follouerash fallco, çdo bombë që gjuan një gënjeshtër, lajm të rremë, video të manipuluar, ikën edhe ata që u dyndën në bulevard nga emigracioni në shtete të huaja, si shqiponja shpëtimtare të mëmëdheut të nxjerrë nga algoritmi në sheshbetejën e kundërshtisë globale, politike, ideologjike me Presidentin e Amerikës.

Ikën të tërë!

Iku madje edhe një sorrë kobzezë, që predikonte hakmarrjen ndaj amerikanëve që vranë “vëllaun tonë”, gjeneralin iranian Kasem Suleimani, kasapin e pamëshirshëm të regjimit terrorist të Teheranit.

Ti mbete vetëm, me hallin tënd dhe pa askënd që ta qan, shembëlltyrë njerëzore e proletariatit të algoritmit, sepse algoritmi nuk ka ndjenja, nuk njeh njerëz, nuk do ideale, nuk pyet kush ka të drejtë. Ai interesohet vetëm për çfarë prodhon më shumë kuriozitet, eksitim, zemërim dhe varësi prej tij.

Ti në fakt mbete siç ishe. Ai që ishe kur u nise drejt bulevardit për të ndryshuar botën. I vetëm përballë ditës së gjatë. Me sytë e hapur në boshin që të rrethon, pas kthimit në tokë nga nata në qiellin e iluzioneve revolucionare. Ndërsa ata që u ngjitën lart në vëmendjen e dynjasë falë teje, duke të mbushur mendjen se befas u bëre ai që nuk je, forca e një revolucioni që nuk është, për përmbysjen e realitetit dhe zëvendësimin e tij me një realitet të krijuar vetëm për të të joshur ty, gatuan pa mëshirë në tiganin e pakufishëm të algoritmit, ushqimin e tyre me mishin e me shpirtin tënd.

Dhe u zhdukën.

Ti mbete aty.

Në këtë fotografi të trishtë unë nuk shoh assesi dështimin tënd. Shoh veten time dhe vështirësitë e hallet e tua. Po, sepse luftoj përditë e zemërohem jo pak, me ata që nuk ua ndjen për ato vështirësi dhe jo nuk dinë as të t’i qajnë hallet, po më keq akoma, t’i përçmojnë si ti të ishe një koment anonim në fejsbukun e tyre, jo një rob Zoti me barrën e problemeve të tua në pragun e derës së shtetit tënd.

Por shoh tek kjo fotografi e zgjimit në sheshin e zbrazët edhe shijen e tradhëtisë së gjithkujt që të përdori mbrëmë për interesat e veta. Ji i sigurtë se sado e çuditshme të të duket, më ndodh edhe mua të kem zgjime të zbrazëta me të njëjtën shije. Po njësoj, fotografia është e imja ndërsa tradhëtia është e të tjerëve, herë një bashkëpunëtor, herë një vartës i njohur a të tjera herë vartës të panjohur të vartësve, që për interesat e tyre e përdhunojnë besimin tim në forma të ndryshme. Sillen keq me njerëzit. Përçmojnë meritën. Stimulojnë farefisin. Promovojnë tarafin. Kërkojnë lekë nën dorë. Favore. E mbi të gjitha, harrojnë që ajo karrige është nder, jo uturak. Fatmirësisht, ndryshe nga ti, dita ime vazhdon me punë të pandalur, falë energjisë së mirë të plot e plot të tjerëve, që punojnë bashkë me mua.

Pra siç e sheh, kjo e imja nuk është letra e dikujt që të qan hallin duke të parë nga lart apo nga larg. Eshtë një letër e ndjerë respekti për ty që besove, luftove dhe mbete vetëm. Po njëkohësisht është edhe një shtrirje dore nga dikush që e di ç’domethënë të ndjehesh vetëm, kur besimi që jep shpërdorohet dhe lufta që bën tradhëtohet.

E di që sot mund të më shohësh si kundërshtarin tënd. Ndoshta edhe si shkakun e zemërimit tënd. Kjo letër nuk është një përpjekje që ti të më shohësh ndryshe. As një kërkesë që ta drejtosh gjetkë shigjetën e zemërimit tënd. 

Pyete vetë veten nëse armiku yt jam unë, që përpiqem papushim mes njiëmijë vështirësish që Shqipëria të bëhet çdo ditë më e mirë se një ditë më parë, apo ata që të kthyen në heroin e mbrëmjes për të të lënë në rrugë, vetëm, si shishe boshe të hedhur tutje pa kokëçarje pas një dehjeje kolektive.

Nëse përgjigja jote do të jetë akoma se armiku yt jam unë, patjetër që do ta respektoj. Sepse demokracia jeton edhe nga kjo e drejtë dhe nga respekti për këtë të drejtë. Por nëse një ditë do të kuptosh të vërtetën e thjeshtë, se halli yt nuk është asfare larg hallit tim, atëherë mos i prit aty ata që do të kthehen përsëri në mbrëmje.

Eja tek unë.

Jo të më duartrokasësh. Jo të heqësh dorë nga kritikat e tua. As të më votosh nëse nuk do të të mbushet mendja, se jo thjesht nuk jam unë e keqja e madhe që ata të kanë mbushur mendjen se jam, po unë sot jam e vetmja pengesë mes këtij vendi e teje dhe të këqijave të mëdha, që ata mund t’i bëjnë Shqipërisë po t’u hapet rruga.

Eja pra tek unë, qoftë edhe vetëm për të mos lënë askënd ta përdorë hallin tënd kundër Shqipërisë dhe as të përdorë hallet e Shqipërisë kundër teje.

Eja, sepse Shqipëria nuk bëhet as me ata që brohorasin verbërisht, as me ata që zemërohen verbërisht. Shqipëria po bëhet nga çdo shqiptar e shqiptare, që në vend se të mallkojë errësirën ndez përditë qiriun e kontributit të vet, duke shtuar në çdo hap dritën e Shqipërisë Europiane dhe pakësuar errësirën e trashëguar nga kohërat e vjetra e më të reja.

Kush do që drita të shtohet më shumë dhe errësira të tretet më shpejt është i bekuar, sadoqoftë jo dakord me mua. Ndërsa ata që do të rikthehen sonte në mbrëmje për të përdorur trupin e mishin tënd, janë vetë errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë.

Unë jam miku, jo armiku yt. Versus.al

Poll