Hetuesit amerikanë po përpiqen të përcaktojnë se si aktori fitues i Oscarit, Gene Hackman, dhe gruaja e tij, Betsy Arakawa, vdiqën. Trupat e tyre u gjetën të mërkurën në shtëpinë në New Mexico.
Zyrtarët kanë thënë se provat tregojnë se Hackman kishte vdekur qysh më 17 shkurt – 10 ditë para se të gjendeshin trupat e tyre, raportoi BBC.
Trupat e të dyve dhe i qenit që mbanin u gjetën nga policia pasi një punonjës thirri emergjencën.
Hackman u gjet në një dhomë afër kuzhinës, kurse Arakawa u gjet në banjo.
Sipas policisë, ata dukeshin se “kishin vdekur me kohë”.
Nuk është dhënë ende një shkak që çoi në vdekjen e çiftit. Autoritetet thanë se nuk kanë hasur në plagë të jashtme në trupat e tyre, por shtuan se vdekjet ishin “mjaftueshëm të dyshimta” që të niset hetim dhe të mos lihet asnjë shkak i mundshëm pa u hetuar.
Testimi për helmim me monoksid karboni ka rezultuar negativ te të dy. Autopsitë ndërkohë janë në procedurë dhe autoritetet kanë thënë se mund të duhen muaj deri në nxjerrjen e rezultateve të tyre.







