
Për fundjavën e dytë radhazi, Real Madrid ka pretenduar se është dëmtuar nga vendimet e gjyqtarit të ndeshjes.
Në derbin me Atletico Madrid që përfundoi në barazim me rezultatin 1:1, madrilenët ishin të mendimit se vendimi për t’i dhënë penallti Atleticos në pjesën e parë, nuk ishte i drejtë.
Së fundmi, Real Madrid Tv e ka komentuar rastin e penalltisë duke thënë se Tchouameni, nuk ka bërë ndërhyrje të keqe ndaj Linos pasi ky i fundit as nuk e kishte topin.
“Nuk ka absolutisht asgjë, topi tashmë ka kaluar dhe është Lino ai i cili po kërkon duelin me Tchouamenin. Problemi është se Soto Grade i ka pamjet e ngrira për ta bërë të duket se francezi po shkel mbi të”.
“Ata po manipulojnë pamjet nga VAR-i, sepse i shfaqën momentin kur këmba e Tchouamenit është mbi atë të Linos, por nëse e shihni më vonë aksionin e kuptoni se Lino bie në tokë në një mënyrë të panatyrshme”.
“Ne po përballemi me skuadrën më të favorizuar nga sistemi dhe VAR-i. Nuk ka absolutisht asgjë. Është e mrekullueshme, që ai shkoi ta shohë këtë. De Burgos Bengoetxea është mizor. Skuadra më e favorizuar nga sistemi, kjo është për të ardhur keq”, thuhej në reagimin e Real Madrid TV. Versus.al







