BOTA /

VIDEO/ Sulmoi me armë zjarri konsullatën izraelite në Mynih, policia ekzekuton autorin në përvjetorin e zi të 1972

Sipas policisë, në orën 09:00 të ditës së sotme një person me armë kishte mbërritur para Qendrës së Dokumentacionit Nazist dhe ka qëlluar efektivët e policisë që bënin roje para godinës

Shkruar nga M.H
VIDEO/ Sulmoi me armë zjarri konsullatën izraelite në Mynih,
Foto ilustruese nga vendngjarja ku forcat e policisë kanë rrethuar zonën

Policia gjermane ka qëlluar për vdekje një person, pasi kishte përhapur sulm me armë zjarri në zonën e Qendrës së Dokumentacionit Nazist në qendër të Mynihut.

Sipas policisë, në orën 09:00 të ditës së sotme një person me armë kishte mbërritur para Qendrës së Dokumentacionit Nazist dhe ka qëlluar efektivët e policisë që bënin roje para godinës.

Policia iu përgjigj zjarrit dhe e plagosi rëndë sulmuesin, i cili më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra.

Një operacion i madh policor u zhvillua në kohë rekord, pasi ndërtesa fqinje strehon Konsullatën e Përgjithshme të Izraelit, e cila gjithashtu është në mbrojtje.

Sipas mediave gjermane, në shkëmbimin e zjarrit kanë marrë pjesë fillimisht pesë punonjës policie, ndërsa identiteti i autorit mbetet i panjohur.

Policia beson se ai ka vepruar i vetëm dhe nuk është në kërkim të bashkëpunëtorëve. Megjithatë operacioni i policisë vijon me ndihmën e një helikopteri.

Ngjarja përkon në një datë veçanërisht të ndjeshme, në përvjetorin e zi të sulmit në Lojërat Olimpike të Mynihut  në vitin 1972.

Gjatë ngjarjes tragjike, terroristët palestinezë morën peng njëmbëdhjetë atletë izraelitë dhe përfundimisht i vranë, duke shënuar një nga momentet më të errëta në histori të Lojërave Olimpike.

/ Versus.al 

 

 

 

 

 

Poll