OPINION /

Antari I KLP-së që vrau edhe hipokrizinë!

Shkruar nga Versus

Antari I KLP-së që vrau edhe hipokrizinë!

Nga Irena Beqiraj

Gruan, që emrin e saj për herë të parë e mësoi nga ankesa e saj pranë institucionit ku punonte,  anëtari Këshillit të Lartë të Prokurorisë,  i përzgjedhur me kujdes nga Reforma për pavarësimin e drejtësisë,   në vend që ti përgjigjej pa vonesë e përfshiu  në një spirale të dëshpëruar favoresh seksuale .

Ky është vetëm një rast , i cili duket i rëndë sepse ka prekur  normat morale teorike  të kësaj shoqërie të cilat janë edhe pika më e lartë e hipokrizisë së saj. Por dhunimi që drejtësia në të gjithë kapilarët e saj ushtron çdo ditë mbi anëtarët e kësaj shoqërie , merr forma nga më të ndryshmet,  të gjitha dehumanizuese .

Për këdo shqiptar të thjeshtë e pa pushtet,  trokitja në dyert e institucioneve të drejtësisë  është më e rendë sesa një sëmundje terminale. Është më torturuese se  kimioterapia ti drejtohesh Ministrisë së Drejtësisë apo Organeve të Larta të Drejtësisë për të siguruar procese të drejta, e të bazuara në ligj .

Fytyra me të cilën do të  përballesh   duket edhe më e pa arsyeshme , edhe më mashtruese , edhe më dhunuese se dhunuesi për të cilin ke shkuar të ankohesh . 

Sistemi ynë "i reformuar' i drejtësisë në rastin më të suksesshëm të tij  etiketon apo  ndëshkon dhunën, shfrytëzim , abuzimin,  grabitjen kur dëmi është shkaktuar i plotë edhe pa mundësi rikuperimi.

Shumica e krimeve në këtë vend nuk janë një dështim i papritur moral, por shprehje e sistemeve nervore të patrajnuara, nevojave të paplotësuara relacionale, dinamikës së shtrembëruar të pushtetit  ,  të formëzuara në fëmijëri dhe të përforcuara nga sistemet shoqërore që ngatërrojnë bindjen me rregullin dhe pajtueshmërinë me pjekurinë.

Në këto shoqëri drejtësia nuk kuptohet siç duhet, ndaj trajtohet edhe ndërtohet vetëm si infrastrukturë reaktive, ndërkohë që është infrastruktura bazë zhvillimore e çdo shoqërie.

Kemi gjithmonë një viktimë  kur  plotësohen tre kushte: mungesa e vullnetit ; dëmi fizik , financiar edhe psikologjik ; si dhe  përdorimi brutal i pushtetit .

Këto tre kushte nuk janë të rralla por  janë normalitet në shoqëri si e jona ku njerëzit nuk janë mësuar:   si të rregullojnë emocionet intensive pa u shkëputur ose dominuar; si të tolerojnë frustrimin pa hakmarrje, si të riparojnë prishjen e marrëdhënieve pa turp, si të dëgjojnë "jo-në" pa humbur  identitetin, si të mbajnë  pushtetin pa e abuzuar me të  . Këto janë aftësi të cilat ose kultivohen herët ose mësohen me dhimbje gjatë jetës . Në shoqërinë tonë rrallë ndodh si njëra edhe tjetra.

 Në një shoqëri ku njerëzit mësohen  të shtypin emocionet, t'i nënshtrohen kontrollit ose të barazojnë vlerën me performancën, sistemet  që krijohen ose shemben nga brenda ose kërkojnë pushtet nga jashtë duke mos prodhuar drejtësi .

Pas publikimit "të skandalit " të gjithë  jemi ndjerë keq , por të ndihesh keq është e lehtë,  nuk kushton asgjë. Nuk kërkon ristrukturim , asnjë përballje me modelet ekzistuese , asnjë prerje të kalbëzimin që kemi lejuar të grumbullohet mbi shpatullat tona. 

Ne si shoqëri jemi mësuar ta  tërheqim pas vetes si një vello funerali zhgënjimin nga drejtësia .  Për më tepër  spektakli i pastër "i distancimit " të cilin e vendosim në dispozicion të ndërgjegjes sepse vetëm kështu  mund të ndihemi të drejtë duke shmangur përgjegjësinë,   errëson thjeshtësinë e asaj që refuzojnë  të bëjmë,  të përballemi me vërtetën .

Të veshur me këtë kostum, madhështor edhe  tragjik,  shmangim  ashpërsinë e ndryshimit që nevojitet.

Anëtari i Këshillit të Lartë të drejtësisë nuk është një devijim, as një dru i shtrembët brenda drejtësisë  . Ai është fytyra më përfaqësuese e korporatës së dhunës më të egër që ka ekzistuar  në këtë vend , asaj të ushtruar në emër të ligjit" .

Edhe ne nuk jemi të shqetësuar sepse këtë  e mësuam të hënën  për herë të parë , por sepse publikimi  shkallmon  të vetmen mbulesë të dështimit tonë si shoqëri ,  hipokrizinë!

Poll