POLITIKË /

Përjashtimet e këshilltarëve të PD në Durrës, Berisha: Tradhtarë, punuan për PS-në!

Berisha akuzon dy këshilltarët e PD në Durrës për tradhti dhe bashkëpunim me PS-në, ndërsa përjashtimi i tyre ndez përplasjet e brendshme në prag të zgjedhjeve për kreun e partisë.

Shkruar nga Versus

Përjashtimet e këshilltarëve të PD në Durrës,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas përjashtimit të dy këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Durrësit, Arlind Boshku dhe Dritan Burgija, duke i cilësuar ata si “tradhtarë” që kanë punuar për kundërshtarin politik.

Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se dy këshilltarët kanë shkelur besimin e dhënë nga partia, duke mbështetur kandidatët e Partisë Socialiste gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ai theksoi se liria e mendimit është e garantuar në parti, por qëndrimet politike që bien ndesh me interesat e saj sjellin përjashtim automatik.

"Së pari, më duhet të them se këtu, para jush, në mënyrë të përsëritur, por edhe para anëtarësisë së partisë në Durrës, këta dy zotërinj janë denoncuar nga Sali Berisha për qëndrimet e tyre antistatutore gjatë fushatës elektorale dhe qëndrimet si këshilltarë të PD-së në këshillin bashkiak të Durrësit. Njëri kryetar, tjetri këshilltar. 

Pra, ata që pretendojnë se janë ndëshkuar për fjalët, për mendimet, ata mashtrojnë veten dhe mashtrojnë të tjerët. Në mënyrë absolute, jo. Por ata të cilët ngatërrojnë fjalët dhe mendimet, të cilat në këtë parti kanë qenë dhe do mbeten gjithmonë të lira, me qëndrimet, ata bëjnë një gabim që duhet ta rishqyrtojnë. Nuk ka asnjë lidhje se nuk mund të më citojë kush një deklaratë të tyre. Më thoni ju mua një deklaratë që ata kanë bërë. 

Jo. Asnjë deklaratë nuk kanë bërë ata. Nuk kam unë një deklaratë. Çdo njeri është i lirë të bëjë çdo deklaratë që do, liria e mendimit është e garantuar. Por qëndrimet janë qëndrime. Në qoftë se ti, në fushatë elektorale në betejë, besimin që ta dhanë, sekretar politik dege, e përdor si Dash Sula, atëherë ti e përjashton veten nga partia dhe organet. Në qoftë se punon për kandidatët e PS, dhe jo për kandidatët e PD duke mbajtur postin që ke, ti ke mbajtur një qëndrim që ke nxjerrë veten vetë jashtë partie.",tha Berisha.

Vendimi për përjashtimin e Boshkut dhe Burgijës është zyrtarizuar më 23 mars nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, me argumentin e shkeljes së etikës dhe integritetit.

Nga ana tjetër, dy këshilltarët e përjashtuar e kanë cilësuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar, duke akuzuar drejtuesit e partisë për mungesë transparence dhe meritokracie.

Ata kanë shprehur gjithashtu mbështetje për Ervin Salianji, në një kohë kur gara për kreun e PD-së është caktuar për 23 maj.

Përjashtimi vjen në një moment delikat për Partinë Demokratike, në prag të zgjedhjeve për drejtimin e saj, ku Berisha ka konfirmuar kandidimin, ndërsa në garë pritet të jetë edhe Salianji, duke shtuar tensionet brenda partisë./Versus.al

Poll