Komisionerja për zgjerimin, Marta Kos ka reaguar ashpër lidhur me deklaratën e bërë sot nga kryedemokrati Sali Berisha në mbështetje të protestës kundër ligjit për gjinitë. Berisha i përmendi orientimin seksual ambasadorit të BE, Silvio Gonzatos duke i thënë se këtë gjë nuk mund t'ja imponojnë shoqërisë shqiptare.
Kos në reagimin e saj në rrjetin 'X' shkruan se deklaratat e Gonzatos për gjinitë janë pjesë integrale e ligjit të BE dhe se sulmet ndaj tij janë të papranueshme.

“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë personale e Ambasadorit të BE në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkruan Marta Kos.
Kuvendi u përfshi sot nga debate të shumta lidhur me projektligjin që pritet të votohet nga qeveria për barazinë gjinore pasi sipas opozitës dhe shoqatave pro familjes, ligji i hap rrugë shkatërrimit të shoqërisë shqiptare me gjini të pacaktuara, pjesë të agjendës Soros. Versus.al

