POLITIKË /

Blushi paralajmëron efektivët që arrestuan me dhunë Metën: Po mbledhim informacion për ju, do ndëshkoheni

Duke e konsideruar arrestimin e Metës si "rrëmbim nga një skuadër terroriste", Blushi paralajmëroi efektivët e Forcave Operacionale se po mblidhet informacioni për të gjithë dhe do të ketë ndëshkime.

Shkruar nga Versus
Blushi paralajmëron efektivët që arrestuan me dhunë
Ilir Meta dhe arrestimi i tij në hyrje të Tiranës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërcënuar sërish efektivët e Operacionales të cilët kryen aksionin e arrestimit të kreut të PL-së Ilir Meta gjatë mesditës së djeshme në Tiranë.

Duke e ripostuar videon e arrestimit me forcë të Metës, Blushi shkruan se kishte dështuar skenari destabilizues për eleminimin fizik të ish-presidentit, ndërsa paralajmëroi efektivët e Operacionales se do të ndëshkohen.

“Skenari kriminal destabilizues për eliminimin fizik të Presidentit Ilir Meta dështoi! Por skuadra terroriste që mori pjesë në rrëmbimin dhe dhunimin fizik të tij do të ndëshkohet pa mëshirë pavarësisht maskave në surrat! Dhuna e ushtruar, siç provon qartë kjo video, nuk do të tolerohet dhe kurrë nuk do të amnistohet!”- shkruan Blushi.

Ai tha se po mblidhet informacion për ata të cilët kryen arrestimin me forcë të Ilir Metës dhe sulmoi edhe ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha për reagimin e këtij të fundit në rrjetet sociale sa i takon aksionit të prangosjes së kreut të Partisë së Lirisë.

“Partia e Lirisë është duke mbledhur informacion për emrat e të gjithëve terroristëve që nga dje e kanë personale me çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot. Me reagimin e sotëm provokues të zarit ordiner të Edi Ramës në krye të Narkoministrisë së Brendshme dhe avokatisë që i bëri skuadriljes terroriste është e qartë se gjithçka ka qenë e urdhëruar nga lart.  Askush nuk do t'i shpëtojë ndëshkimit sipas përgjegjësive që ka patur në këtë akt terrorist!”- përfundon Blushi në reagimin e tij.

Në reagimin që bëri ditën e sotme, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se arrestimi me dhunë i Metës është bërë pasi ky i fundit refuzoi t’i bindej urdhrit të efektivëve duke i kundërshtuar me forcë policët e Operacionales. Hoxha tha se nëse kreu i PL do të kishte pranuar të shoqërohej për në makinën private të Forcave të Operacionales, asgjë prej këtyre nuk do të kishte ndodhur. Versus.al

Poll