
Këshilli i ministrave ka caktuar edhe për këtë fundvit një bonus për pensionistët e vendit. Gjatë seancës në komisionin për Çështjet Ligjore, ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se qeveria ka parashikuar që bonusi i pensionistëve të shpërndahet njëjtë si një vit më parë.
“Kush ka pension deri ne 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë, dhe kush ka pension mbi 20 mijë lekë do të marrin bonus fundviti 10 mijë lekë.”- deklaroi ministri.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Malaj tha se deri në fund të mandatit të katërt të PS synohet që pensioni minimal të jetë 200 euro.
“Deri në fund të mandatit pensioni minimal do të jetë 200 euro, dhe ai mesatar 400 euro. Jemi duke punuar me ministrinë e Ekonomisë për rritjen e pensioneve, dhe besoj se përgjigjet do ti merrni në buxhetin e vitit 2026”, tha Malaj.
Sipas rishikimit të buxhetit 2025, qeveria ka parashikuar që në këtë fundvit, pensionistët të kenë një buxhet më të madh, plot 5.9 miliardë lekë në total. Bonusi i fundvitit do të shpërndahet në muajin dhjetor për rreth 756 mijë pensionistë. Versus.al
