POLITIKË /

Brenda vitit punonjësit e administratës publike do e zgjedhin vetë orarin e punës! Ja cilët përjashtohen

Shkruar nga B.V

Brenda vitit punonjësit e administratës publike do e zgjedhin

Nënpunësit e administratës publike së shpejti do të mund të zgjedhin vetë orarin e punës. Lajmin e dha ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni e cila foli për nismën e emërtuar “Paketa e Motivimit të Administratës”.

Paketa përfshin rritjen e pagave për vitin 2024, mundësinë e fleksibilitetit të orarit në punë, vlerësimin e performancës së punonjësve të admninistratës dhe masa mbështetëse për mbarëvajtjen e punës.

Kjo gjë do të jetë e mundur brenda këtij viti ku punonjësit do të mund të zgjedhin nisjen e orarit të punës në ditë të ndryshme dhe ta përfundojnë më herët, ose mund të ndodhë e kundërta që të vijnë më vonë për shkak të ndonjë angazhimi familjar dhe të përfundojnë më vonë punën.

Pirdeni tha se skema është aplikuar në disa vende të Evropës por theksoi se përjashtohen nga kjo skemë punonjësit të cilët kanë kontakt të drejtëpërdrejtë me qytetarin.

“Teksa të gjithë duhet të jemi në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00 me 15:30. Kolegët mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjella, praktikë kjo tashmë e aplikuar në disa vende të Evropës, dhe që natyrisht i përjashton ato njësi që kanë kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin.

E dyta në listë, ishte një kërkesë e përsëritur për të hequr kufizimin ligjor që buron nga Kodi i Punës, për marrjen e lejes vjetore në jo më pak se një javë kalendarike. Ju e kërkuat masivisisht, si një ndër prioritetet kryesore, dhe ne po përgjigjemi për heqjen e këtij kufizimi, duke çliruar kështu mundësinë që kushdo të planifikojë pushimet që i takojnë ligjërisht në segmente kohore më të shkurtra se një javë,” –u shpreh ndër të tjera ministrja Pirdeni.

Në përfundim të fjalës së saj, Pirdeni shtoi se do të ketë rritje tjetër pagash për ushtarakët, policët, punonjësit e arsimit dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore. Versus.al