POLITIKË /

Bylykbashi konfirmon se PD do votojë ndryshimet në Kod Zgjedhor: I vetmi sukses që arritëm ishte…

Sipas nënkryetarit të PD, zgjerimi i konceptit të votës së diasporës është suksesi që demokratët arritën në Kodin Zgjedhor që do votohet të nesërmen.

Shkruar nga Versus
Bylykbashi konfirmon se PD do votojë ndryshimet në Kod Zgjedhor: I
Bylykbashi në konferencë për mediat

Nënkryetari i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi ka deklaruar sot se grupi parlamentar i PD do të votojë draftin e dakordësuar me PS-në dje në komisionin e Ligjeve.

Në deklaratën e mbajtur për mediat, Bylykbashi kërkoi që sapo projektligji të miratohej, KQZ të merrte masat për të garantuar votën e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, gjë të cilën e konsideroi si një sukses të arritur nga PD gjatë diskutimeve për Kodin Zgjedhor.

“PD arriti suksesin që të bënte të mundur votën e të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Propozimi i PD ishte më i gjerë sesa ai i PS që përjashton dhjetëra mijëra qytetarë që nuk kanë ende një regjistrim të ligjshëm. Zgjidhja jonë mundëson që jo vetëm emigrantët, por kushdo tjetër për arsye që i ka zgjedhur vetë, për arsye pune apo studimi që gjendet jashtë vendit për një kohë të caktuar, të regjistrohet në mënyrë të sigurit nëpërmjet KQZ me mënyrë të thjeshtë regjistrimi dhe të shprehë votën në mënyrë të lirë. Kemi kërkuar që votimi të bëhet me postë ndërkombëtare për të garantuar paanshmërinë e këtij shërbimi. Vota e tyre do përllogaritet nga qarku ku kanë pasur vendbanimin e tyre original. Vota e tyre do vlejë njësoj me atë të shqiptarëve që jetojnë këtu. Kërkojmë që KQZ të bëjë gati të gjithë bazën nënligjore dhe logjistike që të mos tërhiqen zvarrë siç kanë bërë për 4 vite. Thirrja jonë është sa më shumë shqiptarë të regjistrohen dhe të shprehin votat. Një volum i lartë vote nga jashtë, prish çdo llogari patronazhimi që PS bën këtu”- tha Bylykbashi.

Por pavarësisht kësaj, ligjvënësi i PD u shpreh se kjo nuk ishte një Reformë Zgjedhore pasi nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR. Sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk ka dashur që të krijohen kushtet për votë të lirë, ndërsa theksoi se PD do të vazhdojë me përpjekjet për të bërë ndryshimet në projektligj brenda afateve, para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

“Propozimet ishin të ndryshme, deri tek ruajtja e koalicionit të përbashkët që mundësonte një përllogaritje votash më të ndershme që të evidentohej rasti i 2021-it ku një parti me mbi 100 mijë vota mori 4 mandate dhe një parti me 30 mijë vota, mori 4 mandate. Reforma Zgjedhore nuk ka ndodhur, do vazhdojmë të kërkojmë që të gjitha ato rekomandime të ODIHR të zbatohen në kohë për zgjedhjet e vitit 2025. Kuvendi ka detyrimin kushtetues të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I pari ishte ai për Votën e Diasporës, i dyti ishte çështja e herësit apo e pragut zgjedhor që duhet të kapërcenin kandidatët për deputetë dhe i treti vendosja e një pragu zgjedhor për 1% në shkallë kombëtar për kandidatët e pavarur. Një shkelje dhe vrasje e kandidatëve të pavarur duke u kërkuar të mblidhnin 1% të votave në rang kombëtar të cilën duhet ta marrin vetëm në qarkun ku kandidojnë. Këto ishin tre vendime të GJK të cilat duheshin trajtuar dhe u duhej dhënë zgjidhje”- shtoi Bylykbashi.

Komisioni i Ligjeve miratoi dje me 19 vota pro dhe vetëm një kundër (Enklejd Alibeaj) draftin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas një dakordësie të arritur mes PD dhe PS, marrëveshje të cilën Basha e konsideroi si “Pazar të fshehtë” mes Ramës dhe Berishës. Pas arritjes së dakordësisë pati reagime të shumta nga deputetë socialistë dhe demokratë të cilët shprehën kundërshtitë e tyre ndaj listave të deputetëve të cilat do të vijojnë të jenë të mbyllura. Projektligji do të hidhet nesër për votim në Kuvend. Versus.al

Poll