Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar lidhur me vënien nën hetim të deputetes Klotilda Bushka nga SPAK që e akuzon për pengim të hetimeve për Erion Veliajn.
Rama u shpreh i befasuar se e kishte marrë vesh nga televizori akuzën për Bushkën, ndërsa tha se deputetja nuk është marrë në pyetje nga SPAK.
“E kam marrë vesh përfshirjen e saj në këtë aktakuzë nga televizori. As nuk është thirrur dhe as nuk është pyetur e as dëgjuar versioni i saj. Para se t’ja kaloj fjalën kryetares së komisionit të Ligjeve dua ta bëjë të qartë se qëndrimi ynë për mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të institucioneve të reja të drejtësisë të cilat kanë detyrën të bëjnë luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, mbetet i pandryshuar.
Ajo që ndryshon është që ne kemi detyrë të kontribuojmë jo thjesht me mbështetjen e padiskutueshme institucionale dhe politike ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve dhe gjykatësve të jetë në raport me procese sa më demokratike.
Në të kundërt ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën sesa me të ardhmen. Sepse diktaturë apo republikë hetuesish, Shqipëria ka pasur në të shkuarën. Kjo është republikë parlamentare ku pushtetet janë të pavarura.
Në të shkuarën kështu veprohej në letër, por kishte një ombrellë që ishte diktatura e proletariatit që funksiononte përmes diktaturës së hetuesve”- u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se prandaj e kishte ngritur më herët problemin kur shprehej se vendi rrezikon të kthehet në "republikë prokurorësh", duke theksuar edhe se metodat që përdorte SPAK për hetim, ishin të ngashme me ato të sigurimit të shtetit. Versus.al







