Çfarë do të gjeni në brendësi
*Arrestimi i Erion Veliajt ka sjellë “furtunë” brenda PS ku ditën e sotme është zhvilluar një mbledhje e grupit parlamentar. *Mbledhja nisi me një dëgjesë të deputetes socialiste Klotilda Bushka e cila u mor nën hetim nga SPAK për pengim të hetimeve ndaj Veliajt. Bushka tha se dëshmitaren për të cilën SPAK pretendon se deputetja i kishte asgjësuar telefonin, e ka kushërirë dhe vetëm e ka këshilluar që të thotë të vërtetën. *I ashpër ka qenë reagimi i Ramës i cili ka akuzuar prokurorët e SPAK për mënyrën e kryerjes së hetimeve dhe marrjes së dëshmive. Ai tha se është e papranueshme që prokurorë e SPAK ende nuk kanë mjete për regjistrimin e intervistave të dëshmitarëve. *Teksa theksoi qasjen e re të PS për të kritikuar ato që i shohin si të papranueshme, Rama pati edhe një thirrje drejt kreut të SPAK Altin Dumani duke i kërkuar që të hetojë gjyqtarët që kanë publikuar dosjen e Toyota Yaris, përgjimet e së cilës ranë në duart e Berishës.
Deklaratat e Ramës për gjyqtarët e GJKKO-së, KLGJ: Përpjekje për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi disa gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se kanë thyer ligjin duke ndarë sekrete nga dosjet hetimore me opozitën.
Në reagimin e saj KLGJ shkruan se ka ndjekur me vëmëndje zhvillimet e fundit me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve.
KLGJ shton në reagimin e saj se në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrotjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Këshilli thekson në reagimin e saj se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e antarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore.
Reagimi:
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit.
Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë./Versus.al
"Kush ia dha Berishës përgjimet e Toyota Yaris?", Rama thirrje Dumanit: Heto dy kamikazët e PD brenda GJKKO
Mes kritikave dhe akuzave të bëra sot kundrejt prokurorëve të SPAK për mënyrën e ndjekur gjatë hetimit të çështjeve, kryeministri Edi Rama ka lexuar edhe një mesazh që tha se i kishte ardhur në telefon.
Rama tha se personi që ia kishte shkruar, ishte dëshmitar sesi gjyqtarët që merreshin më eksponentët e PS ishin të caktuar qëllimisht. Ndërsa nëpërmjet mesazhit të dërguar, Rama pati edhe një thirrje për Altin Dumanin që të hetojë se kush gjyqtar e ka lejuar dhe si ka përfunduar në duart e Berishës dosja “Toyota Yaris”.
Fjala e Ramës:
Po lexoj një mesazh tani që më erdhi, nuk është qytetari dixhital.
“Unë jam dëshmitar personalisht nga një person x e y e nuk po ia them emrin. Pse tani dhe jo një apo dy muaj para? Sepse tani ishte i gatshëm i njëjti gjyqtar me target njerëzit tuaj, me çështjet e veçanta". Shortet dhe cështjet organizohen sipas kërkesave të gatshme, të ngutshme dhe të menjëhershme, ndodhi tani krimi, urgjent duhet ta marrim e ta bëjmë. Jo Nensti, Nesti ishte aty që në shkurtin e kaluar. Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast dhe ju informoj se gjyqtarët e tjerë nuk kanë pranuar që t’i rrinte të njëjtës kërkesë për arrest, sepse gjyqtari vetëm e zbut masën e prokurorit dhe jo ta ashpërsojë, por edhe pse ligjin e keni bërë për këtë, keni garantuar vulosjen 100% të çështjeve.
Ky gjyqtar e ka nisur karrierën me një koleg, e keni deputet këtu, s'po ia them emrin, kur ministër ishte Eduart Halimi. Ky dhe një tjetër, të njohur familjarisht si eksponent të PD-së, kanë ndjekur eksponentë të PS. Ka ndjekur shumë masa, vepra, kërkesa, masa shtesë, i tillë është edhe rasti x, që diskutohet shumë si skandal në të gjitha rrethet e juriste. I njëjti gjyqtar është i njëjti me 'Toyota Yaris', vetëm një fakt, ka urdhëruar mospublikimin e tij, por në raste të tjera nuk e bën, si në rastin e PS-së, për shkak se përmenden shumë kolegë të tyre (për Toyota), por tani e ka ‘bufi i kënetës’ që ia lexon komunikimet nga Enchrochati në Parlament (Sali Berisha). E ndaluar për t’u përhapur dhe nzjerrë në publik. Ku jemi këtu? Kjo është vepër penale. Bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së në GJKKO, që se kanë asnjë problem që ta shprehin marrjen në dorë të këtij dhe atij dhe ta shprehin duke thënë se “ne do t’i shkrijmë”.
Këto janë lehtësisht të provueshme. Altin Dumani të kërkojë gjurmët e vendimit të Toyota Yaris dhe t’ia thotë publikut se si përfunduan te ‘bufi kënetës’, kur është e ndaluar për publikim dhe dihet se nga kush e ka marrë.
Kam e një publimim se fundmi për mua dhe ju që i kemi hyrë detit në këmbë, ta ndaj me ju, që të tjerët se kanë marrë përsipër që nga viti 1912, kanë pasur arsyet e tyre, vend i vogël, m e kushërinj, interesa, lidhje, por ne e kemi marrë përsipër që të pavarësojmë pushtetin e drejtësisë nga ai politik. Kemi marrë përsipër që edhe brinjët t’ia lëmë drejtësisë dhe s’jam pishman për këtë.
Pikëpyetja që kam është a do ia dalim që ta bëjmë të pakthyeshme reformën në drejtësi. A do ia dalim që institucionet e drejtësisë ta përdorin drejtësinë për të bërë drejtësi dhe jo politikë. Jo për t’u marrë me çështjen e njërit dhe tjetrit, jo për politikë. Jo meqë kapëm njërin, t’i biem edhe tjetrit.
Sa i takon hetimeve për dosjen Toyota Yaris, më herët Berisha ka lexuar fragmente të dosjes teksa paraqitej në SPAK, duke aluduar se i përfshirë është edhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. Versus.al
“U shokova emocionalisht”, Rama rrëfen çfarë i tregoi artisti që u pyet nga SPAK për Veliajn
Kryeministri Edi Rama gjatë kritikave që ka bërë gjatë ditës së sotme ndaj institucioneve të drejtësisë sa i takon arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj tregoi edhe një rast të intimidimit të njërit prej dëshmitarëve.
Duke mos e zbuluar emrin, Rama tha se dëshmitari ishte marrë në pyetje me metoda të ngjashme me ato të kohës së sigurimit të shtetit.
Rama e cilësoi si të papranueshëm mënyrën e pyetjes së dëshmitarëve nga SPAK dhe tha se ishte ndjerë i pafuqishëm kur dëshmitari i rrëfente mënyrën sesi ishte pyetur.
“Janë intimiduar njerëz, i kam takuar unë. Kam folur unë me ta, dhe përse? Kur s’kishin asnjë lidhje me Erionin. Për shkak se janë njerëz në botën e artit dhe kulturës dhe dikush më kanë thënë se filani është në gjendje të rëndë psikologjike. E kam kërkuar, e njoh kush është, është një personalitet. Ia kishin marrë telefonin dhe nuk ia kishin kthyer më. Ku jemi këtu ne? E mora në telefonin e gruas dhe dëgjova një grua që vetëm qante. Dhe pastaj jam takuar me personin. Po ju them që mua personalisht më ka ardhur turp kur kam menduar që sot unë jam kryeministër dhe ndihem i pafuqishëm karshi një rasti apo personi që më ka kujtuar veten time. Unë u shokova psikologjikisht kur më morën e më çuan te Myslym Keta. Ma thoni dot ju mua si mund të merret në rrugë një baba që është duke çuar fëmijën me karrocë në kopësht?
“Hajde me ne” i kanë thënë. Ku jemi këtu ne?! I vetmi lajm ngushëllues është që pavarësia është e plotë, mirëpo këto janë shenja që abuzimi me pavarësinë është real. Si mund të merret një prind me fëmijën 3 vjeç në karrocë dhe t’i thuhet hajde me ne”- deklaroi Rama. Versus.al
Ndërpritet seanca në GJKKO për Veliajn dhe Xoxën, ja kur do të rifillojë
Seanca për konfirmimin e masave të sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenët e tjerë është ndërprerë.
Avokatët e kryebashkiakut dhe Xoxës e të biznesmenëve kanë kërkuar kohë. Për rrjedhojë seanca do të rifillojë në orën 13:30.
Ndërkohë paralelisht me seancën në GJKKO, ku jashtë saj janë mbledhur dhjetëra mbështetës të Veliajt, po mbahet edhe mbledhja e grupit parlamentar të PS ku Rama ka nisur me kritika për punën e SPAK. Versus.al
“E kam kushërirë”, SPAK e akuzon se asgjësoi telefonin e dëshmitares, Bushka: Nuk e kam penguar të thotë gjë
Deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh edhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka ka folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS pasi u mor nën hetim nga SPAK për pengim të hetimeve ndaj Erion Veliajt.
Ajo shpjegoi se kishte miqësi të hershme me Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij dhe se u kishte qëndruar pranë gjatë këtyre muajve gjatë së cilëve, sipas saj është bërë një linçim publik ndaj kryebashkiakut.
“Lajmin e kam dëgjuar nga media. Në cilësinë e kryetares së komisionit të Ligjeve, por edhe si person që i ka kushtuar jetën ligjit dhe drejtësisë, kam punuar për të vërtetën. Ngjarjet e ndodhura së fundmi, kanë treguar se institucionet e reja të drejtësisë, kanë fituar vetëbesimin e mjaftueshëm duke na çliruar ne nga moskomentimi i çështjeve.
Është e vërtetë, unë jo vetëm e njoh Ajola Xoxën, por kam bashkëpunuar me të para se të isha deputete. Erion Veliaj është miku im i fëmijërisë. Kjo lidhje më ka bërë të përjetoj edhe lincimin publik që u është bërë atyre. Jo pak herë kam qenë pranë Ajolës për ta mbështetur. Kam transmetuar besimin tim tek drejtësia. Pas kontrollit të banesës së Ajolës dhe Erionit dhe thirrjes së bashkëpunëtorëve të tyre për të dëshmuar, jam vënë në dijeni të një shqetësimi, se ata janë intimiduar, kërcënuar për t’ju marrë dëshmitë. Disa prej tyre më kanë treguar sesi janë marrë në pyetje. Jam shqetësuar për disa shkelje individuale që u janë bërë duke u marrë deklarata nën presion. Tanimë që dosja për Erionin dhe Ajolën është publike, ky është fakt që prodhohet nga dhjetëra citime e deklarata që përdoren për ta dërguar në burg kryetarin e bashkisë Tiranë. Këto janë simptoma që janë bërë të dukshme edhe më parë”- tha Bushka.
Sa i takon akuzave të SPAK se ajo asgjësoi telefonin e dëshmitares, Bushka tha se Ina Gonxhajn e ka kushërirë dhe se e ka këshilluar të thotë vetëm të vërtetën para SPAK.
“Ina Goxhaj është kushërirë e imja. E kam këshilluar të thotë të vërtetën dhe nëse e gjykon të nevojshme të marrë një avokat. Nuk e kam penguar të thotë asgjë”- shtoi deputetja. Versus.al
Deputetja e PS nën hetim nga SPAK, Rama: Befasuese! Republikë hetuesish kishte në të kaluarën
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar lidhur me vënien nën hetim të deputetes Klotilda Bushka nga SPAK që e akuzon për pengim të hetimeve për Erion Veliajn.
Rama u shpreh i befasuar se e kishte marrë vesh nga televizori akuzën për Bushkën, ndërsa tha se deputetja nuk është marrë në pyetje nga SPAK.
“E kam marrë vesh përfshirjen e saj në këtë aktakuzë nga televizori. As nuk është thirrur dhe as nuk është pyetur e as dëgjuar versioni i saj. Para se t’ja kaloj fjalën kryetares së komisionit të Ligjeve dua ta bëjë të qartë se qëndrimi ynë për mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të institucioneve të reja të drejtësisë të cilat kanë detyrën të bëjnë luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, mbetet i pandryshuar.
Ajo që ndryshon është që ne kemi detyrë të kontribuojmë jo thjesht me mbështetjen e padiskutueshme institucionale dhe politike ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve dhe gjykatësve të jetë në raport me procese sa më demokratike.
Në të kundërt ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën sesa me të ardhmen. Sepse diktaturë apo republikë hetuesish, Shqipëria ka pasur në të shkuarën. Kjo është republikë parlamentare ku pushtetet janë të pavarura.
Në të shkuarën kështu veprohej në letër, por kishte një ombrellë që ishte diktatura e proletariatit që funksiononte përmes diktaturës së hetuesve”- u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se prandaj e kishte ngritur më herët problemin kur shprehej se vendi rrezikon të kthehet në "republikë prokurorësh", duke theksuar edhe se metodat që përdorte SPAK për hetim, ishin të ngashme me ato të sigurimit të shtetit. Versus.al







