
Alban Gjidiaj, një prej personave të kërkuar nga SPAK për trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Anglisë, duket se do të ekstradohet në vendin tonë së shpejti.
Gjykata e Westmister në Angli i ka dhënë dritë jeshile ekstradimit të Gjidiajt pas një bashkëpunimi juridik mes CPS, Prokurorisë Mbretërore Britanike dhe drejtorisë për marrëdhëniet me jashtë në Ministrinë e Drejtësisë, Tiranë.
Gjykatësi i çështjes tashmë e ka çuar vendimin e marrë sekretares së Shtetit për Punët e Brendshme, e cila do të firmosë urdhrin final të ekstradimit. I akuzuari i cili ndodhet në Angli do të vijojë lirinë me kusht pas një garancie monetare prej 5 mijë sterlinash, monitorimin elektronik, përfshirë paraqitjen çdo të premte në rajonin policor Colindale.
Një vit më parë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët britanikë, lokalizuan në Londër të kërkuarin me një urdhër-arrest të lëshuar nga SPAK, Alban Gjidiajn. I riu dyshohet si pjesë e një grupi që merrej me trafikun e armëve të cilat u kapën në Portin e Durrësit me destinacion Anglinë. Versus.al

