Djali i ish-presidentit të Kosovës, Endrit Thaçi ka reaguar pas vizitës që kryeministri Edi Rama i bëri atit të tij në paraburgimin e Hagës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Endrit Thaçi ka shprehur falënderimet e tij dhe të nënës ndaj kryeministrit Rama, duke vlerësuar si fjalët ashtu edhe veprimet e tij, të cilat i ka cilësuar si shembull të atdhedashurisë dhe përkushtimit ndaj kombit.
“Faleminderit shumë Kryeministër Rama nga nana dhe unë. Fjalët, por edhe veprat tuaja, janë shndërruar në një shembull të atdhedashurisë dhe përparimit. Na dëshmoni se bashkë jemi më mirë”, shkruan Endrit Thaçi.

Ky reagim vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri Rama bëri të ditur se kishte përfunduar vizitën në ambientet e paraburgimit në Hagë, ku prej më shumë se pesë vitesh mbahen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama deklaroi se gjatë takimit e kishte gjetur Hashim Thaçin në gjendje të mirë shëndetësore, të qetë dhe të buzëqeshur, pavarësisht kufizimeve që, sipas tij, i janë vendosur padrejtësisht.
Ndër të tjera Rama rrëfeu se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte në gjendje shumë të mirë dhe shtoi se kishin folur për librat që i kishte dërguar. Ndërsa shkroi se nuk di se çfarë të thotë më për këtë gjyq që ai e konsideron një padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës.


