Ish-zv.kryeministri i Shqipërisë Arben Ahmetaj është bërë “i gjallë” sërish së fundmi nga arratia e nisur që prej vitit të kaluar pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për 3 vepra penale.
Në studion e “Euronews”, gazetarja Anduena Llabani u shpreh se bindur se Ahmetaj do të vijë në Shqipëri për të dëshmuar në SPAK kundër qeverisë duke nënvizuar se ka dokumente të pakontestueshme dhe se mund të jetë bërë i penduar i drejtësisë.
“Unë mendoj se opozitën e vërtetë në qeverinë Rama do e bëjë Arben Ahmetaj. Ai ka pranuar të vij në Shqipëri dhe të dëshmojë. Do vijë në Shqipëri dhe do të dëshmojë për prokurorinë shqiptare. Ai ka pranuar ftesën e prokurorisë për të ardhur e për të dëshmuar. Ai do dalë e do flasë për ato që di, ai ka letra, dokumente video, prova të pakontestueshme. Ai do vijë në Shqipëri për të dëshmuar në prokurorinë shqiptare. Ai mund të jetë bërë edhe i penduar i drejtësisë”, – tha Llabani.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Arben Ahmetajt, i cili përgënjeshtroi lajmin duke thënë se nuk ka ndërmend të dëshmojë në Prokurorinë e Posaçme.
“Unë do vij një ditë në Shqipëri, por jo për të dëshmuar”, është shprehur Ahmetaj.
Ish numri dy i qeverisë është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, ndërsa aktualisht po qëndron në Zvicër ku i është pranuar statusi i aplikimit për marrjen e azilit politik. Ai ka realizuar edhe disa intervista nga arratia për gazetarin Çim Peka gjatë të cilave ka pretenduar se ndaj tij është ngritur kurth dhe se përgjegjësi kryesor për aferën e inceneratorëve është vetë kryeministri Edi Rama. Versus.al