
Në Kuvend sot pritet të ketë një seancë maratonë ku do të raportojnë drejtuesit e disa prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Fillimisht do të shqyrtohen dy projektvendime të rëndësishme për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe atë për Reformën Territoriale.
Më pas do të ketë raportimet nga drejtiesit e institucioneve të drejtësisë për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024. Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela do të dalë në foltore për të paraqitur gjendjen e kriminalitetit në vend ndërsa pas tij do të raportojë drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.
Pritet që raportimi i Dumanit të jetë ndër më të ndjekurit dhe të ngarkuarit politikisht. Grupet parlamentare kanë të drejtën e 250 minutave debate e diskutime për secilin raportim.
Raporte për punën e tyre do të paraqesin gjithashtu Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani.
Të shtunën, grupi parlamentar i PD zhvilloi mbledhje lidhur me strategjinë që pritet të ndjekë gjatë seancës së sotme për të shmangur përplsjet që mund të çojnë deri në mbylljen e seancës plenare me urdhër të kryeparlamentarit Niko Peleshi siç ka ndodhur në seancat e fundit. Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi është i përjashtuar nga seancat plenare për 15 ditë pas debateve me Peleshin. Versus.al
