Qeveria po punon për një program të ri të quajtur “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, i cili synon të mbështesë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që kanë potencial për zgjerim, por përballen me vështirësi financiare për të bërë hapin e rritjes.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri gjatë episodit më të fundit të podkastit “Flasim”, ku ai diskutoi me përfaqësues të sipërmarrjeve shqiptare që operojnë në fusha të ndryshme dhe që përfaqësojnë modele zhvillimi në tregun vendas dhe ndërkombëtar.
Sipas Kryeministrit, programi do të synojë të krijojë instrumente të posaçme financiare dhe garanci sovrane, të cilat do t’u mundësojnë bizneseve akses më të lehtë në financim dhe rritje të aktivitetit të tyre.
Ai theksoi se në këtë mekanizëm mbështetës mund të përfshihen edhe bashkitë, në varësi të natyrës së ndërmarrjeve, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e më shumë mundësive në vend.
“Jemi duke punuar për një program të ri, që unë e kam nxitur dhe besoj që shpejt do dalim në një konkluzion që është pikërisht një program për të mbështetur nivelin tjetër të ambicies së atyre që kanë hedhur një bazë dhe që janë në kushtet kur për arsye pamundësie financiare mundi t’i kenë gati gjërat, por nuk e bëjnë dot hapin tjetër dhe vazhdojnë të përpiqen të krijojnë kushte financiare.
Programi do të duhet të ketë disa instrumente financiarë për t’i dhënë akses ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që të rriten. Është një program që duhet të mbështetet nga një garanci sovrane, siç mbështesim ato sipërmarrjet në bujqësi, se mbështesim edhe pikërisht sipërmarrjet e vogla dhe të mesme me një instrument financiar ku shteti bëhet garant në forma të ndryshme, ku mund të hyjnë bashkitë me një pjesëmarrje në varësi nga natyra e ndërmarrjes”, informoi kryeministri Rama./Versus.al

