Deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh edhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka ka folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS pasi u mor nën hetim nga SPAK për pengim të hetimeve ndaj Erion Veliajt.
Ajo shpjegoi se kishte miqësi të hershme me Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij dhe se u kishte qëndruar pranë gjatë këtyre muajve gjatë së cilëve, sipas saj është bërë një linçim publik ndaj kryebashkiakut.
“Lajmin e kam dëgjuar nga media. Në cilësinë e kryetares së komisionit të Ligjeve, por edhe si person që i ka kushtuar jetën ligjit dhe drejtësisë, kam punuar për të vërtetën. Ngjarjet e ndodhura së fundmi, kanë treguar se institucionet e reja të drejtësisë, kanë fituar vetëbesimin e mjaftueshëm duke na çliruar ne nga moskomentimi i çështjeve.
Është e vërtetë, unë jo vetëm e njoh Ajola Xoxën, por kam bashkëpunuar me të para se të isha deputete. Erion Veliaj është miku im i fëmijërisë. Kjo lidhje më ka bërë të përjetoj edhe lincimin publik që u është bërë atyre. Jo pak herë kam qenë pranë Ajolës për ta mbështetur. Kam transmetuar besimin tim tek drejtësia. Pas kontrollit të banesës së Ajolës dhe Erionit dhe thirrjes së bashkëpunëtorëve të tyre për të dëshmuar, jam vënë në dijeni të një shqetësimi, se ata janë intimiduar, kërcënuar për t’ju marrë dëshmitë. Disa prej tyre më kanë treguar sesi janë marrë në pyetje. Jam shqetësuar për disa shkelje individuale që u janë bërë duke u marrë deklarata nën presion. Tanimë që dosja për Erionin dhe Ajolën është publike, ky është fakt që prodhohet nga dhjetëra citime e deklarata që përdoren për ta dërguar në burg kryetarin e bashkisë Tiranë. Këto janë simptoma që janë bërë të dukshme edhe më parë”- tha Bushka.
Sa i takon akuzave të SPAK se ajo asgjësoi telefonin e dëshmitares, Bushka tha se Ina Gonxhajn e ka kushërirë dhe se e ka këshilluar të thotë vetëm të vërtetën para SPAK.
“Ina Goxhaj është kushërirë e imja. E kam këshilluar të thotë të vërtetën dhe nëse e gjykon të nevojshme të marrë një avokat. Nuk e kam penguar të thotë asgjë”- shtoi deputetja. Versus.al







