
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar sot një mbledhje në selinë e PD lidhur me veprimtarinë parlamentare dhe politike që do të ndiqet në vijim. Në një dalje për mediat, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi tha se gjatë mbledhjes ishte diskutuar për skandalin e zbuluar ditën e djeshme në Spitalin Onkologjik ku mjekë dhe zv.drejtoresha kryenin shkelje kriminale duke mos trajtuar të sëmurët me kancer por duke i kaluar ata për trajtim në klinikat private.
Bardhi tha se skema kriminale është e frymëzuar nga ministrja e Shëndetësisë duke argumentuar se pavarësisht raporteve të KLSH dhe denoncimeve për shkelje në spitalin e Onkologjikut, nuk u ndërmor asnjë masë nga ana e ministrisë përgjegjëse.
"Fakti është që qoftë ministria përgjegjëse kanë qenë të informuar në kohë për atë që po ndodhte te Onkologjiku. Kjo është një skemë e frymëzuar nga drejtuesi politik, pra ministri i Shëndetësisë. Ka pasur raporte të plota nga KLSH dhe pavarësisht kësaj, ministria nuk ka marrë asnjë masë. Ka pasur denoncime nga deputetët që ajo skemë është e shtrirë në kohë dhe ka pasur zero veprime. Pasi vepron prokuroria nuk mund tja hedhësh me fjalinë “ne kemi shkarkuar mjekët””- tha Bardhi.
Teksa tha se ishte dorëzuar kërkesa për interpelancë urgjente me ministrinë e Shëndetësisë Albana Koçiu lidhur me këtë çështje, Bardhi tha se do të dorëzohet në Kuvend edhe kërkesa për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me emërimin e rumunit Florian Coledo si këshilltar të jashtëm të tij.
“Interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me skandalin emërimit si këshilltar për një ish agjent të autoriteteve rumune që rezulton të jetë i shpallur në kërkim në Rumani për mbrojtjen e një rrjeti të trafikut të drogës që vepron në Meksikë dhe Rumani. Një agjent i tillë nuk mund të jetë këshilltar i jashtëm i kryeministrit të Shqipërisë. Për cfarë e ka këshilluar ish-agjenti Koldea kryeministrin shqptar? Do duhet që kryeministri të japë përgjigjie për gjithë cështjet që kanë cënuar sigurinë kombëtare”- shtoi Bardhi.
Mes të tjerash ai tha se pjesë e diskutimit kishte qenë edhe kërkesa për një mocion me debat me qeverinë për zhbllokimin e fondeve të IPARD-it dhe abuzimin me fondet e BE-së.
“Do kërkojmë mocion me debat mbi abuzimet me fondet e BE. Kuvendi do duhet të ngrejë një komision të posacëm që të hetojë për fondet e BE dhe të zhbllokohen fondet e IPARD3 që janë të caktuara për shqiptarët. Nuk mund ta pësojnë qytetarët vetëm se kanë një qeveri të korruptuar”- nënvizoi deputeti.
Sa i takon Reformës Zgjedhore dhe 1 korrikut si afat përfundimtar për paraqitjen e raporteve për ndryshime në kodin zgjedhor, Bardhi tha se mungon vullneti i Partisë Socialiste për të pasur ndryshime. Sipas tij, afati i vendosur mund të shtyhet pasi procesi i punës ka qenë pothuajse gjatë gjithë kohës i bllokuar.
“Në çdo mbledhje të grupit ka patur diskutime. Anëtarët tanë kanë bërë gjithcka që cështja të shkojë përpara. Ka një vullnet të PS që në nisje të procesit të mos e cojë përpara Reformën Zgjedhore sepse kjo do të thotë që të mos intimidosh punonjësit e administratës publike. Nuk kanë interes për të bërë një reformë zgjedhore. Afati është i lëvizshëm përsa kohë procesi ka qenë i bllokuar. Qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë të drejtë të votojnë njësoj si ata që jetojnë brenda territorit”- u shpreh Bardhi.
Ndërsa për komisionin dezinformim që u mblodh sot për herë të parë, deputeti u shpreh se kjo ishte një mënyrë për t’ju kundërvënë ligjit “antimafia”. Versus.al







