Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetin social “X” pas lajmit se Gjykata e Posaçme ndryshoi disa prej masave të sigurisë për 24 anëtarët e stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Në shkrimin e publikuar, Rama shprehet i lehtësuar, duke thënë se tashmë gjyqtarët dhe prokurorët mund ta bëjnë deri në fund detyrën e tyre dhe nëse të akuzuarit provohet se kanë abuzuar me fonde, të ndëshkohen.
Ai tha se me ndryshimin e masave të sigurisë, nuk rrezikohet as humbja e besimit nga partnerët austriakë të universitetit BOKU me të cilin UBT kishte lidhur marrëveshje bashkëpunimi. Por ndryshe nga sa evidenton Rama në reagimin e tij, janë ndryshuar vetëm 5 masa sigurie dhe jo 20 siç pretendon ai.

Reagimi i plotë i Ramës:
Ja pse jam i lehtësuar me lajmin e rrëzimit në Gjykatën Speciale të 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor:
1. Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e kujtdoqoftë që mund të jetë krejt i pafajshëm, kthehet në një ferr padrejtësie me pasoja traumatike.
2. Prokurorët dhe gjykatësit mund ta bëjnë tani pa asnjë ndryshim, deri në fund, detyrën e tyre dhe fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë, nëse kanë prekur fondet publike. Por ama jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet.
3. Aleanca strategjike e UBT me Universitetin BOKU të Vienës, që u krijua me një përpjekje të madhe të qeverisë dhe programi ambicioz i transformimit rrënjësor, e i njehsimit të diplomave BOKU/UBT nuk kërcënohet më nga humbja e besimit të partnerëve austriakë përballë panoramës lemeritëse të 24 masave të sigurisë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë operacion në fshatin Corleone!
Duam luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndëshkim pa hezitim për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por po ashtu, nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të normave demokratike europiane të drejtësisë.
Pas 100 e kusur vitesh e kemi tërhequr pushtetin politik nga fusha e drejtësisë dhe ia kemi lënë drejtësisë të na hetojë e gjykojë edhe ne, si të gjithë të tjerët, nëse shkelim ligjin.
Shpatën e ndëshkimit ia kemi dorëzuar SPAK-ut. Peshoren e drejtësisë ia kemi besuar Gjykatës Speciale. Por fashon e pavarësisë e paanësisë prokurorët, e sidomos gjykatësit, duhet ta bëjnë pa humbur kohë pjesë të lëkurës së tyre profesionale, në respekt të prezumimit të pafajësisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të standarteve demokratike të drejtësisë europiane.
Prandaj, shpatën ta mbajnë lart, e kanë gjithë mbështetjen tonë. Peshorja është e tyrja, nuk ndërhyjmë në brendinë e çështjeve. Por sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht. Me frymë kritike patjetër, por kurrë destruktive padiskutim.
Drejtësia e re e Shqipërisë 2030 në BE duhet të jetë si kjo statujë e Zonjës së Drejtësisë. Për të gjithë. Gjithnjë.
Ditën e djeshme pas një seance maratonë, Gjykata e Posaçme la në burg 5 prej anëtarëve të stafit të UBT-së, ndërsa ndryshoi masat për 5 prej tyre duke i kaluar nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje. Konkretisht 5 persona janë arrestuar për abuzime me tenderat ndër vite, 5 të tjerë janë në arrest shtëpie dhe 14 anëtarë të stafit janë në “detyrim paraqitje”. Versus.al







