
Kryedemokrati Sali Berisha foli edhe në Kuvend për projektligjin për barazinë gjinore, për të cilin u zhvillua edhe një protestë jashtë sallës nga aktivistë pro familjes. Gjatë fjalës së tij ai përmendi edhe ambasadorin e BE-së të cilit i kërkoi t’i paraqiste një direktivë të BE që e kërkon miratimin e një projektligji të tillë, ndërsa përmendi përciptazi edhe orientimin e tij seksual duke thënë se nuk e paragjykon, por nuk mundet t’u imponohet shqiptarëve.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla menjëherë doli në foltore dhe tha se do të merren masa ndaj Berishës për sulmin që bëri ndaj ambasadorit të BE, Silvio Gonzato.
"Dënoj ashpër sulmin që sapo ndodhi në këtë foltore kundrejt ambasadorit të BE në Shqipëri. Ky sulm i përsëritur nga i njëjti individ prej 35 vitesh kundër ambasadorëve të SHBA dhe kundër ambasadorëve të tjerë të vendeve mike, bie ndesh me parimet e konventës së Vjenës. BE mbetet partneri më i rëndësishëm se Shqipëria brenda 2030-ës do jetë anëtarë e BE.
Sa i përket këtij sulmi sot, ne do depozitojmë kërkesë pranë komisionit të etikës që deputeti të japë shpjegime, por edhe Kuvendi të ndalë sulmet. SHBA-të e kanë thënë se një prej arsyeve të shpalljes non-grata të Shqipërisë janë sulmet kundër ambasadorëve”- tha Balla.
Berisha mori sërish fjalën për të sqaruar se në asnjë moment nuk ka fyer ambasadorin, por i ka kërkuar atij të argumentojë thirrjen për të votuar këtë projektligj të barazisë gjinore.
“Hedh poshtë me përçmim trllimin e parafolësit sepse në fjalën time nuk kam fyer dhe nuk fyej asnjë ambasador apo përfaqësues të huaj. Por i kam kërkuar zotërisë së tij t’u paraqesë shqiptarëve cila direktivë europiane bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë. Nuk ka njeri që respekton më shumë ambasadorët se unë, por dua më shumë kombin dhe vendin tim”- tha Berisha. Versus.al


