Komisioni i Dezinformimit, i kryesuar nga deputeti socialist Erion Braçe u mblodh paraditen e sotme në një seancë të shkurtër për të miratuar planin e punës lidhur me zhvillime të ndodhura gjatë sezonit turistik.
Braçe i cili ishte një ndër më aktivët sa i takon edhe mbrojtjes së produkteve vendase sa i takon denoncimeve të bëra nga figura publike mbi përmbajten e lartë të kimikateve në to, ka deklaruar se turizmi ka qenë nën sulm nga grupe të huaja.
"Ngjarje që kanë ndodhur gjatë muajve korrik dhe gusht sjellin në vëmëndje ekzistenën e fushatave dezinformuese veçanërisht në aspektin e sektorëve strategjikë të ekonomisë. Turizmi ka qenë nën atak dhe është i verifikuar që grupe të posacme të huaja keqdashëse kanë sulmuar faqet e njësive akomoduese në Shqipëri me qëllim largimin e vëmendjes dhe prenotimeve nga këto njësi akomoduese kohë pas kohe" tha Braçe duke bërë me dije se lidhur me këtë pjesë, do të ketë seanca dëgjimore në tetor.
Në këtë pikë, Braçe ka mbajtur të njëjtin qëndrim me Ramën i cili po ashtu pretendonte për sulm nga grupe të huaja. Në kulmin e sezonit, personazhe publikë dhe faqe të ndryshme në rrjetet sociale publikuan foto e video nga plazhe të boshatisura në jug të vendit për shkak të çmimeve stratosferike.
Ndërsa vetë Rama u bëri vërejtje operatorëve në bregdet që të jenë më të arsyeshëm me çmimet e shërbimeve pasi mund të dëmtojnë turizmin e vendit duke bërë që vizitorët e huaj të mos kthehen më vitin tjetër. Versus.al







