POLITIKË /

Çmimet e larta në jug të vendit, Rama: Vlonjatët ‘molla e sherrit’, do bien në gropën e gjoksit të tyre

Duke u fokusuar tek çmimet për shërbimet hoteliere në Vlorë e Sarandë, Rama u kërkoi pronarëve të biznesit që të mendonin për më gjatë dhe të mos abuzonin me tarifat ndaj pushuesve vendas apo turistëve.

Shkruar nga Versus

Çmimet e larta në jug të vendit, Rama: Vlonjatët

Kryeministri Edi Rama u është referuar ashpër pronarëve të hoteleve dhe bizneseve turistike në Vlorë e Sarandë sa i takon çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të caktuara të cilat janë shumë të shtrenjta krahasuar me ato në qytete të tjera.

Rama u kërkoi që të mos abuzonin me çmimet e vendosura pasi kjo mund të sjellë pasoja vitin e ardhshëm me numër më të ulët turistësh.

“Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, as të hoteleve as të restoranteve. Por Ermal, në Vlorë, në Sarandë Olti, ku janë edhe dy pikat e një rritje absurde të shtimeve është e rëndësishme të flitet me operatorët dhe t’u thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë se mbase në kushtet e kapitalizmit ata nuk e perceptojnë, por është vetëvrasje strategjike për ata vetë. Duhet të komunikohen dhe t’u thuhet se rritja e palogjikshme e çmimeve, vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Se po të ishte aq e lehtë, do e kishte bërë e gjithë bota. E kanë bërë vende të caktuara, por kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura"- u shpreh kreu i qeverisë. 

Duke marrë si shembull negativ bizneset në Vlorë, Rama u drejtua prerazi drejt pronarëve duke u kërkuar që të jenë më realistë me çmimet e shërbimeve në restorant dhe atyre në hotel. 

"Shikoni Durrësin dhe Shëngjinin apo Velipojën. Vlonjatët janë molla e këtij sherri. Se tani që Vlora është bërë kaq konkurruese nga pikëpamja e asaj që përfaqëson, gropa në gjoksin e Vlonjatëve është bërë një gropë ku do bien vetë këta. Është e turpshme të krijohet një klimë absurd kur në këtë moment sapo kemi hyrë në “Champions League”-n e turizmit, të abuzojmë në këtë mënyrë. Më mirë syri sesa nami, por vlonjatëve u ka dalë edhe syri edhe nami, edhe truri nga vendi atyre që kanë ato hotelet dhe nuk dinë çfarë bëjnë. Me këtë gjuhë, do zbresin pak me këmbë në tokë. Vlonjatët nuk zbresin dot, por të paktën të zbresin në kat të dytë”- u shpreh Rama.

Kryesocialisti u kërkoi kryebashkiakëve të Vlorës dhe Sarandës që të komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me pronarët e bizneseve përgjatë vijës bregdetare dhe t’u kërkojnë që të jenë më objektivë në çmimet e tyre. Versus.al

Poll