Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama mblodhi sot kryebashkiakët në Tiranë të cilëve u kërkoi që të përqendrohen në procesin e legalizimeve në dhe mbarëvajtjen e turizmit. Rama tha se nga shtatori bashkitë duhet të ngrenë ekipet e posaçme për trajtimin e kërkesave dhe theksoi se legalizimet e banesave duhet të jenë prioritet para atyre të bizneseve. *Rama pretendoi se bregdeti shqiptar është nën sulm nga profile fallco të cilat publikojnë foto nga plazhet e boshatisura në jug të vendit. *Ai u kërkoi edhe pronarëve të bizneseve që të jenë më të arsyeshëm në çmimet e shërbimeve të tyre, duke i paralajmëruar se do nëse vijojnë me të njëjtat çmime, vitin e ardhshëm do kenë numër shumë më të ulët turistësh. *Gjatë takimit, nuk munguan as batutat mes tij dhe kryebashkiakëve, pas krahasimit që kreu i ekzekutivit i bëri kryetarit të bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu me atë të Shijakut, Elton Arbana.
Rivlerësimi i pasurive, Rama: Do të jetë 5%, në shtator nis puna për referencat e reja
Në shtator do të nisë puna për referencat e reja sa i përket rivlerësimit të pasurive, bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një takim me kryetarët e bashkive.
Rama tha se qeveria do t’u japë edhe një shans të gjithë atyre që duan të rivlerësojnë pronat, por kësaj here me 5% të vlerës. Afati do jetë 1-vjeçar dhe kjo është mundësia e fundit, pasi ka kosto për buxhetin.
“Ne kemi bërë këtë proces dy herë. Nuk është proces që bëhet rregullisht, sepse në thelb kjo është një amnisti. Por ka një kosto për buxhetin e shtetit, pasi në momentin që bëhet rivlerësimi, atëherë shmanget tatimi 15% mbi shitjet në vijim.
Duke qenë se e para rivlerësimi është bërë bazuar në faktin që nuk ishin referencat e reja, sot me referencat mund t’u japim të drejtë qytetarëve të kenë një shans të fundit. Është e rëndësishme të konkludojmë edhe punën e nisur për referencat e reja për qytetet e reja dhe jo vetëm për Tiranën. Sot vija bregdetare nuk është me çmime reference nga e shkuara.
Ne e kemi nisur punën, dhe do konkludojmë brenda 40-45 ditëve të ardhshme, do rindërtojmë një proces që rivlerësim të jetë i hapur 1 vit. Fund shtatori me fund shtatori. Rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i dyti me 3% dhe i fundit do jetë me 5%.
Të gjithë ju dhe bashkitë ku ka kërkesë të komunikoni me qytetarët që kjo është e fundit, nuk do ndodhi më. Mos e lënë këtë shans sepse do kenë barrë më të madhe më vonë.
Buxheti i shtetit humbet një sasi të konsiderueshme por nga intereson formalizimi i pasurisë në territor. Dhe qytetarët përfitojnë drejtpërdrejt dhe kjo është pozitive. Për këtë duhet të ndërmerrni një proces komunikimi”, tha kryeministri./ Monitor
VIDEO/ ‘Bëre shaka si një polic’, Rama replikon me Pjerin Ndreun: Po bën polemika kot, ke ardhur i papërgatitur

Kryeminsitri Rama iu drejtua kryebashkiakut të Shijakut, Elton Arbana duke e cilësuar si kampion të rindërtimit, përpara se të mbyllte fjalimin me kryetarët e Bashkive, që u zhvillua ditën e sotme në Kryeminstri.
“E bëre Shijakun avangardën e rindërtimit, duhet të bëhesh edhe kampion i legalizimeve”, tha Rama.
Për sa i përket legalizimeve kryeministri tha se kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu duhet të marrë shembull nga kryetari i Bashkisë së Shijakut dhe të ketë një ecuri të tillë siç pat ky i fundit me rindërtimin.
Kështu u shkaktua dhe një debat midis Ramës dhe Ndreut, ku ndër të tjera i përmendi edhe marrëdhënien që ai ka patur me policinë para se të bëhej kryetar Bashkie.
Ndreu: Do ta kem për nder gjithë jetën që kam qenë pjesë e Policisë
Rama: Po bën polemika kot
Ndreu: Po bëj policin pra, po rri në zanatin tim
Rama: Ai merak do të të dalë me shpirtin ty
Ndreu: E kam për nder, ua thashë edhe njëherë., se ju kur doni të shani një njeri thoni je bërë si polic. Dhe kur duhet të bësh policin, s’na leni radhën ne policëve.
Rama: Unë kurrë nuk e them këtë. Mos përhap lajme të rremë. Më lejo të të them që këtë shaka e bëre tamam si polic.
Ndreu: Dakord pra, si polic.
Pas këtij diskutimi të shoqëruar me të qeshura ironike Ndreu foli për pjesën e legalizimeve ku sipas tij gjithçka është bërë me anë të bashkëpunimit dhe se komunikimi me Bashkitë ka qenë i drejtpërdrejtë. Për të një problem është edhe mosreflektimi i asaj që është diskutuar në Këshillin Konsultativ, ku disa dispozita duhet të ishin më detyruese dhe disa gjëra duhet të ishin më të përcaktuara. Pjerin Ndreu tha gjithashtu se duhet dhe mund të bëjnë shumë ndryshime për të përmirësuar ecurinë e legalizimeve, duke nxitur edhe dispozitat detyruese.
Sipas Ramës, Ndreu ishte i papërgatiur dhe se të gjitha këto që ai përmendi janë sqaruar.
“Do të jetë Bashkia ajo që do të luajë rolin kryesor dhe jo kadastra. Bashkia do të vendosë se cili është grupi prioritar dhe cilat janë dosjet kryesore. Pas kësaj i kalohen kadastrës për shqyrtim dhe në këtë mënyrë të dyja palët bëjnë punën e tyre dhe kontrollojnë njëra-tjetrën, sepse nëse e lëmë vetëm në një dorë prapë do të kemi probleme”, shtoi Rama.
Rama: Procesi i legalizimit do të udhëhiqet nga Bashkitë, jo më monopol i Kadastrës

Kryeministri Edi Rama më mbledhjen me gjithë kryebashkiakët ditën e sotme ka folur dhe për legalizimin e pronave.
Rama u shpreh se legalizimi nuk do të jetë më monopol i Kadastrave po do të udhëhiqen nga bashkitë.
Dhe nisur nga kjo kreu i qeverisë u bëri thirrje kryebashkiakëve të bëjnë gjithçka që procesi të përshpejtohet sepse është një padrejtësi që disa presin prej vitesh ndërsa disa e marrin legalizimin edhe pse janë aplikues të mëvonshëm.
Rama: Jemi për të komunikuar për nevojën e fillimit të punës, që u mor si rezultat i një diskutimi të nisur së bashku, të nxitur nga disa deputetë të PS, i pari ndër ta Erion Braçe. Edhe si rezultat i faktit që me pjesën e regjistrimit të pronave në kadastër kemi një ecuri pozitive, me pjesën e legalizimeve nuk mund të thuhet e njëjta gjë.
Është vendosur që bashkitë të përfshihen në proces, kjo ka një dobi pasi jo vetëm do të shtojë forcat për të zgjidhur problemin e legalizimit për qytetarët, por edhe do të shërbejë për të bërë monitorimin e punës në Kadastër.
Në këtë kontekst, janë bashkitë që do të vendosin prioritetet dhe do të përcaktojnë ritmin e planit të punës. Procesi do të udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar të zgjedhur nga ju. AKSH po ndihmon ASHK për të pasur një platformë pune digjitale, për më shumë transparencë. Kështu, bashkitë nuk do të jenë në pamundësi t’i japin përgjigje qytetarëve kur vijnë te ju, dhe Kadastër të mos ketë monopolin që e shfrytëzon për fat të keq, nga krimi i kërkesës për ryshfet apo qoftë anashkalimi.
Procesi ka pasur progres, por është i pakënaqshëm, duhet të jemi të vetëdijshëm se përtej faktit që ligji e parashikon përfundimin e ligjit në 2028, duhet të bëjmë gjithçka që procesi të përshpejtohet, sepse është e padrejtë që disa presin prej vitesh, disa të tjerë e marrin legalizimin, edhe pse janë aplikues të mëvonshëm. Keni për detyrë të vendosni radhë.
Legalizimi i banesave kërkon fokus të veçantë nga ju. Ka një sërë bashkish që kanë numra të vegjël kërkesash dhe nuk ka asnjë arsye në botë që njerëzit në këto bashki të presin akoma. Sa u përket ndërtesave pa leje për biznes mund të presin. Të parët janë banorët dhe shtëpitë e tyre.
'Turizmi nën sulm', Rama flet për sezonin: Baltë me video dhe foto false, numri i turistëve u rrit me 86%

Duke iu referuar lajmeve të publikuara për boshatisjen e plazheve në jug të vendit për shkak të çmimeve të larta, kryeministri Edi Rama pretendoi se po bëhet një sulm i organizuar për të dëmtuar bregdetin shqiptar.
Ai tha se për këtë ka folur edhe me kryebashkiakët e bashkive të vijave bregdetare. Ndërsa tha se po kryehen hetimet për profilet fallco të cilat shpërndajnë informacione të gabuara. Sipas tij, numri i turistëve ka pësuar një rritje prej 86%.
“Ka një sulm të organizuar për të dëmtuar bregdetin shqiptar. Kam folur me kryetarët e bashkive bregdetare, të gjithë janë të habitur dhe skandalizuar nga video dhe komente të rreme të manipuluara me qëllim që duan të thonë se këtu nuk ka ardhur njeri.
Faktet janë në terren dhe nuk është shqetësimi ynë kryesor të merremi me këtë sulm të organizuar. Por sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe për këto profile fallco që po përdoren për këtë sulm. Kjo është njëra anë e medaljes që vlen për të kuptuar se ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botës, erdhi përmes sfidave që janë gjithmonë e më komplekse. Sivjet para pak ditësh KE i udhëtimeve nxorri një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje të turistëve"- u shpreh kreu i qeverisë.
Ai tha se pavarësisht lajmeve të shpërndara se shqiptarët e Kosovës kanë braktisur vendin dhe nuk bëjnë më pushimet këtu, shifrat tregojnë të kundërtën.
“Pjesë e këtij sulmi është edhe ideja se shqiptarët e Kosovës kanë brtaktisur Shqipërinë por fakti është se nga janari në qershor ka 1.7 mln hyrje nga shqiptarët e Kosovës. Italianët deri në qershor vjet kanë qenë 456 mijë. Ka rritje të fortë të turistëve turq”- tha Rama ndër të tjera. Versus.al
Çmimet e larta në jug të vendit, Rama: Vlonjatët ‘molla e sherrit’, do bien në gropën e gjoksit të tyre
Kryeministri Edi Rama u është referuar ashpër pronarëve të hoteleve dhe bizneseve turistike në Vlorë e Sarandë sa i takon çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të caktuara të cilat janë shumë të shtrenjta krahasuar me ato në qytete të tjera.
Rama u kërkoi që të mos abuzonin me çmimet e vendosura pasi kjo mund të sjellë pasoja vitin e ardhshëm me numër më të ulët turistësh.
“Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, as të hoteleve as të restoranteve. Por Ermal, në Vlorë, në Sarandë Olti, ku janë edhe dy pikat e një rritje absurde të shtimeve është e rëndësishme të flitet me operatorët dhe t’u thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë se mbase në kushtet e kapitalizmit ata nuk e perceptojnë, por është vetëvrasje strategjike për ata vetë. Duhet të komunikohen dhe t’u thuhet se rritja e palogjikshme e çmimeve, vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Se po të ishte aq e lehtë, do e kishte bërë e gjithë bota. E kanë bërë vende të caktuara, por kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura"- u shpreh kreu i qeverisë.
Duke marrë si shembull negativ bizneset në Vlorë, Rama u drejtua prerazi drejt pronarëve duke u kërkuar që të jenë më realistë me çmimet e shërbimeve në restorant dhe atyre në hotel.
"Shikoni Durrësin dhe Shëngjinin apo Velipojën. Vlonjatët janë molla e këtij sherri. Se tani që Vlora është bërë kaq konkurruese nga pikëpamja e asaj që përfaqëson, gropa në gjoksin e Vlonjatëve është bërë një gropë ku do bien vetë këta. Është e turpshme të krijohet një klimë absurd kur në këtë moment sapo kemi hyrë në “Champions League”-n e turizmit, të abuzojmë në këtë mënyrë. Më mirë syri sesa nami, por vlonjatëve u ka dalë edhe syri edhe nami, edhe truri nga vendi atyre që kanë ato hotelet dhe nuk dinë çfarë bëjnë. Me këtë gjuhë, do zbresin pak me këmbë në tokë. Vlonjatët nuk zbresin dot, por të paktën të zbresin në kat të dytë”- u shpreh Rama.
Kryesocialisti u kërkoi kryebashkiakëve të Vlorës dhe Sarandës që të komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me pronarët e bizneseve përgjatë vijës bregdetare dhe t’u kërkojnë që të jenë më objektivë në çmimet e tyre. Versus.al
Rama mbledh sot kryebashkiakët në kryeministri! Zbardhen detajet e takimit

Tiranë- Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 10:00 të gjithë kryebashkiakët e vendit në një takim, në kuadër të të cilit do të jetë kryesisht sezoni veror.
Takimi pritet të mbahet në sallën COD në kryeministri. Ndërsa pjesë e takimit, pritet të jenë edhe kryebashkiakët e djathtë të cilët morën pjesë edhe në takimin që kryeministri zhvilloi në Shkodër më herët gjatë këtij viti.
Mësohet se pjesë e diskutimeve në takim do të jenë edhe legalizimet, ku një pjesë e procedurave do t’u kalojë bashkive për t’u kryer. Versus.al







