POLITIKË /

“Hyjnë në Kuvend edhe nëse s'votohen”, KQZ për listat e 11 majit: 46 deputetët e parë të partive i zgjedh kryetari

Mjafton të votohet partia nën siglën e të cilës kandidojnë dhe 46 deputetë e renditur të parët në listë në qarqe, mund të futen në Kuvend edhe nëse nuk marrin vota personalisht.

Shkruar nga Versus

“Hyjnë në Kuvend edhe nëse s'votohen”, KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një qartësim sa i takon pikëpyetjeve lidhur me listat e deputetëve, sesa prej tyre do të jenë të caktuar nga kryetari i partisë dhe sa të tjerë kanë mundësinë të zgjidhen me votë të qytetarëve.

Mësohet se 46 deputetët e parë të çdo partie do të jenë në listat e mbyllura, aty ku renditja e tyre përcaktohet nga kryetari i partisë dhe votuesi nuk mund të ndikojë. Vetëm ato parti të cilat fitojnë mandate përtej listës së mbyllur, do të kenë mundësi që të bëjnë pjesë të Kuvendit deputetë nga lista e hapur ku renditja përcaktohet në bazë të votave që kanë marrë nga zgjedhësit.

Më poshtë është përcaktuar sipas qarqeve sesi ndahen mandatet në listat e fiksuara dhe në listat e hapura. Për 11 majin, secila partia ose koalicioni do të garaojë me 46 deputetë në listë të mbyllur dhe 140 të tjerë në listë të hapur.

Shpërndarja e mandateve:

Në Berat, për çdo parti fituese 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar dhe 5 nga lista e hapur

Në Dibër, 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura.

Në Durrës, 5 deputetët e parë dalin nga lista e fiksuar, 9 nga lista e hapur.

Në Elbasan do të jenë 5 nga 15 mandate të mbrojtura në listë të mbyllur.

Në Fier, 5 nga 16 emrat, do të jenë të mbyllur.

Gjirokastra ka vetëm 1 emër në listë të mbyllur nga 4 mandate gjithsej.

Korça ka në listë të fiksuar, 3 nga 10 mandate për cdo subjekt zgjedhor.

Kukësi do të ketë 1 mandat të fiksuar, Shkodra 4 të tillë.

Në Tiranë, 12 fituesit e parë do të merren nga lista e mbyllur

Vlora do të ketë 4 deputetë në listë të sigurt nga 12 mandate gjithsej.

Të parët që fitojnë mandatin janë deputetët e renditur në listën e mbyllur duke respektuar renditjen e caktuar nga kryetari i partisë. Më pas kushdo prej kandidatëve që merr më shumë vota në listën e hapur do të ketë mundësi të hyjë në Kuvend.

Këto ndryshime në Kodin Zgjedhor u miratuan me votë të përbashkët nga PS dhe PD, ndërsa pati kritika nga ana e partive të vogla të cilat thanë se ky sistem i shërben establishmentit 34 vjeçar politik. Versus.al

Poll